Diele, 2024-11-03, 3:02 PM
Shqiperia Etnike
Main Registration Login
Welcome Guest
Postime te reja · Antaret · Rregullorja · Kerko · RSS
  • Page 1 of 1
  • 1
Migjeni
JunaPublikuar: 2010-06-26, 9:44 AM, Shtune| Postimi nr: 1
Lieutenant
Group: Administrators
Postime: 76
Reputacioni: 19
Status: Offline

Millosh Gjergj Nikolla i njohur si Migjeni lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje të varfër qytetare; vdiq më 26 gusht 1938 në moshën 27-vjeçare në një sanatorium pranë Torinos në Torre Peliçe. Ishte një poet dhe prozator.

Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, më 1928-1932 ndoqi mësimet e mesme teologjike në Manastir. Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë. Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë letrare. Shkrimet e para i botoi më 1934, bashkëpunoi në revistat "Illyria", "Bota e re" etj. Më 1936 veprat e veta poetike i përmblodhi në librin "Vargje të lira", të cilin censura nuk e la të qarkullojë. Nga fundi i vitit 1937 shkoi në Itali për tu shëruar nga sëmundja e mushkërive. La në dorëshkrim një pjesë të rëndësishme të prozës së tij.

Migjeni kishte bindje demokratike, revolucionare, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndanë veprën e tij. Në poezitë e para, si "Zgjimi", "Të birt' e shekullit të ri", "Shkëndija", "Shpirtënit shtegtarë", etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë («kalbësinave që kërkojnë shejtnim»). Kritika e rreptë e gjendjes së rëndë të vendit u gërshetua në këto vepra me dëshirën e zjarrtë për "një agim të lum e të drejtë kombëtar", me grishjen për të luftuar për ditë më të bukura. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik.

 
JunaPublikuar: 2010-06-26, 9:45 AM, Shtune| Postimi nr: 2
Lieutenant
Group: Administrators
Postime: 76
Reputacioni: 19
Status: Offline
Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në botimet e Migjenit për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin regjimi antipopullor i kohes. Heronjtë e veprave të tij më të mira ("Bukën tonë të përditshme falna sot", "Bukuria që vret", "Mollë e ndalueme", "Legjenda e misrit", "A don qymyr zotni?"etj.) ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë. Në "Poemën e mjerimit", veprën e tij më të shquar, Migjeni përshkroi në tablo të gjallë dhe rrëqethëse të gëlltitjes së vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara, të venitjes së tyre fizike nën grushtin e mjerimit, që sundonte në vend dhe mbrohej nga monarkia çifligaro-borgjeze. Në një varg shkrimesh, si "Zoti të dhashtë" etj., Migjeni fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve që hiqte populli. Shtresat e privilegjuara Migjeni i pasqyroi kryesisht në jetën e tyre vetjake, ai tregoi moralin hipokrit dhe despotizmin që karakterizonte marrëdhëniet e tyre familjare ("Të çelen arkapijat", "Studenti në shtëpi"). Në "Studenti në shtëpi" vuri në lojë inteligjencien borgjeze, si forcë e paaftë për të luftuar për ideale të larta. Migjeni goditi haptazi dhe me forcë artin dhe shtypin zyrtar ("Kanga skandaloze", "Programi i një reviste", "Novelë mbi krizën"etj.). Skamorët, të cilët i urrenin shtypësit, por ende nuk guxonin të ngriheshin kundër tyre, Migjeni i pasqyroi me simpati të thellë. Në skicat "Luli i vocërr"dhe sidomos te "Zeneli", shkrimtari vuri në dukje aftësitë intelektuale të masave dhe dëshirën e zjarrtë për ndryshime në gjendjen e tyre shoqërore. Shkrimtari tregoi edhe shfaqjet, sado të zbehta të protestës së tyre ndaj padrejtësisë shoqërore ("Mollë e ndalueme"). Rrëfimi i thjeshtë dhe konciz, imtësitë, që zbulojnë thelbin e dukurisë, fryma polemike, psikologjizmi i hollë, prirja për t'i dhënë personazhet me disa viza, figurat poetike shprehëse, ironia - këto janë veçoritë kryesore të stilit të Migjenit. Shkrimet e tija lanë gjurmë të dukshme në letrarët e rinj të kohës. Me mohimin e shoqërisë çifligaro-borgjeze dhe aspiratën e fortë për një të ardhme më të mirë për masat e popullit, Migjeni pati ndikim të ndjeshëm në rrethet e rinisë përparimtare; me veprat e tij ndihmoi në formimin shpirtëror të saj. Këtë rol ato e luajtën edhe në vitet e qëndresës kundër pushtuesit fashist, kur qarkullonin dorë më dorë.

Pas Çlirimit te Shqiperise trashëgimi letrar i Migjenit u bë i njohur plotësisht. ("Veprat" e plota të Migjenit janë botuar tri herë: 1954, 1957, 1961, kanë dalë edhe një varg botimesh të tipave të ndryshëm). Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tija janë botuar studime e artikuj të shumtë.

Eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe ne vitin 1956. Ju dha titulli "Mësues i Popullit" (1957).

Të birtë e shekullit të ri

Na t'birt e shekullit të ri
që plakun e lamë në "shejtnin" e tij,
e çuem grushtin për me luftue
nder lufta të reja
dhe me fitue...
Na të birt e shekullit të ri,
filizat e një toke së rimun me lot
ku djersë e ballit u dikonte kot -
se dheu i yne qe kafshatë e huaj
dhe ne marrëzi duhej shumë shtrejtë t'u paguejm
Na t'birt e shekullit të ri
vllazen të lindun e të rritun në zi,
kur tinglloi çast'i ynë i mbramë
edhe fatlumë
ditem me thanë:
s'duem me humbë
në loje të pergjaktë të historis njerëzore,
jo! jo, s'i duem humbjet prore
duem ngadhnjim!
Ngadhnjim ndërgjegje dhe mendimi të lirë!
S'duem për hir
të kalbsinave të vjetra që kërkojne "shejtnim"
të zhytemi prap në pellgun e mjerimit
që të vajtojmë prap, kangët e trishtimit,
- kangen monotone, pa shpirt, të skllavnis -
të jem' nji thumb i ngulun nder trutë e njerëzis.
Na të birt e shekullit të ri
me hovin tonë, e të ndezun peshë,
ndër lufta të reja kemi m'u ndeshë
dhe për fitore kem me ra fli.

 
JunaPublikuar: 2010-06-26, 9:47 AM, Shtune| Postimi nr: 3
Lieutenant
Group: Administrators
Postime: 76
Reputacioni: 19
Status: Offline
Recital i Malcorit

O' si nuk kam nji grusht të fortë
t'i bije mu në zemer malit që s'bëzanë,
ta dij edhe ai se ç'do me thanë i dobët -
n'agoni të përdridhet si vigan i vramë,

Unë - lugat! Si hij'e trazueme,
trashëgimtar i vuetjes dhe i durimit,
endem mbi bark te mallit me ujen e zgjueme
dhe me klithma të paknaquna t'instinktit.

Mali hesht. Edhe pse për dite
mbi lëkure të tij, në lojë varrimtare,
kërkoj me gjete nji kafshate ma të mirë...
Por me rrenë shaka shpresa gënjeshare.

Mali hesht - dhe në heshtje qeshë.
E unë vuej - dhe në vuejtje vdes!

Po unë, kur? heu! kur kam për t'u qeshë?
Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?

O, si nuk kam nji grusht të fuqishëm!
Malit që hesht mu në zemër me ja njeshë
Ta shof si dridhet nga grusht'i paligjshëm...
E unë të kënaqem, të kënaqem t'u u qesh.

 
JunaPublikuar: 2010-06-26, 9:48 AM, Shtune| Postimi nr: 4
Lieutenant
Group: Administrators
Postime: 76
Reputacioni: 19
Status: Offline
Luli i vocërr

Askush s'e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet e Luli i shikon për hesap te vet. Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli. More Lul! Shumë heret ke fillue me shikue punën tande!
Kur Luli hyn n'oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s'i thotë. Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë në cak të vet. Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë. Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës. Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe...shikon. Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij. Sa te bukura janë! Si shkëlqejnë! - mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna. Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna - aq shumë shkëlqejshin çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t'i ngrohi kambët. - Por kur s'ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis... Noshta, ndoshta...
Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t'i falë diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin.

 
JunaPublikuar: 2010-06-26, 9:48 AM, Shtune| Postimi nr: 5
Lieutenant
Group: Administrators
Postime: 76
Reputacioni: 19
Status: Offline
Vetvrasja e trumcakut

Dhe trumcaku vuente nga melankolia. U lind në një vend me të vërtetë të shkretë. Në vend të barit bijshin qime e derrit e në vend të pemve - brinat e një shtazës parahistorike. Dhe në kët natyrë - e cila nuk mund të quhet natyrë - kush mos të bahet melankolik? Dihet se një trumcaku s'i duhet shumë për jetë, por natyra, e cila nuk ishte natyrë, s'i epte as aq. Mos pyetni si e tek u gjet trumcaku n'at vend, dhe si e tek u gjet njeriu në kët pike kozmike; nuk dijmë shumë. Hipoteza dhe andrra. Miliona vjetësh dhe një fjalë goje, si për shembull: "…të bahet dritë! Dhe drita u ba!" - A shifni? Një fjalë magjike! Hokus-pokus! Sa bukur!
Dhe unë thash: të bindet trumcaku në një vend ku në vend të barit bijnë qimet e derrit e në vend të pemve - brinat e një shtazës parahistorike.
Njëherë trumcaku qëndroi mbi një brenë. U mërzit të shikojë qimet e derrit, u mërzit të fluturojë prej brenës mbi brenë. Nga mërzia dhe idhnimi mbylli syt. Ra në pikllim melankolik. Njeriu me temperament melankolik asht inteligjent. E inteligjenca në kuptim ma të hapët të fjalës, pakkuj i solli qetsi dhe të mire.
Dhe trumcaku, në majë të brenës e në kulm të melankolis, vendosi të vritet. Plot ironi filozofike shikonte rreth përqark vetes e vendimi i patundun mirfilli pasqyrohej ndër syt e tij të dëshpruem. Cicrroi një here, cicrroi dy here; cicrroi tri here. Mandej një crrrr e gjatë e plot mallëngjim ishte porosia e tij e fundit. Testamenti i dhimave të tij. Dhe, pa u dhanë krahve, këcej prej brenës… ra mbi një qime të derrit, të gjatë e të mprehtë si thika, dhe u ngul mbi të.
Trumcaku i ngulun mbi një qime të derrit. Me krahët dhe puplat e tij lonte era dhe e sjellte rreth qimes, si sillet dhe gjeli metalik në majë t'oxhaqeve tona. Atbotë frynte veka janë këto kapërcime logjike! Ka me bërtitë ndokush.
Po, lexues i dashtun e jo i cekët. Po! A pak po kemi kapërcime logjike, morale dhe dogmatike në botën tone reale? Pse po zemrohe dhe po don me më gjykue për disa kapërcime logjike askuj damsjellje?

 
JunaPublikuar: 2010-06-26, 9:49 AM, Shtune| Postimi nr: 6
Lieutenant
Group: Administrators
Postime: 76
Reputacioni: 19
Status: Offline
Vjeshta në parakalim

Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona.
Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli,
Lëngon shpirt' i smum ndër krahnore tona,
Dridhet jet' e vyshkun ndër gemba të një plepi.
Ngjyrët e verdha lozin në vallen e fundme -
(dëshirë e marrë e gjethve që një nga një vdesin!)
Gëzimet, andjet tona, dëshirat e fundme
Nëpër balta të vjeshtës një nga një po shkelin.
Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
tundet dhe përgjaket në passion të viganit:
"Jetë! Jetë unë due!" - e frymë merr prej fellit,
si stuhi shkyn ajrin… por në fund ia nis vajit.
Dhe m'at vaj bashkohet horizont' i mbytun
në mjegull përpise. Pemët degët e laguna
me vaj i mshtjellin në lutje - por kot! e dinë, të fikun,
se nesër do vdesin… Vall! A ka shpëtim ndokund?!
Mallëngjehet syni, mallëngjehet zemra
n'orën e vorresës, kur heshtin damaret,
e vorri naltohet nën qiella ma t'epra
me klithëm dëshprimi që në dhimbë të madhe zvarret.
Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë në ftyra tona.
Rënkoni dëshirat fëmitë e jetës së varfun;
Rënkoni në zije, qani mbi kufoma,
Që stolisin vjeshtën nëpër gemba të thamun.
 
JunaPublikuar: 2010-06-26, 9:49 AM, Shtune| Postimi nr: 7
Lieutenant
Group: Administrators
Postime: 76
Reputacioni: 19
Status: Offline
Kanga skandaloze

Një murgeshë e zbetë, që bashkë me mkatet e botës
bar dhe mkatet e mia mbi supet e vet të molisun,
mbi supat e verdhë si dylli që i ka puth hyjnia
- kaloi rrugës së qytetit si ejll i arratisun…
Një murgeshë e zbetë, e ftohtë si rrasa e vorrit,
me sy boj hini si hini i epsheve të djegna të gjallesës,
me buzë të holla të kuqe, dy gajtana
pshertimet që mbysin
ma la der' vonë kujtimin, kujtimin e ftohtë të kalesës.
Prej lutjesh (jo tallse!) duel dhe në lutje prap po shkon…
Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy, ndër buzë, ndër Gishta.
Pa lutjet e saj bota, kushedi, ç'fat do kishte?
Por dhe nga lutjet e saj ende s'i zbardhi drita.
O murgeshë e zbetë, që çon dashni me shënjt,
që n'ekstazë para tyne digjesh si qiriu pranë lterit
dhe ua zbulon veten… Smirë ua kam shejtënvet:
Mos u lut për mue, se due pash më pash t'i bij ferrit.
Unë dhe ti, murgesh, dy skaje po të një litari;
të cilin dy tabore ia ngrehin njeni-tjetrit -
lufta asht e ashpër dhe kushedi ku do t'dali,
prandaj ngrehet litari edhe përplasen njerzit.

 
JunaPublikuar: 2010-06-26, 9:50 AM, Shtune| Postimi nr: 8
Lieutenant
Group: Administrators
Postime: 76
Reputacioni: 19
Status: Offline
Ndeshja

O grue, që të ndesha në ditn e fatkobit tem,
Kur prirja njellte e syt shikojshin zi
e ndjejshe veten se dhe unë jam fli
të një ndjesi si ti.
O grue, q'u ndeshme ditën e fatkobit tone
zemër për zemër edhe ball për ball
e ndjesitë n'u shprehën me mall
më një vall: sa hall…
Dhe kështu në rrugë të madhe e shitme
zemrën tonë.
njerzve që vetëm një të përqeshun dhanë për të
e shkuen të kënaqun e tu'u gëzue - pse
panë mshefsinat intime të kësaj jetesës sonë.
E na, dhe një dhimbë të sinqertë tue ndijë,
vuejshin me zemër të ndrydhun si dy fëmijë
të humbun ndër vise të hueja natën vonë,
o grue, q'u ndeshme në ditën e fatkobit tonë!

 
  • Page 1 of 1
  • 1
Search:

Identifikohu

Naviguesi i Faqes

Postimet e fundit
  • Legjenda (1)
  • Biologjia molekulare. (0)
  • Eva Sotiri - Poezi (1)
  • Gjë e gjëza (1)
  • Historia Shqiptare (11)
  • DROGAT (1)
  • Morthi i kembeve (0)
  • Stina e nxehtë,kujdesi ndaj sëmundjeve që sjell kequshqyerja (0)
  • Pjetër Bogdani ( 1625 - 1689 ) (2)
  • Federiko Garsia LORKA (3)

  • Sondazh
    Cilin e mendoni si favoritin aktual për të fituar Botërorin 2010?
    Totali i përgjigjjeve: 34

    Foto Albumi

    Top Poster
  • admin
  • Juna
  • Ghost
  • Alesio
  • qokuenver
  • muskollaridenis
  • Hipnotizuesssi
  • Stela
  • Kristina
  • jamjamune


  • Kërko

    Shqiperia Etnike ne Fb
  • Shqiperia Etnike


  • News
    [2010-06-23]
    PE shtyn votimin për Shqipërinë (0)
    [2010-06-24]
    Europarlamentaret: Vizat, pse refuzuam kushtezimin (0)
    [2010-06-24]
    Spanjë, Jose Mourinho prezantohet zyrtarisht si trajner i ri Real Madridit (0)
    [2010-06-26]
    Capello: Nuk jam i çmendur, Anglia mund të fitoj KB (0)
    [2010-06-26]
    Shqiptaret mbeten me te varferit ne Evrope (0)
    [2010-06-27]
    Google po skanon një milion libra nga bibliotekat e Romës dhe Firences (0)
    [2010-06-28]
    Kriza, “Guardian”: Greqia nxjerr në shitje ishujt (0)
    [2010-06-29]
    Empire Total War MULTi8-PROPHET (0)
    [2010-06-29]
    Grand Theft Auto 4 (official version) (0)
    [2010-06-30]
    Korrupsioni, zbardhen emrat e pedagogëve të arrestuar në Kamëz (0)

     
    Copyright Shqiperia Etnike © 2024