Marte, 2024-04-16, 7:24 PM
Shqiperia Etnike
Main Registration Login
Welcome Guest
Postime te reja · Antaret · Rregullorja · Kerko · RSS
  • Page 1 of 1
  • 1
Forum » Forumi Shkencor » Gjuha shqipe » Menyra e te shkruarit te disa personaliteteve shqiptare.
Menyra e te shkruarit te disa personaliteteve shqiptare.
JunaPublikuar: 2010-07-10, 9:58 AM, Shtune| Postimi nr: 1
Lieutenant
Group: Administrators
Postime: 76
Reputacioni: 19
Status: Offline
Shteti e besimi

- Gjergj Fishta -

Botuar më 1917

Për me njoftë burimin e tagrit e t’detyrës s’shtetit, na do t’shofim ma para se n’ç’t’përpjekuna ase n’ç’t’kundershtisur gjindet nieri me familje, e familja me nieri; pse tuj kenë që shteti perbahet prej familjesh, target e detyret e tija, në perftim t’vet, janë njapernja me ato t’familjes, qi asht themeli i shoqnis s’gjytetnueme ase e shtetit. E mos t’thotë kush se kto tregime janë jashta vendit n’fletore tonë, pse gjytetnia përbahet prej mnyret t’përdorimit t’tagrit e t’kryemit t’detyrës; prandej as nieri as familja, as shtetit s’munden me kenë pernjimend t’gjytetnuem po s’njoften ma parë target e detyret e veta.Nieri, si fenomen natyret, kuptohet dy mnyresh: ma para si bethje e veçantë - persona individuum; - s’dyti si pjesë a gjymtyrë shoqniet. Si vehtje e veçantë nieri nuk asht i nënshtruem i pushtetit t’kerkujë tjeter vetem t’Njatij qi e ka shkaktue mi botë, t’Perendis, edhè asht i zoti i botës mare. Nieri, me pasë per t’xanë nji peshk n’det, me vra nji shpez n’mal, me pre nji landë, me rrotullue nji gur, a me gropue nji humnere n’dhe, aj-per me folë prej pikpamjet tagrore — kerkujë n’natyrë s’do t’i pergjegjet per kto punë t’veta; pse asnjigjasend n’natyre s’ka ndoj tager m’nieri, i cili, prandej, s’ka kurrnji detyrë ndaj sendeve tjera, tuj kenë qi t’gjitha gjinden të nënshtrueme nën pushtet t’tij.
Por, tuj kene qi n’natyrë nuk gjindet kurgjâsend pa nji qellim , kshtu edhe nieri, masi nuk asht prej vedvedi, porse i shkaktuem, do ta ket nji qellim, ndaj t’cilit natyra e vet ta shtyjë. Veç shka se ky qellim i nierit nuk mundet me kenë permrêna rrethit t’natyrës, masi t’gjitha sendet e natyrës gjinden t’nenshtrueme pushtetit t’nierit: nuk mund t’thohet se ka kush per qellim nji gjasend, qi tash e ktu ta ket nen pushtet t’vet; edhe nieri, tuj kenë i shkaktuem, s’mund t’ket per qellim vedvedin, kshtu arsyja vetë na thotë se qellimi i nierit asht jashta rrethit t’natyrës, ase mi natyrë, e qi s’mundet me kenë tjetër veç Zoti; pse masi fuqia e mendes e vullnetit
-t’nierit shtrihet e pacaktueme, kshtu per me ba me pushue e per me plotnue ket mende e vulinet t’nierit, duhet qi qellimi i tyne t’jet i pakufi e i pacak, shka s’mundet me kenë tjetër gja veçse Zoti. Veç shka se tuj kènë qi qellim i nierit gjindet, si thamë mi rreth tnatyrës, kshtu nieri, si asht sod me sod, s’mundet prej vedvedi me dijt pa
gabim mnyren e rrugen per me u kapë te qellimi i vet te Zoti; prandej vetë Zoti masi e pat shkaktue nierin per vedi ja ka diftue mnyren e rrugen se si me mrrijtë n’qellimn t’vet. E kjo mnyrë e rrugë, qi me u kapë nieri n’qellim t’vet, nuk asht tjetër veçse Feja. Prandej e para detyrë qi nieri, i kuptuem si vehtje e veçantë, ka n’ket jetë, asht Besimi ase Feja.
Por nieri s’do t’jetojë vetun; tjerë t’gjashem me të, ase tjerë njerz do t’gjallojshin me të bashkë mi tokë. Tuj kenë, tashti, qi sejcilli ksi njerzsh do t’ishte zot mi gjith boten marë, si mujte me u ba qi n’shekull e n’jete t’nierit t’mahej urdhen e rregull, masi, ku janë shum zota mi nji gjasend, aty bin kundershtirn e pshtjellim? U lyp qi t’u caktote tahri i secilit nieri mi botë. Veç shka se tuj ju caktue tagri nierit, nieri vetem me fuqi t’veta nuk mund do t’i mjaftote vedit, e prandej do t’ishte i mjerë e i pavullnuem. Per me bâ, pra, qi nieri t’i vuete t’gjitha nevojët e jetës, t’cillat atij do t’i vijshim prej caktimit t’tagrit, e kshtu me kenë i lum si e lypte natyra e tij, u desht qi nieri t’u lidhte me lidhni natyret me do njerz tjerë, me nimë t’cillve do t’mujtë me rujtë tagret e veta, edhe mas ktyne tagreve, me ja reshë vedit sendet e nevojshme per me jetue mi shekull e me u mbajtë gjithmone n’fille t’udhës s’qellimit. E shtu u perba familja njerzore, e cillia ka per qellim:
a) t’ruejtunt e tagreve t’do njerzve, qi permrena, me interese, etj.b) t’pertrimit e sendeve t’nevojshme per gjallim t’paqtë e t’amel t’ktyne njerzve. Por, tuj kenë qi nieri asht para familjes, e se familja ka kenë ndertue per nieri e jo nieri per familje, kshtu familja, pose atij qellimit themeluer t’vetvetsis morale t’veten, ka per qellim edhe shelbimin e amshueshem të t’gjith njatyne vehtjeve t’veçanta prej t’cillash gjindet e perbame. Tash, masi e prum burimin e familjes prej gurret t’natyrës s’nierit edhè i caktuem qellimet e saja, t’shofim se n’ç’t’perpjekun, ase c’t’kundershtisun e relacjon kan ndermjet vedit nieri e familja.
Diten, qi len nieri n’dritë, aj çpohet ase paraqitet n’familje, si pjesë a gjymtyrë i sajë; e prandej, si pjestarë familjet, nieri, diten qi t’lej, ven dy detyrë mi vedi: a) me u rregullue mas tagrit, si gjindet i caktuem n’familje; b) me zhdrivillue fuqit e veta per dobi t’veten e t’atyne njerzve me t’cillt perban familjen, pse arsyja, qi e ban nierin me jetue n’familje, asht kjo qi me pasë tagrin e suguruem edhe pasunin e nevojshme, per me jetue n’paq e me rregull e kshtu ma udobisht me u kapë n’qellim t’vet. Kshtu edhe familja do ta kuptojë nierin dy mnyresh: a) si pjestar a gjymtyrë t’vetin; b) si vehtje t’veçantë. Familja do ta kuptojë nierin si pjestar t’vetin, pse masi ky të rregullohet mas tagrir t’sajë e t’zhdrivillojë fuqit e veta per dobi t’familjes marë familja asht e detyrueme me ja ruejt tagrin edhe me ja qitë majen e nevojshme per nji jete t’paqtë e t’kandshme. Por tuj kenë qi nieri si vehtje e veçantë, ka per qellim shelbimin e arnshueshem, kshtu familja, per në dashtë me e kndellë e me ba t’lum nierin pernjimend, e ka me detyrë me ja dhanë t’gjitha mjetet qi me u shelbue; pse nieri, pa uzdajë t’shelbimit t’amshueshem, nuk mundet kurr me u kndellë e me u vullnue plotsisht. Prandej familja asht e detyrueme me ja msue nierit t’vet Fen, e jo veç me ja msue Fe me fjalë, por edhe ma tepër me ba qi t’gjitha ligjet e punët e saja t’pelqejnë me Fe n’nji mnyre, qi nierit t’i bahet ma i let shelbimi i amshueshem. Nji familje, pra, qi s’dishmon Fe para njerzve t’vet e qi nuk punon gjithmonë n’pelqim me parime t’Fes asht nji familje e keqe; pse e rren nierin tuj i thane se don me e ba t’lum. Tash, tuj kenë qi shteti asht i perbam prej familjesh rrjedhë prej vedi se shteti do t’jet ndaj familjes shka asht familja ndaj nierit; ase prandej, si familja qi s’dishmon e s’man Fe asht e keqe, kshtu edhe shteti i pafe asht i keq.
Nga libri “Përndritje”, Tiranë 2000

 
JunaPublikuar: 2010-07-10, 9:59 AM, Shtune| Postimi nr: 2
Lieutenant
Group: Administrators
Postime: 76
Reputacioni: 19
Status: Offline
Vija e Vdekjes

- Nonda Bulka -

Botuar më 1934

Ofiqari i gjëndjes civile është zëvëndësi i Perëndisë në tokë. Me të marrë vesh se vdiq një njeri, i heq një vijë të kuqe emrit të tij dhe mbaroi puna; ai njeri shkoi e vajti: vdiq; as ushtar vete, as taksa paguan, as borxhet ia kërkon njeri, as vjehra e mërzit, as kalamanjtë i çajnë kokën. Jo! S’ka më për të, veçse errësirë, kështu ka vendosur legjislatori: një vijë e kuqe shënon vdekjen e një krijese.Një ditë prej dite, vajta në komunë. Më duhej një çertifikatë për të provuar se jam plak, se kam punuar për Shqipëri dhe se jam njeri që meritoj hylefe nga qeveria; se, helbete, edhe unë kam punuar për Shqipërinë. Dhe ja me dy fjalë biografia ime: në kohën e Turqisë u mësova fëmijëve gjuhën turke, dhe kur harroja (kohë më kohë), u kujtoja se ka një Shqipëri, e cila mund të bëhet shtet ndonjë ditë; dhe mbaja festë të kuqe; dhe bërtisja tri herë ditën: rroftë Sulltani! por këtë e bëja nga dashuria që kisha për Shqipërinë. Kur iku Turqia, erdhi Greku; hoqa festen e kuqe dhe vura kapello dhe thirra tri herë: rroftë Venizellua! dhe Venizellua më dha para; dhe fytyra e Venizellos zbukuronte gjoksin tim; por këto i bëja nga dashuria që kisha për Shqipërinë. Pastaj u bë Shqipëria dhe unë isha nga të parët që bërtita: rroftë Shqipëria! përvëlova me benzinë festen e kuqe, surratin e Venizellos dhe vura në dritaren e shtëpisë tre flamurë kuq e zi. Dhe gjithë bota habiteshin me atdhetarizmën time. Kjo është shkurt biografia ime. Pra, i bazuar në këto fakte të pamohueshme të atdhetarizmës sime, vajta në zyrë civile. I dhashë zyrtarit emrin dhe mbiemrin. Hapi regjistrat nëpunësi i ndershëm, dhe mbeti si i shushatur kur pa emrin tim. Më pyeti:
- Nga vjen ti?
- Nga greminë e zezë! – iu përgjigja unë.
- Por ti ke vdekur, mor efendi! – se emri yt ka një vijë të kuqe.
E vështrova me sy të zgurdulluar emrin tim me një vijë të kuqe, dhe vura re se, gabimisht më kishin skuqur mua në vënd të gjyshit tim.
- Më varrostë për së gjalli, or paçi belanë! – i thashë mehmurit e dola jashtë duke menduar ç’të bëj.
- Të futem në varr dhe të nxjerr gjyshin prej varrit? Se kështu e do ligji!....Dhe atë që do ligji e do edhe Zoti…. Apo jo?

 
JunaPublikuar: 2010-07-10, 10:02 AM, Shtune| Postimi nr: 3
Lieutenant
Group: Administrators
Postime: 76
Reputacioni: 19
Status: Offline
Problematiciteti Shqiptar

- Branko Merxhani -

Botuar më 1935

Problemi ose Problematiciteti shqiptar... - Kemi trashëguar, thonë, një të shkuar kaotike; po kalojmë, thonë, një të tanishme kaotike: e ardhmja paraqitet si një zero matematike: "Shiko të shpëtosh kokën tënde!" - Këtë këngë vajtuese të këndojnë sot Pleq e të Rinj, dogmatikë e liberalë. Të ditur, të paditur, të gjithë njerëzit këtu brenda, i ka zënë një dobësi mistike, një lodhje morale dhe materiale. Dhe si një rrjedhje e natyrshme e gjithë kësaj gjendje, një egoizëm vetjak, materialist, i lidhur ngusht me indiferencën, mërinë, ligësinë, dinakërinë më të përçmuar tejpërtej!. - Simptoma më tipike dhe më klasike të dekompozimit. Simptoma të dekadencës, që paraqitin popujt në mbrëmjen e historisë së tyre...
Ku gjendemi?
Le t'i lëmë për një çast të qetë në këndin e lumtur të venerimit e të lutjes së tyre të gjithë ata njerëz të mirë që qarku i mendimeve të tyre vjen gjithë rreth e rrotull boshtit të Fesë.
Këtu n'anën tonë ka një tok njerëz të një kategorie tjetër, mendonjës të lirë, që mbështeten në shkencat pozitive dhe që nuk u japin asnjë rëndësi metafizike fenomeneve shoqërore. Janë të Rinjtë Intelektualë. Një prej tyre, djalë me karakter të ndritur dhe me përgatitje kulturale të mbaruar, përkrahës i nxehtë i teorive shkencore të Determinizmit dhe Evolucionit, më shkruan:
"... Jo! Atë mbrëma isha i sinqertë. Dhe siç e di fort mirë, përpiqem të jem gjithnjë i sinqertë. Të thashë atë që mendoj".
"... Nuk shoh shesh përpjekjeje shoqërore në konditat historike që jemi. Çdo mendim është i kotë në këtë drejtim".
"... S'ka fenomen shoqëror absolut dhe abstrakt. Çdo fenomen është rrjedhë faktorësh të ndryshëm. Dhe sapo shfaqet, bëhet menjëherë shkak për të lindur edhe një tok fenomene të tjera. Individi, gjer në një pikë, mund të ushtrojë një arbitër të lirë. Po Shoqëria shtrohet nën disa rregulla të caktuara dhe harmonike. Teoria e Evolucionit zbatohet në të gjitha llojet organike, kaq në llojet biologjike, sa edhe në llojet sociologjike".
"... Nuk kemi asnjë bazë shoqërore si një të dhënë (donne) historike. Dhe grada e vitalitetit tonë shoqëror nuk paraqet asnje vlerë sintetike. Të gjitha elementet tanë shoqërore janë dekompozonjës. Karakteri ynë shoqëror, i prishur, i shkallmuar, i korruptuar pa shërim".
"...' Nga të gjitha anët na kanë rrethuar formime kombëtare të forta, popuj me të shkuar, kombe me të ardhme. Ujërat që derdhen nga malet tona kufizore derdhen në një det të huaj. As këtej, as andej, nuk do të na lënë të rrojmë në këto halle. Do të gjejnë mënyrë të na shuajnë nga karta e botës pa na goditur me armë. Kalbësirën e kemi brenda në veten tonë. I ka rrënjët kaq të thella që nuk do t'i gjejmë dot kurrë sado që të gërmojmë. Mbi këto rrënjë qëndrojnë stave shekujt".
"... Që të mundim të kemi një farë shprese suksesi në luftën e jetës, mbetet vetëm një zgjidhje. Ndërhyrja e një fuqie superfizike! Një mrekulli! Miracle! Eugene Lantilhac 1895! Jemi në 1935!..."
Fenomeni shoqëror është një fenomen fizik dhe bile, le ta them kështu, nënfizik. Burimin e ka brenda në jetë, brenda në baltë. Që nga koha që këndoja Renan-in, nuk besoj më as në "mrekullinë greke" legjendare, që për shumë kohë pati një adhurim të verbër në Perëndim. Bota tjetër arriti në epokën e qytetërimit mekanik e teknik dhe ne kërkojmë akoma të ndërtojmë një "Atdhe" këtë ide të parë të vjetëruar të qytetërimit. Me ndërhyrjen dhe hirin e një fuqie superfizike? S'kam besuar kurrë në një absurditet të tillë"...

Një klerik, nga ata që besojnë se Perëndia ndau dynja-në dhe xhenet-in midis të krishterëve dhe muhamedanëve, më thoshte një herë në një bisedim:
- Besimi e humbi fuqinë e vet. Ligësia mbretëron kudo. Që nga koha e dërgimit të njeriut shkuan shumë shekuj me radhë dhe çdo gjë fisnike që kish njeriu u prish dhe humbi në fosat-in e kohës. Kudo në dynja ka plot dinsëzë. Shenja të kijametit. Inati dhe mallkimi i Allahut plasi mbi kokat tona. S'na mbetet gjë tjetër veçse të marrim gratë e djemtë edhe të marrim udhën për në Beladi-mubarekë që të shpëtojmë shpirtërat tanë!..."
Ja dy tipe përfaqësimtare të gjendjes sonë mendore dhe shpirtërore të sotme. Ç'ndryshim ka midis mënyrës shkencore që mendon i riu intelektual, që këndoi vite me radhë në perëndim Renan, Darëin, Marx etj. dhe që di se ç'është Determinizma, edhe mendësisë së varfër të Hoxhës së paditur të një fshati këtu rreth e rrotull, që s'është në gjendje të këndojë asgjë, as edhe librat më të thjeshtë të fesë së tij dhe që mezi mësoi të vijëzojë edhe nënshkrimin e vet?
Unë nuk gjej asnjë ndryshim. Asnjë. Që të dy janë viktima të fatalizmit më të keq. Dy tipe gjiri, të cilët, sado që ecin në udhëra të veçanta dhe shihen me njëri-tjetrin me sy t'egër si armiq, me gjithë këtë, janë miq të ngushtë, shokë, aleatë në mendime dhe në mendësi. Mbase sepse rrjedhin nga një burim dhe rrojnë brenda në kondita shoqërore të një ritmi. Që të dy paralajmërojnë humbjen dhe shkatërrimin. Që të dy vendosin që në krye keq rrojtjen dhe ushqejnë panikun. I pari sepse këndoi shumë shkencë pakuptuar shumë gjëra. I dyti sepse e fali tërë jetën e vet në lutjen te Perëndia pa marrë në dorë asnjë libër, makar dhe fetarë...
Këtu: Nevoja Providenciale e hoxhës ndërroi formë dhe u bë Nevojë Naturale në sytë e shkencëtarit. Një substancë, një konkluzion, një kokë e një mendësi. Errësirë tejpërtej, dëshpërim pa masë, përtim, meskinitet, egoizëm gjer në trup! I pari egoist moral; i dyti egoist material. Fetarin e shtyn premtimi i xhennet-it. Afetarin e shtyn dëshira e mirëqënies. Një sinonim simbolik!
Po! Problemi ose Problematiciteti Shqiptar! Kudo dhe në të gjitha, në çdo hap, në çdo vështrim, cipa e zezë e dëshpërimit. Kur njerëzit, si anëtarë të një Shoqërie, arrijnë në këtë pikë se që të mos mendojnë gjë tjetër veç si të shpëtojë shpirtin njeri edhe si të sigurojë një jetë më të mirë tjetri, pa ndonjë lidhje të brendshme për vendin e tyre, pa ndonjë dozë vetëmohimi, vullneti dhe ideali, ahere kjo shoqëri ndodhet krejt në dekompozim, kjo shoqëri e ka humbur çdo bazë qenieje dhe çdo shpresë jetese, edhe vrapon me çape të shpejta për në buzë të greminës të zhdukjes historike.
Mos jemi të dënuar vallë të shuhemi para se të marim frymën e parë të jetës së lirë?
Jo! Kush mendon kështu, kush e vë që tani në dyshim vitalitetin historik të kombit, mund të jetë njeri i mirë, po është shqiptar i keq. Nuk them se të gjitha punët tona janë të trëndafilta. Po kalojmë ditë kritike. Por ç'bëmë gjer sot që të arrijmë në përfundim se nuk jemi të zotë për asgjë? Ku janë veprat tona që tregojnë gradën e zotësisë sonë për të bërë një "Komb"? Ku janë?.. Më duket se jemi të sëmurë. Të sëmurë jemi nga shpirti e nga mendja. Vetëm një mënyrë shërimi ka: Të zihemi nga Shkenca!
Po! Shkenca! Kjo nuk jep shumë premtime. Po atë që jep, e jep me të vërtetë. Është besnike në fjalët e veta. Ajo vetëm di të shërojë plagët tona mendore. Është arma më e mirë për të luftuar Fatalizmën dhe për të injektuar pak kurajo e shpresë në zemrat tona të thyera...

 
JunaPublikuar: 2010-07-10, 10:04 AM, Shtune| Postimi nr: 4
Lieutenant
Group: Administrators
Postime: 76
Reputacioni: 19
Status: Offline
Komedia e partive

- Faik Konica -

Botuar më 1924

Korrespondenca e mikut t'one të kthiellt, Francesco Argondizza, që "Dielli" boton në numër të sotmë, na heq përsëri vërejtjen mi reziqet që e rethojnë Shqipërinë. Kur popujt dëshërojnë paqe dhe kërkojnë marëveshje e miqësi në mes tyre, aventurierët e politikë nërkombëtare si Mussolini dhe Pashiçi e shkojnë kohën duke bërë plane për të turbulluar qetësin e botës, për të derdhur përsëri gjak, dhe për të shtuar mjerimet që rendojnë si plumb i nxehtë në kurriz e në shpirt të njerëzisë. Nuk është punë aq e lehtë të prishet një Shtet i vendosur, dhe s'duhet të na trembet aqë shumë syri. Atë lakmi çakalle që kanë sot, fqinjtë t’anë e kishin dhe die. Ish më lehtë të prishej die se sa sot Shqipëria; më lehtë në kohë të Konferencës së Parisit, kur Shqipëria nuk ish edhe e njohur si Shtet dhe armiqt’ e saj flisjin si shokë dhe aliatë të nderuar të Fuqive të Mbëdha mundëse, se sa sot që Shqipëria jo vetëm është një Shtet i njohur po mer pjesë dhe në Lidhje të Kombeve. Pastaj, ka sot n'Evropë burra si Radiç-i i Kroatisë dhe Morel-i i Inglisë, fytyra fisnike që përfaqësojnë ndërgjegjjen e njerëzisë dhe zëri i të cilëve, i shtrënguar të heshtë gjer die nga gishtërinjt' e hekurt të despotismave e të censurave të lindura nga lufta, dëgjohen tani anë mb'anë të botës dhe janë të zotët të bashkojnë për veprim gjithë forcat morale të dheut.Jo. Nuk besoj se Shqipëria është në rezik, - të pakën jo dhe për shumë kohë. Po kjo s'do të thotë se jemi të siguruar në çdo rast dhe në çdo mënyrë. Asnjë Shtet nuk është i siguruar plotësisht dhe pa konditë. Nuk është nevojë të kërkojmë shëmbëlla në histori të shkuar, arrin të hedhim një sy në historin’ e sotme, për të kuptuar se Shtetet, si njerëzit, lindin, riten dhe vdesin, - dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet. Në qoftë se anarkia, e cila mbretëron që katër vjet e tëhu në Shqipëri vazhdon dhe ca kohë, ahere optimisma s'ka vent dhe trëmbem se diç do të ngjasë. Le të kemi shpresë se të vetë-qojturve "udhë-heqës" do t'u vijnë menttë dhe punët do të shtrohen. Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria - fjalë fatale - vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj:
U NGJALL NGA IDEALISTËT
U RUAJT NGA RASTET
U VRA NGA POLITIKANËT
Po. S'ka dyshim se politikanët - turma e erët e njerësve që e përdorin politikën jo si një udhë po si një qëllim - kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë. Unë që s'këndoj kurrë gazetat e Shqipërisë (e kam çfaqur arësyen tjatër herë), zura këto javët e fundit t’i këndoj me regull që të kuptoj rrjedhjet politike të vendit, dhe gjer tani nuk arrita të zbuloj gjësendi. Këtu këtje, nonjë artikull i veçuar çfaq te bërësi një ndienjë të problemeve të mbëdha që janë shtruar përpara Shqipërisë; po përgjithësisht s’duket gjëkundi filli i pakëputur i mendimeve të përgjithëshme, po vetëm një bisedim i rëmbyer hollësirash, detajesh.Për shembëll, le të marrim reformën e kodit. Pse duan t'a reformojnë dhe me ç'frymë do t' reformohet? S'meret vesh mirë. A duan t'a shkurtojnë kodin dhe t'i përmbledhin gjithë kanunet në një pakicë faqesh, siç bëri tani shpejt Japoni, gjë për të cilën ky vent u lëvdua nga juristët, se shumësia e kanuneve është një sëmundje dhe një pengim? Po të kishin një ide t'atillë reformatorët t’anë, ahere ja një fill udhëheqës, një mendim i përgjithëshm: arsyeja e reformës do t’ish simplifikimi. - A duan t'i lënë më tepër liri njeriut dhe të shkurtojnë gjer në kufirin më të ngushtë nërhyrjen e Shtetit në punët individuale, dhe jo si në Prusi ku për të ndruar odë duhet të kërkosh leje nga opolicia, sistem skllavërie i kopiuar gjer më një pikë dhe nga Turqia? Ja përsëri një fill udhëheqës: zgjerimi i lirive individuale dhe pakësimi i pengimeve të vëna nga Shteti. - A duan të kenë kanune më elastike, më t' epëshme, dhe jo rigide pa nevojë, - si për shembëll në Skolland ku ka shumë forma martese: përpara një njeriu feje, ose përpara registar-it, ose përpara miqsh të thirur si dëshmonjës në shtëpi, etj., të gjitha forma legale, kurse në Francë ka vetëm një formë legale dhe do s'do je i shtrënguar t'i bindësh asaj forme? Ahere, ha bhë thatër fill udhë-heqës: të reformuarit e kodit për të kallur ane mb'anë një epërsi më të madhe në formalitetet. Munt të vazhdojmë duke dhënë shembëlla të tjera. Këto arrijnë për të treguar se një reformë, që të jetë reformë e dobishme, duhet të ketë një fill udhëheqës, një frymë përmirësonjëse të re. Në këtë reformë të kodit, s'shohim për kundrë veç se një ndryshim. Po çdo ndryshim nuk është doemos një përparim. Dhe po të përmbledhim fjalët e reformonjësve dhe fjalët e kundërshtarëve do të gjejmë këto mendime: Reformonjësit duan t'a reformojnë kodin e sotmë se s'janë mësuar me të, kundërshtarët e mprojnë se janë stërvitur pas tij. As gjë tjatër.Që Shqipëtarët, në çdo çap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendimi i përgjithëshëm; dhe nga ana tjatër, që Shqipëtarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim: - ato janë dy fakte që duhet t'i kenë vënë re gjithë vëzhgonjësit e shvillimeve në të katër vjetët e fundit. Patmë këto ditë një provë tjatër në të "themeluarit" e dy "partive" të "ra". Asnjë nga këto të dy "parti" s'ka nonjë gjë të re brenda, as njerës të rinj as parime të ra: njerëzit jan' ata që i kemi njohur në disa partira të tjera, - parti "'nacionaliste", "popullore", "përparimtare", "liberale" dhe s’di se ç'emëra të tjera me -ore, -are, -ale ose -atre: po kurdohere ''the same old damned thing", një grup njerëzish që nuk i lith as një e shkuar e përbashkm: as dashuria për një ideal të përbashkët, po vetëm ca inate e ca interesa të çastit. E vetëma gjë e re ketu jan' emërat e "partive", emëra që s'kan' asnjë kuptim të caktuar: fjala "demokrat" ësht' aq' elastike, sa ka ngjarë shumë herë të meret për flamur mbulonjës nga reaksionarët më të tërbuar; sa për ¬fjalën "radikal", kjo ësht edhe me elastike, -aq' elastike sa më Sërbi "radikale” ¬një kohë quhej partia rusofile, në Francë "radikale" ka qenë partia që lëftonte lidhjen e Shtetit me Kishën Katholike, n'Ingli "radikale" jan' ata liberalë që anojnë nga partia e punëtorëve, dhe n'Amerikë më në fund fjala "radikal” është një emër i mbuluar për të thënë socialist. Aqë kuptime sa edhe vende. S'munt të mohojmë se në të dy "partitë" që u themeluan ka njerës të mirë; përveç kësaj, sekretarët që të dy partive janë miqatë t'anë, dhe nukë munt të vënë në dyshim kthiellësin' e qëllimeve të tyre. Po dhe njerës të mirë shumë herë bien viktima të rrethit e të rasteve. Themelimi (i cili do të mbetet themelim në kartë vetëm) i të dy partive të ra, nuk është veç se një lodrë fjalësh, - një ndryshim etikete, ndryshim që Shqipëtarët pas zakonit të tyre e kujtojnë përparim. Po a do t' gënjehet Populli? Besoj që jo.Besoj që Populli kur të shohë se gjith' ata njerës që i kanë dalë një mot më parë n'emër të një partie tjatër dhe tre vjet më parë n'emër të një partie tjatër prapë, do të thotë me vete të tij se këta njerës tallen me të, dhe do t’u kthejë kurrizin. Dhe do t' votojë pas mendjes tij, - do t'votojë për njerëzit e "ndershëm", pa vënë re maska, etiketa, dhe emëra. Kemi shvilluar shumë herë në këto shtylla mendimin që një vent nukë munt të qeveriset mire po s'pati dy parti t' organizuara, po parti në kuptimin e vërtetë të fjalës, do me thënë parti që kanë një parim udhëheqës të kthiellt, një program me hollësira të caktuara mirë, me anëtarë besnikë e të patundur, dhe me një kryetar të njohur e të dëgjuar. Që të gjitha këto mungojnë në Shqipëri. Dhe kur na çfaqen dy parti pa kokë, pa trup, dhe veçan pa frymë, besojmë se nuk do t'gënjehet njeri me etiketa, - etiketa që janë dhe fallse, se etiketa e vërtetë e që të dy partive në fjalë duhej t'ish "konservative e matur"; që t’i çquajme duke marë hua një fjalë nga jargoni i parlamentit të Francës, njëra munt të quhet "parti centre-gauche" dhe tjatëra "parti centredroit': S'shohim, ¬gjë tjatër n'ato "partira".Po pse te humbasim kohën? Populli u ngop me gënjeshtra. Ka humbur besimin në politikanët. Dhe Populli s'ka aspakë faj, se politikanët më të vërtet s'meritojnë aspakë besim. Aherë ç'do të dalë nga zgjedhjet? Hiç gjësendi. Populli shqipëtar - si popujt e tjerë të Ballkanit, si Grekët për shembëll që një-qint vjet me radhë s'kanë patur veç se partira personash, "Trikupiste" dhe "Delijaniste", "Venizeliste" dhe "Kostandiniste" - do t' grupohet pas personave. Populli Shqipëtar do t'votojë për njerëzit "më të ndershëm", dhe Perëndia e di se ç'farë njerës jan' ata që Populli i gjykon të ndershëm. Përpara një kauzi ballkanik si ky, është më kot të thajmë gurmazin duke predikuar në shkretëtirë. Besojmë se detyra e vatrës është paskëtaj të rij' e paanëshme, duke stërvitur Popullin për një të nesërme më të kthiellt dhe duke përkrahur, çdo guvernë që të japë ca garantira të paka ndërgjegjjeje dhe pune, pa kërkuar nga ky brez i korruptuar gjëra të pamundura.

 
JunaPublikuar: 2010-07-10, 10:07 AM, Shtune| Postimi nr: 5
Lieutenant
Group: Administrators
Postime: 76
Reputacioni: 19
Status: Offline
Abuzime dhe Skandale

- Petro Marko -

Po shyqyr Zotit lere që s’kam asnjë dhjetësh borxh, por kam dërguar në shtëpi brenda një viti afro njëmijë franga. Kam bërë tri palë rroba. Kam bërë këtë, kam bërë atë. E po të marr edhe rrogat, do të ngreh edhe një palë shtëpi mu mbi një bregore”. E dëgjuat? Ç’ka bërë ky? Abuzime apo skandale? Kuptonie vetë. Kur dëgjoni që një deputet brenda shumë vjetëve s’ka folur asnjë fjalë në parlament, ky s’ka bërë as abuzime në detyrë, as skandale në fjalor. Vetëm s’ka abuzuar gjumin. Por kur një tjetër ka ngritur njëmijë herë dorën duke thirrur vetëm "Po!", atëherë ky ka abuzuar, se për të s’ka lindur akoma fjala : Jo!”
Kur dëgjoni që një... shpërdoron mbi tabelat, pasaportat, dhe nuk hidhet në gjyq, atëherë ky s’ka bërë asnjë abuzim.
Po kur dëgjoni se disa, si mehmurë biçimi, si në kohërat e vjetra, mbledhin natën nëpër dhoma vajza të bukura dhe të varfëra, me qëllim që t’i mësojnë me ushtrime fjalët “abuzime” dhe “skandale”, këto s’janë gjë tjetër veçse skandale mbi skandale. Dhe kur t’i këndojnë këto rreshta, ata që u ha koka do të bërtasin me zemërim: "Këto maskarallëke të gazetarëve janë me të vërtet skandale" .

 
JunaPublikuar: 2010-07-10, 10:10 AM, Shtune| Postimi nr: 6
Lieutenant
Group: Administrators
Postime: 76
Reputacioni: 19
Status: Offline
Pushoni, per emrin e Zotit!

- Gjergj Bubani -

Botuar me 1921

Dhe në vend që të mblidhemi të gjithë tok dhe si një trup të bashkojmë punërat dhe mendimet tona për të mirën dhe për përparimin e Saj, në vend që të punojmë secilido prej nesh me zemërkthjellësi dhe me ballën lart për Atë dhe të mirën e Saj, duke mbytur çdo sentiment egoistik, që për fat të keq e kemi në natyrën tonë si shqipëtarë, ne, përkundrazi, vumë tërë fuqinë e mendimit dhe të energjisë sonë për të rrëmyer njëri varrin e tjetrit, për të përmbushur tërë inatet dhe egoizmat tona personale, duke shpifur, duke kundërshtuar, duke sharë, duke goditur, duke shojtur adversarët tanë personalë, për të mirën e egoizmit tonë personal dhe kundër Atdheut tonë, kundër Shqipërisë. Dhe tërë këto i bëjmë sheshazi pa asnjë trup dhe shumë herë në emrin e atdheut!
I mjeri atdhe!
Tani e kuptoi ai se tërë flaga e enthuziazmës sonë s'ish gjë tjetër veçse një pamje e rremë e dëshirave tona personale. Tani e kupton ai se jemi patriotë të flaktë vetëm sa kohë shpresojmë në një shpërblim për patriotizmin tonë. Tani e kupton ai se nëpër zemrat tona është rrënjosur më thellë dashuria për interesin tonë vetjak, sesa ajo e interesit të Tij. Tani e kuptoi ai se, posa që na ciket interesi ynë vetjak, humbet ndër ne çdo sentiment atdhetarizmi dhe zëmë godasim, shajmë, shpifim, rrëmijmë varret e patriotëve të tjerë, duke shpresuar se me varimin e me çnderimin e tyre do të rilindet triumfi i egoizmës dhe i interesit tonë vetjak dhe pa u menduar se ç'nderimi dhe shojtja e tyre ekuivalon me shojtjen dhe çnderimin pjesor të Shqipërisë.
U mësuam si Qeveri të punojmë kundër opizicies: si opozicie tymos kemi tjetër qëllim veçse rrëzimin e Qeverisë dhe hipjen në kryen e Shtetit: si prefektër, të punojmë me hatër dhe, si adversarë të prefektëve, të sosim tërë energjinë tonë kundër atyre. U mësuam të punojmë në emrin e atdhetarizmit, kundër Atdheut, pa asnjë turp.
Se interesi i Shqipërisë sot është të jemi që të gjithë të bashkuar nën një qëllim: Përparimi i Shtetit tonë.
Dhe, kur të arrijë në radhën e shteteve të tjera të qytetëruara dhe të përparuara, atëherë le të pyesim dhe Egon tonë dhe le të ndahemi në partira, po jo në çeta pa asnjë program.
Jemi aq të paktë dhe aq të dobët në mësim, sa vetëm të bashkuar që të gjithë do të mundim t'i sjellim dobi Atdheut, i cili sot më tepër se kurdoherë ka nevojë për bashkimin tonë.
Për emrin e Zotit!
Pushoni grindjet, inatet, shpifjet në mes tuaj dhe afrojuni t'i japim me zemër të kthjellët dorën njëri-tjetrit, për shpëtimin e Shqipërisë. Afrojuni të bashkohemi dhe të punojmë të gjithë tok si një rreth i çelniktë, me një qëllim të përbashkët.
Le të bashkohemi dhe le të mbytim secilido egoizmën e vetes së tij. Kjo është m'e madhja theori që na kërkon Atdheu tonë. Le të harrojmë dhe le të shuajmë ambicionet dhe inatet tona vetjake. Vetëm kështu do të mundim t'i shërbejmë me dobi Atdheut.
Ata që janë jashtë Qeverisë, le t'u japin tërë konkursin e tyre të sinqertë qeveritarëve. Në vend të shajnë dhe të shpifin, në vend t'i madhësojnë veprat e liga dhe t'i vogëlsojnë veprat mira të qeveritarëve, në vend të kritikojnë me hatër, do të bëjnë më mirë t'u tregojnë udhën e mirë, t'i këshillojnë vëllazërisht dhe ngadonjëherë dhe të ndjejnë lajthimet e tyre. Dhe vetëm atëherë kur prova të gjalla na thonë se një prej tyre punon kundër idealit ose kundër interesit të përgjithshëm, atëherë le t'i biem kokës, atëherë le ta shfarosim.
Ata që mbajnë fuqinë në dorë, le të kuptojnë se vetëm duke pasur konkursin e shumicës do të mundin të punojnë. Dhe për t'u dhënë konkursin dhe besimin, shumica u kërkon të zhvishen prej rrobës së egoizmit dhe të ambicies, u kërkon të lënë mënjanë aksiomën e famshme "ashtu dua unë" dhe të dëgjojnë herë-herë zërin e opinionit publik. Deputetët tanë le të pushojnë së ëndërruari ministre dhe madhërira dhe, në vend që ta vrasin mendjen e tyre për intriga me qëllime vetjake, le të mendohen më mirë se në tërë këto kohë asgjë s'na treguan dhe asnjë përmirësim s'vepruan. Ata që s'janë të zotërit për tjetër gjë, veçse për intriga, le të japin dorëheqjen. Është shërbimi m'i madh që i mundin t'i sjellin Atdheut.
Për emrin e Zotit!
Pushoni një herë! Sprasuni prej udhës që keni marrë dhe e cila po na shpie në katastrofë. Bashkohuni, se "Fuqia në bashkim" gjendet.

 
Forum » Forumi Shkencor » Gjuha shqipe » Menyra e te shkruarit te disa personaliteteve shqiptare.
  • Page 1 of 1
  • 1
Search:

Identifikohu

Naviguesi i Faqes

Postimet e fundit
  • Legjenda (1)
  • Biologjia molekulare. (0)
  • Eva Sotiri - Poezi (1)
  • Gjë e gjëza (1)
  • Historia Shqiptare (11)
  • DROGAT (1)
  • Morthi i kembeve (0)
  • Stina e nxehtë,kujdesi ndaj sëmundjeve që sjell kequshqyerja (0)
  • Pjetër Bogdani ( 1625 - 1689 ) (2)
  • Federiko Garsia LORKA (3)

  • Sondazh
    Cilin e mendoni si favoritin aktual për të fituar Botërorin 2010?
    Totali i përgjigjjeve: 34

    Foto Albumi

    Top Poster
  • admin
  • Juna
  • Ghost
  • Alesio
  • qokuenver
  • muskollaridenis
  • Hipnotizuesssi
  • Stela
  • Kristina
  • jamjamune


  • Kërko

    Shqiperia Etnike ne Fb
  • Shqiperia Etnike


  • News
    [2010-06-23]
    PE shtyn votimin për Shqipërinë (0)
    [2010-06-24]
    Europarlamentaret: Vizat, pse refuzuam kushtezimin (0)
    [2010-06-24]
    Spanjë, Jose Mourinho prezantohet zyrtarisht si trajner i ri Real Madridit (0)
    [2010-06-26]
    Capello: Nuk jam i çmendur, Anglia mund të fitoj KB (0)
    [2010-06-26]
    Shqiptaret mbeten me te varferit ne Evrope (0)
    [2010-06-27]
    Google po skanon një milion libra nga bibliotekat e Romës dhe Firences (0)
    [2010-06-28]
    Kriza, “Guardian”: Greqia nxjerr në shitje ishujt (0)
    [2010-06-29]
    Empire Total War MULTi8-PROPHET (0)
    [2010-06-29]
    Grand Theft Auto 4 (official version) (0)
    [2010-06-30]
    Korrupsioni, zbardhen emrat e pedagogëve të arrestuar në Kamëz (0)

     
    Copyright Shqiperia Etnike © 2024