Paul Celan Paul Celan është padyshim poeti më i madh i gjuhës gjermane në shekullin e XX-të. Lindur në Rumani, prindër të zhdukur në kampet e përqëndrimit të Luftës së Dytë botërore, Celan ishte gjithmonë i përndjekur nga pakuptimi i kësaj tragjedie, si dhe nga një pyetje torturuese : si mund të shkruhet poezi në gjermanisht nga një poet çifut pas Auschwitzit ? Një dhimbje e vërtetë.
Poezia e tij Todesfuge - Fugë e vdekjes (1945) është një nga poezitë më tronditëse që shpreh më së miri pështjellimin e brendshëm celanian.
Vret veten duke u hedhur në lumin e Seine, në Paris, natën duke u gdhirë 20 prill 1970
Përkthimi më poshtë është bërë prej meje nga frëngjishtja.
Fugë e vdekjes
Qumështin e zi të agimit ne e pijmë në mbrëmje
ne e pijmë në mesditë dhe mëngjes ne e pijmë natën
ne pijmë dhe pijmë
ne gërmojmë një varr në ajër nuk jemi të shtrirë ngushtë atje
Një njeri banon në shtëpi ai luan me gjarpërinjtë ai shkruan
ai shkruan kur vjen muzgu i errët në Gjermani flokët e tu të artë Margaretë
ai shkruan këtë dhe del tek dera dhe yjet rrënqethen ai u vërshëllen qenve të tij
ai vërshëllen të thërrasë Çifutët e tij dhe bën të hapet një varr në tokë
ai urdhëron luani dhe që të kërcejmë
Qumësht të zi të agimit ne të pijmë natën
ne të pijmë në mesditë dhe mëngjes ne të pijmë në mbrëmje
ne pijmë dhe pijmë
Një njeri banon në shtëpi ai luan me gjarpërinjtë ai shkruan
ai shkruan kur vjen muzgu i errët në Gjermani flokët e tu të artë Margaretë
Flokët e tu të hirtë Sulamith ne gërmojmë
një varr në ajër nuk jemi të shtrirë ngushtë atje
Ai bërtet gërmoni Tokën më thellë ju aty dhe ju të tjerët këndoni dhe luani
nga brezi i tij ai nxjerr hekurin e vringëllon sytë e tij janë blu
më thellë kazmat në tokë ju aty dhe ju të tjerët luani luani për që të kërcejmë
Qumësht të zi të agimit ne të pijmë natën
ne të pijmë në mesditë dhe mëngjes ne të pijmë në mbrëmje
ne pijmë dhe pijmë
një njeri banon në shtëpi flokët e tu të artë Margaretë
flokët e tu të hirtë Sulamith ai luan me gjarpërinjtë
Ai bërtet luani ngadalë vdekja vdekja është një zot i ardhur nga Gjermania
ai bërtet zbusni tingujt e violinave
atëherë ju ngjituni në tym lart në ajër
atëherë ju keni një varr në re ku nuk jemi ngushtë
Qumësht të zi të agimit ne të pijmë natën
ne të pijmë në mesdit vdekja është një zot i ardhur nga Gjermania
ne të pijmë në mbrëmje dhe mëngjes ne pijmë dhe pijmë
vdekja është një zot i ardhur nga Gjermania syri i saj është blu
ajo të godet me një plumb ku duhet ajo të godet
një njeri banon në shtëpi flokët e tu të artë Margaretë
ai ndërsen drejt nesh qentë e tij na ofron një varr në ajër
ai luan me gjarpërinjtë dhe ai ëndërron vdekja është një zot i ardhur nga Gjermania
flokët e tu të artë Margaretë
flokët e tu të hirtë Sulamith