Komiteti i Jashtëm Europarlamentar votoi raportin mbi Bosnjën por shtyu miratimin e rezolutës mbi integrimin europian të Shqipërisë.
"Për t'i dhënë shansin forcave politike shqiptare që përmes dialogut, diskutimit të arrijnë një marrëveshje për të kapërcyer krizën në vend, kjo ishte arsyeja pse të gjithë ne ramë dakort që ta shtynim këtë votim", deklaroi Nicholaos Chountis- Raportues për Shqipërinë në PE.
Kjo shtyrje u propozua nga eurodeputeti liberal Jelko Kacin, i cili apeloi ndaj partive politike në vend që të lënë mënjanë diferencat e të vijojnë dialogun për t'i treguar popullit dhe partnerëve europiane se demokracia e re shqiptare është e aftë t'i tejkalojë krizat.
"Shoqëria shqiptare meriton një përshtypje, imazh dhe raportim më të mirë, për këtë arsye në shpresojmë se në pak javë do të jemi në gjendje që të propozojmë një rezolutë me pozitive e premtuese. Së pari dua të përmend liberalizimin e vizave. Siç duket deri tani, cfarëdolloj gjëje që të thotë Komisioni, ky vit ka humbur. Por nëse duam të krijojmë kushte më të mira, duhen mesazhe më pozitive nga Shqipëria, për t'iu dhënë shansin qytetarëve shqiptare për të levizur lirshëm nga fundi i këtij viti. Por kjo gjë është jashtë këtij realiteti siç duket deri tani”, tha eurodeputeti i ALDE-s, Jelko Kacin.
Raporti, i përpiluar nga eurodeputeti grek Nicholaos Chountis, pësoi disa ndryshime deri në datën 5 maj që shënonte dhe afatin e fundit për amendime nga grupimet parlamentare. Për rrjedhojë qendrimet e shprehura në këtë rezolutë nuk pasqyronin zhvillimet e fundit politike dhe as ndërhyrjen e institucioneve europiane për zgjidhjen e krizës në vend. Për këto detaje, Komiteti i Jashtëm pret vlerësimet e përfaqësuesve të PE-së që ndodhen ende në Tiranë.
Raportuesi për Shqipërinë, Chountis tregoi se shqetësimet e shprehura në draftin e diskutuar një muaj më parë, për ekonominë, korrupsionin, gjyqësorin e median përsëriten edhe tek raporti i fundit që tashmë do të votohet në 22 qershor.