Merkure, 2024-04-17, 0:02 AM
Shqiperia Etnike
Main Registration Login
Welcome Guest
Postime te reja · Antaret · Rregullorja · Kerko · RSS
  • Page 1 of 1
  • 1
Forum » Forumi Shkencor » Historia » Historia Shqiptare
Historia Shqiptare
adminPublikuar: 2010-08-01, 10:13 AM, Diele| Postimi nr: 1
Major
Group: Administrators
Postime: 99
Reputacioni: 14
Status: Offline
 
adminPublikuar: 2010-08-01, 10:16 AM, Diele| Postimi nr: 2
Major
Group: Administrators
Postime: 99
Reputacioni: 14
Status: Offline
K R E U I

LINDJA DHE FORMIMI I BASHKËSISË PRIMITIVE

1. SHFAQJA E SHOQËRISË NJERËZORE. PALEOLITI

Gjurmët më të hershme të jetës njerëzore
Historia e shoqërisë njerëzore fillon që në kohën kur nga kopeja e majmunëve antropoidë u formuan grupet e para të njerëzve primigjenë. Kjo ndarje e njeriut nga bota e kafshëve u krye nëpërmjet një procesi shumë të gjatë, të ndërlikuar dhe të papërsëritshëm.
Periudha më e hershme e zhvillimit të kësaj shoqërie primitive njihet arkeologjikisht me emrin e paleolitit (nga greqishtja palaios - i vjetër, lithos - gur) dhe përfshin periudhën afërsisht nga 1 500 000 deri në 10 000 vjet më parë. Kjo epokë ndahet nga ana e saj në paleolit të ulët, të mesëm dhe të lartë.
Në vendin tonë nuk janë zbuluar mbeturina kulturore nga paleoliti i ulët, që zë një pjesë të madhe të epokës së pleistocenit e vjen deri në kohën e vërshimit të akullnajave Riss.
Gjurmët më të hershme të qenies së njeriut në territorin e Shqipërisë shfaqen në periudhën musteriane, që i përket paleolitit të mesëm (100 000-30 000 vjet më parë). Këto përfaqësohen nga vegla prej stralli të punuara mirë, me forma tipike musteriane, të cilat i kanë shërbyer njeriut primitiv për procese të ndryshme pune që lidheshin drejtpërdrejt me sigurimin e ushqimit të tij të përditshëm. Të tilla vegla, si prefëse, kruese, gërryese, etj., janë gjetur, deri më sot, në stacionin prehistorik të Xarës në rrethin e Sarandës, në stacionin e Kryegjatës, në afërsi të Apolonisë (Fier) dhe në stacionin e Gajtanit në rrethin e Shkodrës. Nga format dhe përmasat e tyre të vogla këto vegla ngjasojnë mjaft me veglat e strallit të zbuluara në depozitimet musteriane të krahinave fqinje të Greqisë Veriore, të Thesalisë, të Malit të Zi etj.
Tipi fizik i njeriut në këtë kohë ishte ai i neandertalit . Në procesin e antropogjenezës ky tip paraqet një hallkë më të zhvilluar në krahasim me pitekantropin e paleolitit të ulët.
Dyndja nga veriu në jug e akullimit të periudhës gjeologjike Riss bëri që edhe në vendin tonë klima të pësojë ndryshime të mëdha. Në malet e larta të Shqipërisë u formuan akuj të përhershëm, që zbritën deri në lartësinë 1 000 m mbi nivelin e detit. Si pasojë e këtyre ndryshimeve klimatike ndryshoi dhe fauna e flora e vendit. Nga kafshët e vjetra qëndruan vetëm ato që mundën ta përballonin të ftohtit. Krahas tyre u shfaqën dhe kafshët karakteristike vetëm për kushtet e klimës së ftohtë. Të tilla ishin mamuthi, rinoceronti leshtor, bizoni, dreri i veriut, ariu i shpellës, hiena e shpellës, dhia e egër etj.
Të ftohtët ndikoi edhe në mënyrën e jetesës. Në luftën për të përballuar vështirësitë klimatike dhe për të mbijetuar, njeriu i kësaj kohe bëri hapa të rëndësishëm drejt përparimit; u strehua në shpella pasi triumfoi në luftën për jetë a vdekje me kafshët e egra që i kishin zënë që më përpara këto vend-strehime natyrore. U vesh duke shfrytëzuar lëkurët e kafshëve, mësoi të ndezë vetë zjarrin, të cilin e përdori me sukses kundër të ftohtit dhe bishave të egra, por sidomos për të përmirësuar strukturën e ushqimit, duke përdorur gjerësisht mishin e pjekur, i cili luajti një rol të madh në përmirësimin e mëtejshëm biologjik të tij. Zjarri qe një arritje shumë e rëndësishme për kohën, sepse i dha njeriut për të parën herë zotërimin mbi një fuqi të caktuar të natyrës, që e ndau atë përfundimisht nga bota e kafshëve.
Banorët e paleolitit të mesëm jetonin me prodhimet, që i gjenin të gatshme në natyrë dhe sidomos me gjueti, e cila përbënte edhe drejtimin kryesor të veprimtarisë së neandertalasve. Me mbledhjen e frutave dhe të zhardhokëve, me ruajtjen e zjarrit, me rritjen e fëmijëve, me përgatitjen e lëkurës për veshje, etj., merrej gruaja, ndërsa burri dilte për gjah ose merrej me përgatitjen e veglave të punës dhe të armëve. Gjuetia e kafshëve të mëdha, në kushtet e nivelit të atëhershëm, primitiv të veglave të punës, mund të bëhej vetëm në mënyrë kolektive. Në këto rrethana ajo ndihmoi shumë në forcimin e lidhjeve të brendshme midis anëtarëve të grupeve dhe së bashku me krijimin e lidhjeve të gjakut shpuri në organizimin e bashkësisë primitive.

Lindja e gjinisë matriarkale

Paleoliti i lartë është përfaqësuar shumë më gjerë. Vegla pune të kësaj periudhe janë zbuluar me shumicë në sipërfaqen e stacionit të Xarës (Xara II), në shpellën e Shën Marinës në Bogas të Sarandës, në shpellën e Konispolit, në Kryegjatë, në Rrëzë të Dajtit dhe në Gajtanin III, pra në një rreze të tillë që nënkupton shtrirjen e vendbanimeve të kësaj kohe në pjesën më të madhe të territorit të Shqipërisë. Këto materiale përbëhen kryesisht nga vegla stralli të tipit aurinjacien, të një përvoje më të përparuar teknike dhe me forma më të larmishme, kryesisht thika, kruese dhe gërryese. Së bashku me veglat prej stralli në depozitën rrëzë Dajtit janë gjetur edhe disa vegla prej kocke, të cilat në këtë kohë marrin një përdorim të gjerë krahas përsosjes së mëtejshme të punimit të strallit. Në shtresën paleolitike të shpellës së Shën Marinës përveç veglave të punës janë gjetur dhe gjurmë zjarri, si dhe fosile kafshësh të pleistocenit të vonë (capra ibex - dhi e egër), që tregojnë për një faunë të ngjashme me atë të paleolitit të mesëm, gjë që është dhe e kuptueshme, pasi klima dhe në këtë kohë vazhdoi të ishte e ftohtë dhe e lagësht si më parë.
Përparësi kanë të dhënat që janë zbuluar në shtresën më të hershme të shpellës së Konispolit I, të datuar 26 370 vjet më parë, si një seri veglash pune të përgatitura nga gur-stralli i bardhë me retush të varfër, kocka kafshësh të egra si edhe farë rrushi të egër dhe thjerrëza të karbonizuara, të cilat janë tipike për Mesdheun Lindor paraneolitik.
Gjuetia e kafshëve të egra vazhdon edhe në këtë etapë të fundit të zhvillimit paleolitik të vendit tonë, të jetë mjeti kryesor i sigurimit të ushqimit. Madje në këtë kohë përsosen dhe më tepër armët e gjuetisë si dhe format e saj. Mbledhja e prodhimeve të gatshme, gjithashtu, mbetet një nga mënyrat e sigurimit të ushqimit të përditshëm.
Gjatë kësaj epoke përfundon procesi i gjatë dhe i ndërlikuar i antropogjenezës. Nga neandertali, me tipare ende shtazore, kalohet tani në tipin e njeriut të sotëm - homo sapiens.
Si rrjedhim i përsosjes së veglave të punës prej stralli e kocke u rrit ndjeshëm mundësia e sigurimit më me shumicë të produkteve ushqimore, gjë që solli ndryshime dhe në organizimin e bashkësisë primitive.
Formohen tani grupe të qëndrueshme njerëzish të bashkuar jo vetëm nga forma e përbashkët e prodhimit, por edhe nga lidhjet e gjakut dhe nga origjina e tyre e përbashkët. Gradualisht kalohet në bërthamën e parë të organizimit shoqëror, në gjininë matriarkale. Ishte matriarkale, pasi gruaja luante rol të dorës së parë në ekonomi dhe në jetën shoqërore të kësaj bashkësie gjinore. Forma kryesore e familjes në këtë gjini ishte martesa me grupe, prej së cilës origjina e fëmijëve përcaktohej vetëm nëpërmjet nënës.
Në epokën e mezolitit (guri i mesëm) 10 000 - 7 000 vjet p.e.re ndodhën ndryshime të mëdha në florën dhe në faunën e kontinentit, rrjedhimisht edhe në territorin e Ballkanit. U zhdukën të gjitha kafshët tipike të pleistocenit, si mamuthi, rinoceronti etj., kurse një pjesë e kafshëve që vazhduan të jetonin ndryshuan përhapjen gjeografike. Në kushtet e reja gjeo-klimatike, njeriu i mezolitit filloi të kalojë nga ekonomia që mbështetej në gjuetinë e mbledhjen e produkteve të gatshme, në fillimet e bujqësisë e të blegtorisë primitive.
Epoka e mezolitit dallohet nga ajo e paleolitit edhe prej veglave të punës, të cilat janë bërë nga ashkla stralli shumë të vogla me forma të rregullta gjeometrike, si trekëndësha, trapezoidale, në formë segmenti etj., me përmasa të vogla 4-6 cm, ndaj quhen mikrolite.
Në territorin e Shqipërisë vendbanime mezolitike janë zbuluar në shpellën e Konispolit (Konispol II) dhe në Kryegjatë. Në të dyja këto vendbanime veglat prej stralli janë të cilësisë shumë të mirë, kanë forma tipike mezolitike, me retush të imët të cilësisë së lartë. Në Konispol ato janë datuar saktësisht në vitet 8500 p.e.sonë (në bazë të C14).
Me epokën mezolitike lidhet pjesërisht edhe vendbanimi i Vlushës (rrethi i Skraparit), ku janë zbuluar vegla stralli tipike mezolitike. Këto vegla janë gjetur së bashku me fragmente enësh shumë primitive, fakt që e daton Vlushën në fillimet e epokës neolitike. Sidoqoftë, ato i takojnë një kulture me tradita të forta mezolitike, dhe Vlusha përfaqëson një kulturë që vë në lidhje të drejtpërdrejtë epokën e mezolitit me fillimet e epokës së neolitit. Të marra së bashku, Konispoli II, Kryegjata dhe Vlusha, përbëjnë një dëshmi të rëndësishme për formimin e kulturës neolitike në territorin e Shqipërisë.

2. N E O L I T I

Vendbanimet neolitike

Neoliti (nga greq. neos - i ri dhe lithos - gur) përfaqëson etapën e fundit dhe njëkohësisht më të zhvilluarën të epokës së gurit. Ai përfshin një kohë që fillon nga mijëvjeçari i shtatë dhe mbaron nga fundi i mijëvjeçarit të katërt p.e.sonë. Arkeologjikisht neoliti ndahet në tri periudha të mëdha: e hershme, e mesme dhe e vonë. Në këtë të fundit përfshihet dhe periudha e bakrit ose eneoliti (nga bashkimi i fjalës lat. eneos - bakër dhe greq. lithos - gur), që përbën etapën e fundit dhe kalimtare për epokën e bronzit.
Në këta tridhjetë vjetët e fundit janë zbuluar e gërmuar një numër i madh vendbanimesh neolitike me shtrirje gati në tërë territorin e Shqipërisë, si në Maliq, në Cakran, në Vashtëmi, në Burimas, në Podgorie, në Barç e në Dërsnik të rrethit të Korçës, në Kamnik të Kolonjës, në Blaz e Nezir të Matit, në Cakran të Fierit, në Burim, në Gradec e në Cetush të Dibrës, në Kolsh të Kukësit, në Rajcë e në Rashtan të Librazhdit e nga gjetje të rastit në pika të tjera. Më mirë është njohur e studiuar pellgu i Korçës, i cili gjatë epokës prehistorike ka pasur kushte shumë të mira gjeoklimatike. Ai paraqet sot zonën më të pasur e më të zhvilluar kulturore të neolitit si edhe pellgun ku mund të ndiqet pa ndërprerje zhvillimi i kulturës neolitike në gjithë shtrirjen e tij kohore. Materialet e gjetura në këto qendra prehistorike, krahas atyre të dala në dritë shumë kohë më parë si në Velçë të Vlorës ose rastësisht në rrethet e tjera të vendit, kanë dhënë mundësi që të njihen aspekte të ndryshme të jetës ekonomike, shoqërore dhe kulturore të banorëve neolitikë të territorit tonë, ndërsa përhapja e gjerë e këtyre vendbanimeve dhe e gjetjeve rastësore neolitike ka treguar se ky territor gjatë kësaj epoke ka qenë i banuar dendur dhe pa ndërprerje.
Jeta në vendin tonë gjatë neolitit u zhvillua në kushte shumë të përshtatshme natyrore. Klima e ftohtë dhe e lagësht e paleolitit, e cila kishte filluar që në mezolit t’i lëshonte vendin një klime më të butë, tani merr pak a shumë karakterin e klimës së sotme. Si rrjedhim edhe flora e fauna thuajse nuk ndryshojnë prej asaj të ditëve tona.
Këto rrethana të favorshme natyrore ndihmuan që vendi ynë gjatë neolitit të arrijë në një nivel të lartë zhvillimi ekonomik dhe kulturor për atë kohë. Njeriu nga skllav i natyrës, siç ishte në paleolit, shndërrohet tani, pak e nga pak, në zotërues i saj. Në këtë kohë lindin e zhvillohen forma të ndryshme të veprimtarisë prodhuese të njeriut, të cilat me plot të drejtë mund të merren si zanafilla e degëve të veçanta të ekonomisë dhe të përparimit teknik e kulturor të shoqërisë së sotme. Të tilla janë bujqësia e blegtoria, prodhimi i qeramikës, tjerrja dhe endja, teknika e ndërtimit të banesave etj. Përsoset në këtë kohë edhe teknika e punimit të veglave prej kocke dhe prej guri. Hyn në përdorim të gjerë dhe bëhet karakteristike për epokën dhe teknika e lëmimit të gurit. Nga fundi i neolitit (eneolit), për të parën herë dalin dhe veglat e objektet prej bakri, të cilat shënojnë dhe fillimet e metalurgjisë në vendin tonë.
Në këto periudha të largëta të prehistorisë, vendbanimet i ndeshim zakonisht nëpër tarraca lumore, pranë burimeve ose në vende me toka pjellore dhe të pasura me pyje që strehonin shumë kafshë të egra. Por krahas këtyre, vazhdonin të shërbenin si vendbanim edhe shpellat (shpella e Velçës, e Trenit, e Konispolit, e Blazit etj.). Banesat paraqiten dy llojesh: në formë gropash nëndhese (Cakran) dhe të tilla të ndërtuara drejt mbi tokë (Maliq, Kamnik, Kolsh etj.). Zakonisht këto kishin planimetri drejtkëndëshe dhe ishin një ose dy dhomëshe. Muret e tyre thureshin me thupra ose me kallama dhe lyheshin pastaj me baltë në njërën ose në të dy faqet e tyre. Dyshemetë ishin gjithashtu prej balte; në disa raste ato vendoseshin mbi shtroje trarësh për të izoluar lagështirën. Në Dunavec dhe në Maliq të Korçës janë zbuluar banime të ngritura mbi hunj (palafite). Mbi hunjtë vertikalë qëndronte një platformë prej trarësh të vendosur horizontalisht e mbi të ngriheshin banesat (kasollet) të shtruara me baltë. Palafiti i Maliqit ka qenë i rrethuar me një gardh që e mbronte nga vërshimi i ujit apo nga rreziqe të tjera.

Ekonomia. Lulëzimi i gjinisë matriarkale

Nga materialet e zbuluara në vendbanimet neolitike të vendit tonë del se bujqësia përbënte një nga format kryesore të prodhimit dhe sidomos tek ato bashkësi primitive që banonin në toka pjellore, si p.sh. në pellgun e Korçës, në fushën e Cakranit (Fier) etj. Toka punohej cekët me shat prej guri ose briri dreri. Kjo ishte forma më primitive e punimit të tokës. Në këtë kohë mbillej gruri si dhe llojet e tjera të drithërave. Këtë e tregojnë farërat e karbonizuara të zbuluara në shtresat neolitike të Podgories, të Konispolit, të Maliqit apo në muret e banesave të lyera me baltë të përzier me byk drithërash, siç i gjejmë në vendbanimet më të hershme neolitike (Vashtëmi, Kolsh etj.).
Në depozitimet neolitike të vendit tonë, përzier me mbeturina të ndryshme të kulturës, janë zbuluar me shumicë dhe kocka bagëtish të imëta dhe të trasha, që tregojnë se krahas bujqësisë banorët neolitikë merreshin edhe me blegtori. Prej bagëtive ata siguronin qumështin, mishin, leshin, lëkurën etj. Një pjesë të këtyre produkteve ata i siguronin dhe nëpërmjet gjuetisë së kafshëve të egra, kockat dhe brirët e të cilave i ndeshim gjithashtu në qendrat e banuara të kësaj kohe. Dreri ishte një nga kafshët e egra më të parapëlqyera të gjahut, i cili përveç mishit dhe lëkurës, u siguronte bujqve primitivë edhe brirët me të cilët bënin vegla të ndryshme bujqësore, si shetër, çekanë etj., dhe që i gjejmë të përfaqësuar mirë sidomos në vendbanimin e Dunavecit e të Maliqit. Po këtu janë zbuluar edhe shumë pesha rrjetash, gropa etj., që dëshmojnë se një formë tjetër e sigurimit të ushqimit të banorëve neolitikë të Dunavecit e të Maliqit ishte dhe peshkimi.
Banorët neolitikë të vendit tonë dinin gjithashtu të tirrnin fijen dhe të endnin prej saj rroba me anë të vegjës primitive vertikale. Këtë e tregojnë rrotullat e boshtit dhe peshat për tërheqjen e fijes në vegjë, të zbuluara në Maliq e gjetkë.
Që në etapën më të hershme të neolitit shfaqen dhe enët prej balte të pjekur, që përbëjnë si kudo gjetjet më të shumta e më të rëndësishme në vendbanimet e kësaj kohe. Prodhimi primitiv i tyre ashtu si edhe ai i tekstilit dhe i prodhimeve bujqësore, ishte i lidhur me punën e gruas. Çdo bashkësi neolitike i përgatiste vetë enët sipas nevojave të saj. Ato punoheshin me dorë në forma e madhësi të ndryshme, me faqe të trasha ose të holla, me ose pa zbukurime sipas qëllimit të tyre praktik.
Zhvillimi i madh, për atë kohë, i prodhimit, i cili gjeti shprehjen e vet në shtimin e llojeve të veglave të punës dhe në përmirësimin teknik të punimit të tyre, në zhvillimin e formave të tilla të ekonomisë, siç ishin bujqësia dhe blegtoria etj., solli ndryshime dhe në organizimin shoqëror, që u pasqyrua në përmirësimin e mëtejshëm të strukturës gjinore. Gjinia matriarkale e lindur që në paleolitin e lartë dhe e zhvilluar dalëngadalë gjatë mezolitit arrin tani fazën e lulëzimit të saj. Në fushën ekonomike kjo fazë e zhvillimit gjinor ishte e lidhur kryesisht me zhvillimin e bujqësisë primitive, e cila duke qenë punë e gruas, i jepte asaj një vend me rëndësi në prodhimin shoqëror. Paraqitja e saj me figurat e shumta prej balte, dëshmon se ajo kishte një pozitë parësore në gjini. Martesa me grupe, karakteristike për periudhën e hershme të matriarkatit, zëvendësohet tani në periudhën e lulëzimit të saj me një formë të re më të përsosur, me martesën me çifte.
Gjatë gjithë kohës së neolitit, gjinia mbetet e vetmja njësi shoqërore dhe ekonomike në bashkësinë primitive. Në këtë gjini kishte jo vetëm bashkësi familjesh me çifte, por edhe një organizim pune dhe konsumi kolektiv. Puna e përbashkët i shpinte njerëzit në pronën e përbashkët mbi mjetet e prodhimit dhe mbi produktet e prodhimit.
Ndërmjet gjinive, që jetonin në afërsi të njëra-tjetrës, u vendosën gjatë kësaj periudhe marrëdhënie të tilla ekonomike e shoqërore që shpunë në formimin e bashkësive fisnore. Midis këtyre njësive të mëdha fisnore fqinje ose më të largëta, ekzistonin marrëdhënie këmbimi. Në vendbanimet tona neolitike janë ndeshur sende të sjella nga krahina të largëta, siç janë p.sh., importet e poçerisë diminiane të Thesalisë në depozitimet e vendbanimit të Cakranit apo të Kamnikut etj.

 
adminPublikuar: 2010-08-01, 10:17 AM, Diele| Postimi nr: 3
Major
Group: Administrators
Postime: 99
Reputacioni: 14
Status: Offline
Arti dhe botëkuptimi

Arti i bujqve dhe i blegtorëve neolitikë priret drejt formave dekorative gjeometrike dhe figurative skematike.
Arti dekorativ neolitik shfaqet me tërë përmbajtjen e tij sidomos në prodhimet e poçerisë, ku shumë nga format e enëve me harmoninë dhe me elegancën e trupit të tyre i tejkalojnë kërkesat e ngushta utilitare dhe hyjnë në fushën e realizimeve artistike.
Në tërë kulturat neolitike të vendit tonë qeramika paraqitet e zbukuruar me ornamente të shumta të realizuara me teknika të ndryshme (pikturim, gërvishtje, ngulitje, inkrustim, etj.) dhe trajtime të veçanta stilistike, sipas fazave të zhvillimit përparues të saj. Motivet e zbukurimit përbëhen nga vija të drejta ose të përkulura me kombinime nga më të ndryshmet, si dhe nga figura gjeometrike: trekëndësha e rombe me fushë të zbrazët ose të vizatuar, nga rrathë, spirale, meandra, etj. Këto motive, përveç zhvillimit të thjeshtë për të zbukuruar enët, kanë shërbyer, në mjaft raste, edhe si simbole grafike për të paraqitur ambientin, sendet apo fuqitë e natyrës sipas botëkuptimit magjik të njerëzve neolitikë.
Arti figurativ i kësaj kohe përfaqësohet kryesisht nga figurat antropomorfe apo zoomorfe prej balte të pjekur, të cilat kryesisht janë të vogla. Tipari më karakteristik i tyre është skematizimi i formës, nganjëherë jashtë masës, ashtu sikurse është në artin dekorativ të qeramikës gjeometrizimi i theksuar i ornamentit. Këto figura qeniesh paraqiten në formë cilindrike, plaçke apo steatopigjike (vithegjera), në këmbë ose ulur. Një pjesë e tyre janë të ngjashme me tipat përkatës të Azisë së Përparme dhe të Mesdheut Lindor, gjë që tregon për lidhje e ndikime kulturore të drejtpërdrejta të kulturave neolitike të vendit tonë me ato të këtij areali.
Këto prodhime plastike, shpesh me vlera artistike, personifikonin, nga ana tjetër, ato fuqi të panjohura, të cilat sipas bujqve dhe blegtorëve primitivë, kishin në dorë pjellorinë e tokës dhe mbarështimin e kafshëve. Kështu, figurat e grave, të cilat mbizotërojnë në plastikën antropomorfe neolitike, janë të lidhura me kultin e pjellorisë së tokës-nënë, ndërsa ato që riprodhojnë figura zoomorfe - me kultin e kafshëve shtëpiake, që luanin, ashtu sikurse dhe bujqësia, një rol të rëndësishëm në ekonominë e bashkësisë neolitike. Me kultin e tokës-nënë dhe të kafshëve lidhen edhe vazot antropomorfe e zoomorfe të zbuluara në vendbanimet neolitike të Maliqit, të Dunavecit etj.
Botëkuptimi i banorëve neolitikë është shprehur edhe në kultin e varrimit. Varrosja e të vdekurve bëhej pranë ose brenda territorit të vendbanimit. Varret nuk kishin ndonjë ndërtim të veçantë; kufoma vendosej në një gropë të cekët në pozicion fjetjeje dhe këmbë të mbledhura pa takëm funeral. Riti i varrimit brenda territorit të banuar ose brenda banesës ishte i lidhur me një zakon shumë të përhapur në atë kohë në Ballkan dhe në përgjithësi në rajonin e gjerë të Mesdheut. Siç duket, ai kishte karakter flijimi dhe u kushtohej fuqive që mbronin vendbanimin.

Grupet etno-kulturore neolitike

Numri i konsiderueshëm i vendbanimeve neolitike të zbuluara në tërë territorin e Shqipërisë si edhe përkatësia kohore e tyre nga neoliti i hershëm në neolitin e mesëm, të vonë, duke përfshirë dhe epokën e bakrit, e bëjnë të mundur të veçojmë disa grupe kulturore dhe ta ndjekim zhvillimin e kulturës pa ndërprerje nga fillimet e mijëvjeçarit të shtatë e deri në fund të mijëvjeçarit të katërt p.e.sonë.
Neoliti i hershëm, përfaqësohet nga Vlushi, Podgoria I, Vashtëmia, Kolshi I, Burimi dhe Blazi I e II. Vendbanimi i Vlushit karakterizohet nga një qeramikë trashanike ngjyrë gri të zezë, me forma tepër të thjeshta e me pak zbukurime të bëra me shtypje. Qeramika gjendet së bashku me vegla pune prej stralli tipike mezolitike, ndaj Vlushi i takon periudhës kalimtare nga mezoliti në neolit.
Kultura Podgorie I, Vashtëmia, Kolshi I, Burimi dhe Blazi I, II, të cilat janë njohur e studiuar mirë, i takojnë neolitit të hershëm të zhvilluar. Kjo periudhë në territorin e Shqipërisë Juglindore është dokumentuar nga kultura Podgorie I. Falë një shtrese kulturore të trashë rreth 3 m e mjaft të qartë, në Podgorie, dhe të një lënde shumë të pasur arkeologjike mund të rindërtohet tabloja e asaj kulture, e cila karakterizohet nga qeramika njëngjyrëshe e kuqe me shkëlqim, nga qeramika e pikturuar me bojë të bardhë mbi sfond të kuq si edhe nga figurat steatopigjike prej balte e tryezat e thjeshta të kultit, të cilat i vënë në raporte të drejtpërdrejta kulturore e kronologjike me neolitin e hershëm të Thesalisë (faza Presesklo e pjesërisht Protosesklo), si edhe me neolitin e hershëm të Maqedonisë (Vrshnik-Anzabegovo Ib, c). Elementet e tjera të pranishme në Podgorie I, si qeramika impreso e tipit të Devollit e ajo e tipit adriatik, si edhe qeramika barbotine e sheshtë e vënë atë në lidhje me kulturat e neolitit të hershëm adriatik e ballkano-qendror.
Kultura përfaqësuese e Shqipërisë Verilindore, Kolshi I ka si tregues themelor qeramikën barbotine në reliev të ngritur, qeramikën e pikturuar me bojë kafe mbi sfond të kuq dhe qeramikën impreso, të cilat vendosen mjaft qartë në raporte kulturore e kronologjike me Rudnikun (Rudniku III) në Kosovë dhe me gjithë kulturat e fazës Starçevo II b të Ballkanit Qendror. Blazi I e II në zonën e Matit ka qeramikë të tipit impreso-kardium me motive të ndryshme, si edhe qeramikë njëngjyrëshe gri e të zezë me shkëlqim që i japin kulturës së këtij vendbanimi shpellor karakterin adriatik lindor (Smilçiç I).
Kalimi nga neoliti i hershëm në neolitin e mesëm shënon një kthesë në të gjithë zhvillimin kulturor të territorit të vendit tonë, gjë që është pasqyruar mjaft qartë në kulturat Dunavec I - Cakran Blaz III, të cilat përfaqësojnë dhe tri fazat kryesore të zhvillimit të neolitit të mesëm në Shqipëri. Tipar themelor për të gjitha fazat e kësaj periudhe është qeramika ngjyrë gri, gri e zezë dhe e zezë me sipërfaqe të lëmuar me ose pa shkëlqim, si edhe qeramika barbotine e impreso të trashëguara nga neoliti i hershëm. Qeramika shquhet për një larmi formash ku mbizotërojnë kupat bikonike me variante të ndryshme, tasat trung konikë me fund të lartë, enët me trup sferik me profile të ndryshme etj. Qeramika e neolitit të mesëm dallohet edhe për pasurinë e zbukurimeve të bëra me incizim e thellim, hera-herës të inkrustuara me bojë të kuqe ose të bardhë, për zbukurimet plastike variantesh të ndryshme, për zbukurimin me kanelyra, me pikturim etj.
Çdo njëra nga tri kulturat përfaqësuese ka tiparet dhe veçoritë lokale që burojnë nga diferencat në kronologjinë relative si edhe nga pozita gjeografike, nga raportet e lidhjet që ato kishin me kulturat fqinje.
Faza Dunavec I që përfaqëson shtresën më të hershme të neolitit të mesëm është e lidhur me ekzistencën e një vendbanimi palafit, i cili, sot për sot, është më i hershmi në territorin e Ballkanit. Në Dunavecin I, krahas qeramikës së zezë të cilësisë shumë të mirë vazhdoi të përdorej gjerësisht qeramika barbotine me reliev të zhvilluar, traditë kjo e neolitit të hershëm Starçevian. Por tonin kulturës së Dunavecit I ia jepnin format e reja të enëve të zbukurimit në reliev, zbukurimet me incizim e ngulitje, zbukurimet me kanelyra, pikturimi gri etj.
Gjatë Dunavecit II, krahas elementeve që u trashëguan nga periudha paraardhëse, që edhe këtu përbëjnë shumicën, ka edhe një tog elementesh të reja që e veçojnë atë si një fazë më vete. Zbukurimi në reliev njeh zhvillimin e tij më të gjerë, po ashtu bëhet tipik zbukurimi me gërvishtje i llojit adriatik, kanelyra përmirësohet cilësisht dhe, krahas pikturimit gri, del edhe qeramika e pikturuar me bojë të kuqërremtë. Në këtë fazë shfaqen edhe fragmentet e para të qeramikës dyngjyrëshe kuq e zi.
Cakrani dhe Dunaveci II kanë përputhje të plotë kulturore e kronologjike. Për t’u shënuar është gjetja në Cakran e disa fragmenteve enësh të pikturuara dhe në Dunavec II e një fragmenti, të cilat janë të importuara nga kultura Thesalike e Diminit të hershëm (faza Tsangli). Ato japin një datë të saktë për ekzistencën e njëkohshme të Cakranit e të Dunavecit II me Tsanglin dhe në të njëjtën kohë dëshmojnë për zhvillimin e këmbimit midis trevave tona me Thesalinë. Edhe kultura e Kolshit II në territorin e Shqipërisë Verilindore gjen përputhje të plotë me atë të Cakranit.
Faza fundore e neolitit të mesëm është dëshmuar nga Blazi III në territorin e Shqipërisë së brendshme qendrore. Ajo karakterizohet nga qeramika ngjyrë gri, gri e zezë e ngjyrë kafe e zbukuruar me motive linearo-gjeometrike e spiralike, të cilat janë elemente karakteristike për kulturat danilike të bregdetit dalmatin. Krahas tyre ka edhe enë të zbukuruara me ornamente me vija të thelluara, të cilat mjaft mirë e vënë këtë fazë të neolitit të mesëm në raporte kulturore e kronologjike me kulturën Lisiçiç (Hvar I) të neolitit të vonë të Adriatikut.
Kulturat e neolitit të mesëm të vendit tonë kanë edhe disa tregues të rëndësishëm të kultit e të botës shpirtërore. Si shfaqje e re dhe kryesore janë ritonet, enë jo të zakonshme me katër këmbë me grykë vezake të vendosur pjerrtas me një dorezë të madhe në pjesën e sipërme të trupit dhe të lyera me bojë të kuqe. Këto ritone sipas mendimit të shumë studiuesve duhet të kenë shërbyer në ceremoni rituale kushtuar kulteve të rëndësishme, siç është ai i pjellorisë së tokës, i nënës së madhe, kulte që ishin të lidhura me riprodhimin e jetës, me pjellorinë e tokës e të bagëtisë, të cilat ishin degët bazë të ekonomisë.
Një kult tjetër i epokës neolitike është ai i varrimit të fëmijëve në vendbanim, të vendosur në pozicion kruspull, dëshmi e një flijimi për vetë vendbanimin.
Kalimi nga periudha e neolitit të mesëm në neolitin e vonë është bërë shkallë-shkallë, gjë që provohet nga kultura e vendbanimeve të Dërsnikut, të Barçit II dhe të Maliqit I (Kamnik) ku disa tregues të kulturës vazhdojnë edhe gjatë neolitit të vonë, madje zhvillohen më tej dhe bëhen karakteristike. E tillë është qeramika me tone të çelëta e punuar me kujdes dhe e pikturuar me ngjyra të ndryshme, me motive të larmishme linearo-gjeometrike dhe meandro-spiralike. Kjo qeramikë krijon efekte shumë të ngjashme me qeramikën e neolitit të vonë të Thesalisë, që njihet arkeologjikisht si faza e Diminit klasik. Këto elemente kulturore luajtën një rol të rëndësishëm në formimin e kulturës së neolitit të vonë të vendit tonë.
Fazën finale të epokës së gurit të ri ose siç quhet ndryshe epoka e bakrit, e përfaqësojnë tri vendbanime me një vijimësi kulturore e kronologjike: Burimasi, Maliqi II a dhe Maliqi II b. Kultura e tyre karakterizohet nga përsosja e veglave të strallit, e veglave me gur të lëmuar dhe e atyre prej kocke e briri, si dhe dalja e veglave të para prej bakri (sëpata të tipit daltë, biza e grepa peshkimi), të cilat për shkak të cilësisë së butë të bakrit nuk mundën të zëvendësonin veglat e traditës neolitike.
Tiparin themelor të kësaj faze e përbën qeramika, e cila dallohet për cilësinë e punimit të saj, për larminë e formave të enëve, për ngjyrën e zezë e gri të zezë shpeshherë me shkëlqim, si edhe për zbukurimet e shumëllojshme (me pikturim gri, me bojë të bardhë ose të kuqe, me incizim, me ornamente plastike apo kanelyra etj.). Kultura shquhet edhe për një pasuri e larmi objektesh kulti, si figura antropomorfe e zoomorfe, tavolina kulti e objekte të tjera të karakterit ritual.
Kultura neolitike e vendit tonë u zhvillua në lidhje e marrëdhënie të ngushta me kulturat bashkëkohëse të vendeve fqinje, si me kulturën Crnobuki-Shuplevac të Pelagonisë, me kulturën Rahmani të Thesalisë dhe me kulturat egjeane të bronzit të hershëm.
Të dhënat e deriatëhershme dëshmojnë kështu se kultura neolitike në vendin tonë zhvillohet pa ndonjë ndërprerje dhe mbi një bazë autoktone. Njohuritë e deritanishme nuk janë të mjaftueshme për të përcaktuar se cilët ishin përfaqësuesit e grupeve apo të komplekseve më të gjera etnokulturore ballkanike të kësaj kohe. Mendimet e ndryshme sipas të cilave këto mund të kenë qenë ose jo popullsi indoevropiane mbeten ende të diskutueshme, sa kohë që të dhënat gjuhësore nga fusha e toponimisë së lashtë të Ballkanit është vështirë të përputhen me siguri me të dhënat arkeologjike. Në këto rrethana, banorët e kësaj lashtësie të largët, këto grupe kulturore ka shumë gjasë t’i takonin një popullsie paleoindoevropiane.

 
adminPublikuar: 2010-08-01, 10:23 AM, Diele| Postimi nr: 4
Major
Group: Administrators
Postime: 99
Reputacioni: 14
Status: Offline
3. EPOKA E BRONZIT. KALIMI NË ORGANIZIMIN FISNOR PATRIARKAL

Gjurmë të kohës së bronzit. Vendbanimet

Epoka e bronzit në Shqipëri përfshin mijëvjeçarin e tretë dhe gjithë mijëvjeçarin e dytë p.e.sonë, e deri në fundin e shek.XII p.e.r. Ajo njihet prej të dhënave të fituara nga shtresat e kulturës së bronzit në vendbanimet e Maliqit, të Trenit e të Sovijanit në pellgun e Korçës, nga shtresa e parë e vendbanimit të Gajtanit në afërsi të Shkodrës, nga gjetjet në shpellën e Nezirit dhe nga vendbanimi i Badherës e kalaja e Kalivosë në rrethin e Sarandës. Gjithashtu njihet nga varrezat tumulare në Mat, në Kukës, në Barç (Korçë), në Pazhok (Elbasan), në Divjakë (Lushnjë), në Patos (Fier), në Vajzë e Dukat (Vlorë), në Piskovë (Përmet), nga tumat në luginën e Dropullit, nga tuma e Bajkajt (Sarandë) e nga depo e gjetje të rastit të zbuluara buzë liqeneve të Shkodrës, të Pogradecit, të Prespës etj.
Këto të dhëna dëshmojnë se territori i Shqipërisë gjatë kësaj epoke ka qenë i populluar gjerësisht, që nga zonat e tij të ulëta fushore e deri në krahinat e brendshme dhe të vështira malore. Njerëzit banonin kryesisht në vendbanime të hapura. Në një masë më të kufizuar janë shfrytëzuar dhe shpellat, ashtu siç kanë vazhduar të jenë në përdorim edhe palafitet, siç tregojnë gërmimet e viteve të fundit në vendbanimin palafit të Sovijanit. Nga fundi i kësaj epoke lindin edhe vendbanimet e para të fortifikuara, të cilat rrethohen me mure gurësh të palatuar e të lidhur në të thatë apo me ledhe e hunj. Një pjesë e mirë e vendbanimeve të këtij lloji, si kalaja e Gajtanit, qyteza e Margëlliçit (Fier) etj., që do të marrin zhvillim të plotë dhe do të bëhen karakteristike për epokën pasuese, atë të hekurit, e kanë origjinën e vet në këtë periudhë.
Banesat kanë qenë kasolle, që ndërtoheshin me lëndë drusore, kallama e kashtë. Ato janë njëkthinëshe zakonisht me planimetri katërkëndëshe, por duket se ka qenë në përdorim edhe tipi me bazë të rrumbullakët e trup konik. Dyshemetë kanë qenë të shtruara me baltë të ngjeshur e të rrahur, kurse muret të thurura me thupra e të lyera me baltë të përzier me byk. Në mes kishin nga një vatër të rrumbullakët; ka raste kur këtë e gjejmë të vendosur anash në formën e një korite që nuk njihet në banesat neolitike. Vlen të përmendim një kompleks banesash të bronzit të vonë të zbuluara në kalanë e Badherës, të cilat kanë formë katërkëndëshe ose rrethore të ndërtuara me një xokolaturë gurësh, mbi të cilën ngriheshin paretet dhe çatia prej materiali të lehtë.

Lindja e metalurgjisë së bronzit dhe përparimet në degët e tjera të ekonomisë

Karakteristika themelore e kësaj epoke është lindja e metalurgjisë së bronzit, që i dha emrin dhe vetë epokës. Për zhvillimin e saj ndihmoi shumë dhe pasuria me bakër e vendit tonë, sidomos në zonat metalmbajtëse të Matit, të Kukësit, të Korçës etj.
Vendin kryesor në prodhimin e metalurgjisë e zënë veglat e punës dhe sidomos armët, siç janë sëpatat, drapërinjtë, shpatat, kamat, thikat dhe majat e heshtave e të shigjetave. Veglat dhe armët e reja nuk mundën të përjashtonin plotësisht nga përdorimi veglat dhe armët e traditës neolitike. Madje në periudhën e parë të bronzit ato janë ende të pakta e të dobëta, por gradualisht shtohen e përsosen dhe hyjnë gjerësisht në përdorim, duke ushtruar një ndikim të fuqishëm në veprimtarinë ekonomike e shoqërore të njeriut. Përsosuria e derdhjes dhe pastërtia e objekteve të prodhuara në fundin e epokës së bronzit arrin një nivel të tillë teknik, që dëshmon se gjatë kësaj periudhe metalurgjia e bronzit kishte arritur lulëzimin e saj të plotë dhe ishte kthyer në një zejtari të mirëfilltë. Midis këtyre prodhimeve meritojnë të përmenden sëpatat me forma karakteristike vendase siç janë sëpatat me emrin “shqiptaro-dalmate”. Krahas tyre qëndrojnë prodhimet vendase të imitacioneve egjeane ose me origjinë nga Evropa Qendrore, të tilla, si sëpatat dytehëshe të tipit minoik, shpatat e gjata të tipit egjean, sëpatat e tipit kelt, etj., që dallojnë nga prototipat e tyre për veçantitë lokale.
Arritjet në fushën e metalurgjisë së bronzit ndihmuan veprimtarinë prodhuese dhe u bënë mbështetje për zhvillimin e degëve të tjera të ekonomisë, në mënyrë të veçantë të bujqësisë. Karakteri i saj ndryshoi edhe si pasojë e zhvillimit të blegtorisë. Rritja e numrit të kafshëve shtëpiake, si kali, gjedhët dhe bagëtitë e imëta, që i gjejmë të përfaqësuara gjerësisht midis materialit kockor në shtresat kulturore të vendbanimeve të bronzit dhe në varrezat e kësaj kohe, solli me vete ndryshime thelbësore në bujqësi. Nga kopshtet e vogla, që rrëmiheshin me vegla të thjeshta prej briri e druri, kalohet tani në shfrytëzimin e sipërfaqeve më të gjera, që i punonin me parmendë druri, duke shfrytëzuar forcën tërheqëse të kafshëve. Tokat hapeshin me anë të djegies së pyjeve. Të shkriftuara nga zjarri i fortë dhe të pasuruara me plehun e hirit, ato ishin të gatshme për t’u mbjellë. Bujkut primitiv nuk i mbetej veçse të hidhte farën dhe ta mbulonte atë me një lërim të cekët. Kjo tokë nuk mund të shfrytëzohej për shumë vjet, sepse ngjishej dhe nuk mund të punohej më me veglat e thjeshta të kohës, prandaj bujqit hapnin toka të reja, gjë që i dha bujqësisë së bronzit një karakter ekstensiv.
Në krahasim me qeramikën e bukur dhe të një cilësie të lartë të neolitit të vonë, qeramika e bronzit të hershëm paraqitet më primitive si në teknikën e punimit, ashtu dhe në sistemin e zbukurimit. Por kjo është një qeramikë me forma të reja e të panjohura më parë, ndërsa një element i rëndësishëm në ndërtimin e saj janë vegjët. Më tipike në këtë qeramikë janë vazot me dy vegjë të larta mbi buzë, ato me dy ose katër vegjë unazore nën grykë, filxhanët me një vegjë të lartë mbi buzë dhe brokat me trup të fryrë dhe qafë cilindrike me një vegjë nën grykë. Tipar tjetër dallues i kësaj qeramike është zbukurimi me motive plastike shiritash me ose pa thellim. E njohur në gjuhën arkeologjike, për këtë arsye, si qeramika “shiritore”, ajo përbën tani një element të ri kulturor që nuk lidhet me traditën neolitike. Prototipat e saj janë me origjinë të largët nga Ponti në brigjet e Detit të Zi dhe shfaqja e saj në Ballkan, ashtu si dhe në krahinat e tjera të Evropës është e lidhur me dyndjen e madhe të një popullsie baritore që vjen nga stepat e Lindjes aty nga fundi i neolitit.
Krahas kësaj qeramike do të vazhdojë të mbijetojë edhe ajo me forma tradicionale neolitike vendëse, e zbukuruar me ornamente të incizuara ose me kanelyra, e cila paraqitet më e pakët në fillimet e shtresave kulturore dhe gradualisht vjen e zë vend parësor në qeramikën e bronzit.
Qeramika e bronzit të mesëm lidhet gjenetikisht me atë të bronzit të hershëm dhe riprodhon të njëjtat forma e sistem zbukurimi, por me një teknikë më të përparuar. Shfaqen tani dhe forma të reja, prej të cilave më karakteristike janë enët pseudominoike me dy vegjë të larta mbi buzë, sahanët me dy vegjë horizontale poshtë buzëve ose që ngrihen mbi to, etj.
Në bronzin e vonë prodhimi qeramik rigjallërohet. Enët paraqiten me forma më të evoluara, më të pasura dhe më të përsosura nga pikëpamja teknologjike. Zakonisht enët me parete të holla janë të pjekura mirë dhe kanë ngjyra kryesisht të çelëta, okër, të kuqe dhe gri në të blertë. Në fillim kjo qeramikë është e thjeshtë, por në fazat e mëpastajme pasurohet me zbukurime të pikturuara me motive të larmishme gjeometrike. Tek qeramika më e hershme e këtij tipi, pikturimi është bërë pas pjekjes së enës dhe ka ngjyrë të kuqe të praruar, kurse më vonë ai bëhet para pjekjes dhe merr pastaj ngjyrën kafe me nuanca të ndryshme.
Në literaturën arkeologjike kjo qeramikë është pagëzuar me emrin “devollite”, nga emri i krahinës ku është zbuluar më parë. Por djepi i saj duket se është pellgu i Korçës, ku ajo kronologjikisht paraqitet deri tani si më e hershme. Këndej ajo përhapet pastaj në të gjithë Shqipërinë e Jugut dhe në krahinat fqinje të Maqedonisë, të Thesalisë dhe të Epirit, ku datohet si më e vonë. Nga fundi i bronzit, në sintaksën gjeometrike të sistemit zbukurues të qeramikës “devollite” futen dhe elemente të zbukurimit mikenas, si rezultat i lidhjeve gjithnjë më të ngushta të kësaj treve me botën e Egjeut.
Si e tillë qeramika “devollite” paraqitet si përfaqësuese e një grupi të veçantë kulturor me një shtrirje të gjerë në territorin jugor të Shqipërisë dhe të diferencuar nga ai i krahinave veriore, i cili nuk zbaton pikturimin e qeramikës dhe as teknologjinë e grupit “devollit”, duke u treguar më konservator si ndaj formave, ashtu dhe ndaj zbukurimit tradicional të periudhave pararendëse të epokës së bronzit.
Prodhimet zejtare dhe ato bujqësore-blegtorale bënë të mundshme edhe zhvillimin e këmbimeve. Tregues i rëndësishëm në këtë drejtim janë depot ose objektet e fshehura, që përbëjnë një dukuri të rëndomtë në bronzin e vonë dhe që ndeshen jo rrallë dhe në vendin tonë. Depo të tilla janë gjetur buzë liqenit të Shkodrës dhe Bunës, në afërsi të Shirokës e Beltojës me sëpata të tipit “shqiptaro-dalmat”, në një shpellë afër Koplikut dhe në fshatin Bushat me sëpata të tipit “kelt”, etj. Këto depo, që krijohen në raste rreziku nga zejtarë endacakë, të cilët janë njëkohësisht dhe shitës të prodhimeve të tyre, gjenden zakonisht gjatë rrugës natyrore. Ato përmbajnë objekte të pavëna në përdorim, shpesh prodhime të një kallëpi, të cilat, për shkak të formave standarde, shërbejnë edhe si njësi vlere për këmbim.
Objektet e importit egjean, italik dhe ato me prejardhje nga viset e Evropës Qendrore, të përfaqësuara në gjetjet arkeologjike të vendit tonë përmes armëve, qeramikës dhe sendeve të tjera të luksit, janë dëshmi e përpjesëtimeve që marrin këmbimet gjatë bronzit. Zhvillimi i tyre dhe lidhjet me krahina kaq të largëta u ndihmuan nga lindja në këtë kohë e transportit tokësor, që shfrytëzon forcën bartëse të kafshëve dhe sidomos shfaqja e anijeve me vela, që lejuan lundrimet në det të hapur dhe arritjen e brigjeve të tjera. Që nga kjo kohë banorët e bronzit të vendit tonë, duket se kryen për herë të parë dhe kalimin e Adriatikut.
Megjithatë duhet thënë se lidhjet midis krahinave të ndryshme, qofshin këto të afërta apo të largëta, nuk ishin të rregullta, prandaj dhe shkëmbimi i produkteve midis bashkësive mbetet gjithnjë një gjë e rastit.

Ndryshimet në strukturën shoqërore

Përparimet në degët e ndryshme të ekonomisë çuan në rindarjen e punës midis sekseve dhe për pasojë në ndryshimin e pozitës shoqërore të burrit dhe të gruas. Burri duke u marrë tani si me bujqësi e blegtori, ashtu edhe me prodhimin metalurgjik, zuri vendin drejtues në ekonomi e shoqëri, ndërsa roli i gruas u dobësua. Kjo solli ndryshime dhe në marrëdhëniet shoqërore, të cilat u shprehën në zëvendësimin e rendit gjinor matriarkal me atë patriarkal dhe në kalimin nga familja matriarkale me çifte në familjen patriarkale monogame, e cila u bë dhe bërthamë e shoqërisë fisnore të kësaj kohe. Brenda fisit ajo formonte një njësi të pavarur ekonomike e shoqërore. Pjesëtarët e saj i lidhte prona e përbashkët e familjes, prodhimi dhe konsumi i përbashkët. Të gjithë pjesëtarët e familjes ishin të barabartë midis tyre, kurse kryetari ishte i pari midis të barabartëve.
Gjatë epokës së bronzit struktura e fisit u bë më e ndërlikuar. Midis familjes dhe fisit u krijua një hallkë tjetër, vëllazëria, e cila përmblidhte disa familje të mëdha patriarkale, të dala nga ndarja e familjes mëmë.
Pasqyrë e këtij organizimi shoqëror janë monumentet skulpturore të kësaj kohe, tumat, të cilat janë varre apo varreza kolektive të një familjeje, vëllazërie ose fisi. Inventari i varreve të tyre flet dhe për diferencim social të popullsisë dhe një shtresëzim fillestar të saj, që e ka bazën te përparimet e shënuara në ekonomi dhe te mundësia që u krijua për grumbullimin e një lloj pasurie prej kësaj. Vetë ky fakt nënkupton krijimin e premisave për lindjen e pronës private, që do të sjellë në të ardhmen shpërbërjen e bashkësisë primitive.
Prirja për të shtuar pasurinë, për të fituar toka e kullota të reja çoi gjatë kësaj epoke në konflikte e lufta të vazhdueshme. Lëvizjet dhe dyndjet e mëdha të popullsive që vërtetohen në mënyrë të qartë, përmes të dhënave arkeologjike, janë një shfaqje e kësaj dukurie. Lindja e vendbanimeve të fortifikuara, përsosja e armëve dhe vendi që zënë ato në inventarin e varreve, dëshmojnë se nga fundi i epokës lufta ishte bërë një funksion i rregullt në jetë. Plaçkitjet dhe përfitimet e tjera që vinin prej saj, rritën një shtresë udhëheqësish ushtarakë, e cila filloi të veçohet nga masa e gjerë e anëtarëve të fisit, duke u pasuruar përmes përvetësimit të pjesës më të madhe të plaçkës së luftës dhe të robërve të saj. Këta të fundit do të bëhen pastaj burim për format më të hershme të shfrytëzimit të njeriut si skllav në familjet patriarkale ose ndryshe për lindjen e skllavërisë patriarkale.

Botëkuptimi dhe arti

Niveli i ulët i faktorëve të prodhimit dhe karakteri empirik i njohurive krijuan te njeriu primitiv një botëkuptim magjik-mistik për botën që e rrethonte dhe fenomenet e veçanta të saj. Mbi këtë bazë gjatë epokës së bronzit vazhdojnë të jetojnë rite e besime të trashëguara nga shoqëria neolitike siç është kulti i tokës-mëmë që vazhdon të ushtrohet edhe gjatë periudhës së parë të bronzit dhe që shprehet nëpërmjet figurave prej balte të pjekur, të cilat paraqesin gruan-mëmë, apo riti i flijimit dhe i varrimit të fëmijëve brenda territorit të vendbanimit, që i shërbejnë mbrojtjes nga fuqitë mistike keqbërëse, që vërtetohen me horizontin e bronzit të hershëm në Maliq dhe më vonë në grupin e urnave të shtresës së fundit të bronzit në Tren.
Shqetësimi për fatin e njeriut pas vdekjes krijoi tek njerëzit primitivë botëkuptimin e vazhdimit të jetës përtej varrit, që shprehet në këtë epokë me kujdesin e veçantë që tregohet për të vdekurin, për plotësimin e riteve të varrimit dhe për ndërtimin e vetë varreve. Krahas varreve të dysta të trashëguara nga neoliti, shfaqen në fillim të epokës së bronzit varret me tuma. Këto janë varre monumentale në formën e kodrave të vogla gjysmë sferike, të larta 1-4 m e me diametër 15-30 m, të ngritura me dhé e me gurë. Disa prej tyre kanë në bazë nga një ose dy unaza kufizuese me gurë, të cilat shërbenin si kufi për masën e dheut që hidhej mbi varret. Në qendër të tumës zakonisht është vendosur varri më i hershëm, për të cilin është ngritur tuma, kurse përreth e mbi të janë vendosur varre të tjera të mëvonshme. Arkitektura e varreve është e thjeshtë në formë gropash të rrumbullakëta ose katërkëndëshe të rrethuara e të mbuluara me gurë, apo arkash katërkëndëshe prej druri apo gurësh.
Varrimi bëhej duke e vendosur trupin me këmbë dhe me duar të mbledhura në pozicion fjetjeje. Kjo mënyrë varrimi e njohur që në neolit bëhet më karakteristike gjatë gjithë epokës së bronzit. Varrimi me djegie përkundrazi ndeshet më rrallë. Në këtë rast hiri dhe mbeturinat e djegura të trupit vendoseshin zakonisht në gropa të mbuluara me gurë ose me urna. Të vdekurit shoqëroheshin në varr me takëmin funerar, karakteri i të cilit përcaktohej nga seksi dhe pozita shoqërore e të vdekurit. Që nga bronzi i mesëm fillojnë të shfaqen dallimet midis varreve me inventar të pasur e të thjeshtë. Në disa raste të vdekurin e shoqëronin në varr edhe kafshë që adhuroheshin, siç është rasti i varrit qendror të tumës së madhe të Pazhokut, i cili krahas dy skeleteve përmbante dhe një kokë kau, kafshë kjo e lidhur me kultin e bujqësisë me parmendë, mjaft i përhapur si i tillë në botën e Mesdheut. Dy unazat bashkëqendrore me gurë të kësaj tume janë me sa duket, shprehje e kultit të diellit, që adhurohej nga përfaqësuesit e këtyre tumave si një fuqi jetëdhënëse dhe burim i prodhimtarisë së tokës.
Arti i kohës së bronzit është kryesisht një art i zbatuar i stilit gjeometrik, që përdoret në zbukurimin e qeramikës dhe më pak në prodhimet prej bronzi. Arti plastik, që përfaqësohet me figurinat skematike të gruas-mëmë paraqitet tani në rënie. Ai nuk ka veçse pak jetë gjatë periudhës së parë të kësaj epoke derisa më vonë zhduket krejt. Në bronzin e hershëm një rënie ka edhe në zbukurimin e qeramikës, por më pas, e sidomos në bronzin e vonë, ky art njeh një ngritje të re. Në qeramikën e tumave të Pazhokut ai është zbatuar në teknikën e incizimit. Motivet janë trekëndësha e rombe të vargëzuara me fushën e mbushur me vija të pjerrëta paralele. Në qeramikën “devollite” këto motive janë të pikturuara me tone pashkëlqim ngjyrë të kuqe apo kafe. Thurja e harmonishme e kompozicionale e tyre në enë me forma elegante përfaqëson një nga arritjet më të mira të artit dekorativ të epokës së bronzit.
Në prodhimet metalike zbukurimet janë të varfra. Vlerat artistike i shohim të shprehura më tepër në format e bukura të disa veglave, sidomos te sëpatat “shkodrane” e “shqiptaro-dalmate” të zbukuruara në mykat e tyre me stolisje plastike brinjësh, që hijeshojnë formën e zhdërvjellët të vetë objekteve.

 
adminPublikuar: 2010-08-01, 10:56 AM, Diele| Postimi nr: 5
Major
Group: Administrators
Postime: 99
Reputacioni: 14
Status: Offline
Mesjeta shqiptare

K R E U I

SHQIPËRIA GJATË SHEKUJVE TË MESJETËS
(SHEK. V - XIV)

SHQIPËRIA NË PERANDORINË BIZANTINE
(SHEK. V - X)

1. SHQIPTARËT DHE NDRYSHIMET ETNO-POLITIKE E SHOQËRORE-EKONOMIKE NË MESJETËN E HERSHME

Shqipëria dhe Bizanti
Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, më 395, trevat iliro-shqiptare hynë në përbërje të Perandorisë Bizantine, siç quhet zakonisht pas kësaj date Perandoria Romake e Lindjes sipas emrit antik të kryeqytetit të saj, Bizant, që për nder të Konstandinit të Madh u quajt Konstandinopojë.
Ashtu siç i kishin dhënë në shek. III-IV Perandorisë Romake një numër perandorësh e gjeneralësh të shquar, po ashtu gjatë periudhës së hershme bizantine (shek. V-IX), trevat iliro-shqiptare i dhanë Perandorisë Bizantine disa perandorë, ndër të cilët shquhen në mënyrë të veçantë Anastasi I nga Durrësi (491-518) dhe Justiniani I nga Taurisium i Shkupit (527-565). Me reformat dhe me masat e zbatuara në administratën civile e ushtarake, këta dy perandorë përgatitën kalimin nga antikiteti në mesjetë dhe hodhën bazat e asaj që do të ishte perandoria më jetëgjatë në historinë e qytetërimit mesdhetar.
Pozicioni skajor në kufi me Italinë, me të cilën interesat e Bizantit mbetën deri në fund të lidhura ngushtë, përcaktoi rolin e jashtëzakonshëm të trevave iliro-shqiptare në kuadrin e Perandorisë Bizantine. Ato u kthyen në një nyje komunikimi të Lindjes me Perëndimin dhe anasjelltas. Një rol të tillë e favorizonte ekzistenca e porteve të rëndësishme gjatë bregdetit të Adriatikut e të Jonit ose e arterieve rrugore që fillonin prej tyre dhe zgjateshin në thellësi të Gadishullit duke lidhur bregdetin me qendra të tilla të rëndësishme, si Nishin, Shkupin, Ohrin, Sofjen, Kosturin, Selanikun, Adrianopojën e vetë Konstandinopojën. Ashtu si në shekujt e lashtësisë, rruga Egnatia vazhdoi ta luante rolin si vija kryesore e komunikimit midis provincave të Perandorisë në rrafshin perëndim-lindje. Përgjatë traktit perëndimor të rrugës Egnatia (Durrës-Apoloni-Peqin-Ohër) janë zhvilluar disa nga betejat më të përgjakshme të historisë bizantine. Perandorët bizantinë i kushtuan vëmendje të veçantë mbrojtjes strategjike të trevave iliro-shqiptare. Perandori Justiniani, sipas biografit të tij, Prokopit të Cezaresë, ndërtoi nga e para apo rimëkëmbi 168 kështjella në katër provincat ilire: të Dardanisë, Prevalit dhe të dy Epirëve. Nga ana e tij, Anastasi I e rrethoi qytetin e tij të lindjes, Durrësin me mure madhështore që shihen ende sot. Veç Durrësit, pikëmbështetje të pushtetit bizantin në Shqipëri përbënin Tivari, Shkodra, Lezha, Kruja, Dibra, Prizreni, Shkupi, Berati, Devolli, Kolonja, Adrianopoja etj. Mbrojtja e tyre dhe e territorit në juridiksionin e tyre, u ishte besuar forcave e komandantëve vendas. Trupa ushtarake iliro-shqiptare shërbenin gjithashtu në vise të tjera të Perandorisë, sa në Lindje aq edhe në Perëndim. Në kohën e perandorit Justinian, ushtarë iliro-shqiptarë shërbenin në ushtrinë bizantine me qëndrim në Itali. Në një nga mbishkrimet e asaj kohe të gjetura në Itali, bëhet fjalë për “numrin e madh të ilirëve” (numerus felix Illyricianorum). Edhe në shekujt e mëvonshëm, reparte nga trevat iliro-shqiptare shërbenin në provincat bizantine të Italisë e në provinca të tjera në Evropë e Azi.

Përhapja e krishterimit në Shqipëri

Shqipëria është përcaktuar si një nga vendet mesdhetare, ku krishterimi depërtoi qysh në shekujt e parë. Autori i shek. VI, Kosmas, i përfshin iliro-shqiptarët në grupin e popujve që në kohën e tij kishin përqafuar krishterimin. Durrësi, Nikopoja ishin qendrat kryesore bregdetare, nga ku feja e re u përhap pastaj në thellësi të katër provincave ilire: të Prevalit, Dardanisë, Epirit të Ri dhe të Epirit të Vjetër. Që në shekujt e parë të erës së re, në qendrat urbane të këtyre trevave përmenden bashkësitë e para të krishtera, si dhe ngrihen ndërtesat e para të kultit të ri. Të tilla ndërtesa, bazilika e pagëzimore (baptistere) të shek. IV-VI, ruhen edhe sot pjesërisht në rrethet Durrës, Shkodër, Lezhë, Mat, Apoloni, Elbasan, Dibër, Ohër, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Butrint e akoma më në jug.
Hershmërinë e krishtërimit shqiptar e provojnë gjithashtu një sërë emrash vendesh që u referohen martirëve të parë të Lindjes, kulti i të cilëve ka qenë i përhapur në shek. IV-VI. Të tilla janë toponimet Shirgj (Shën Sergj), Shubak (Shën Baku), Shëndekla (Shën Tekla), Shën Vlashi, që ndeshen në Shkodër, Durrës, Himarë e deri poshtë në Çamëri (Shën Vlash, Shën Tekla). Të lidhur me kultin e martirëve në fjalë si dhe me historinë e hershme të krishterimit, janë toponime të tilla të huazuara nga vendet e Lindjes, si Rozafë (vend në Siri, ku u varros Shën Baku e Shën Serxhi), Barbullush (Barbalista, vend buzë Eufratit, ku u masakrua Shën Baku), Sebaste, Jeriko.
Persekutimet e mëdha kundër të krishterëve regjistruan edhe në Shqipëri martirë të shumtë, kulti i të cilëve u ruajt në shekuj. Më të shquarit ndër këta martirë janë Shën Asti, peshkop i Durrësit, Shën Terini nga Butrinti, Shën Donati, peshkop i Evrojës (Paramithi), Lauri dhe Flori nga Dardania etj. Po në këtë kohë në toponomastikën e vendit futen emra të krishterë të tipit Shëngjin, Shën Gjergj, Shupal (Shën Pal), Shmil (Shën Mëhill), Shën Koll apo Shën Nik (Shën Nikollë), Shëmri (Shën Mëri), Shëndëlli (Shën Ilia), Shëngjergj, Shtish - Shën Matish (Shën Matheu), Shingjon, Shëgjun (Shën Gjon), Shën Ndreu etj., etj. Të gjithë këta emra bëjnë pjesë në fondin e hershëm të toponomastikës së krishterë (shek. I-VII). Të tilla toponime, që në Ballkan në një masë e në një shtrirje të tillë gjenden vetëm në trevat shqiptare, lidhen gjithsesi me periudhën para vendosjes së sllavëve në shek. VI-VII. Përhapja e tyre sa në viset bregdetare, aq edhe në viset e thella malore larg bregdetit, është një e dhënë më shumë që provon se këto hapësira mbetën në thelb të paprekura nga ngulimet e sllavëve paganë dhe se edhe pas dyndjeve sllave të shek. VI-VII, popullsia vendase autoktone u ruajt e paprekur në pjesën më të madhe të Ilirisë së Jugut.
Pavarësisht nga përpjekjet për mbytjen e fesë së re, krishterimi u afirmua në Shqipëri në mënyrë përfundimtare. Pas persekutimeve të mëdha të shek. IV, burimet historike flasin për një strukturë kishtare mjaft të konsoliduar. Ajo ishte e organizuar mbi bazën e provincave administrative të epokës së Dioklecianit. Në qendrën e çdo province ndodhej kisha mitropolitane dhe aty e kishte selinë kryepeshkopi. Nën juridiksionin e këtij të fundit ndodheshin peshkopët e dioqezave vartëse (sufragane). Kështu, në katër qendrat kryesore kishtare në trevat shqiptare ishin kryepeshkopatat e Shkodrës (Prevali), Justiniana Prima (Dardania), Durrësi (Epiri i Ri), Nikopoja (Epiri i Vjetër). Kryepeshkopi i Shkodrës kishte nën varësi 3 peshkopata vartëse (sufragane), ai i Shkupit 5, i Durrësit 8 dhe i Nikopojës 9. Me përhapjen e krishterimit në viset e brendshme, numri i peshkopatave sa vinte e rritej. Kështu, në shek. X mitropolia e Durrësit kishte tashmë 14 peshkopata vartëse (sufragane) mes të cilave: Tivari, Licini (Ulqini), Shkodra, Drishti, Dioklea (Genta), Pulti, Elisoni (Lezha), Kruja, Stefaniaka, Kunavia, Cërniku. Siç shihet, në atë kohë juridiksioni i mitropolisë së Durrësit ishte shtrirë drejt veriut duke përfshirë brenda saj provincën e dikurshme të Prevalit. Siç ndodhte shpesh, një përhapje e tillë e pushtetit fetar kishte pasuar shtrirjen në atë drejtim të juridiksionit politiko-administrativ të Durrësit (krijimi i temës së Durrësit në shek. IX). Kryepeshkopët kishin për detyrë të emëronin, të shkarkonin, të transferonin e të shuguronin peshkopët e juridiksionit të tyre. Për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që kishin të bënin me administratën kishtare të provincës së tij, kryepeshkopi thërriste periodikisht sinodin provincial. Nga ana e tyre, kryepeshkopët, të shoqëruar herë-herë edhe nga peshkopë të dalluar, merrnin pjesë në koncilet ekumenike, ku mblidheshin përfaqësuesit më të lartë të klerit të botës së krishterë, për të diskutuar mbi problemet e dogmës dhe të organizimit kishtar. Kështu, në Koncilin e famshëm të Nikesë, më 431, mitropoliti i Durrësit i shoqëruar nga sufraganët e tij, nënshkroi aktin përfundimtar që dënonte herezinë nestoriane. Në Koncilin tjetër të rëndësishëm, në atë të Kalcedonisë të vitit 451, ku u zgjidhën përfundimisht grindjet dogmatike mbi natyrën e Krishtit, morën pjesë edhe Lluka, mitropolit i Durrësit, Evandri, peshkop i Dioklesë dhe Euzebi, peshkop i Apolonisë.

Organizimi kishtar i trevave shqiptare
Në pikëpamje të organizimit të përgjithshëm kishtar, kisha shqiptare ishte në varësi të Papës së Romës. Ky i fundit ushtronte autoritetin e vet në trevat shqiptare nëpërmjet mëkëmbësit (vikarit) të tij të përgjithshëm, me seli në Selanik. Por, duke filluar nga shek. V, Patriarkana e Konstandinopojës u përpoq t’i vërë në varësinë e vet peshkopatat shqiptare. Ballafaqimi midis Romës e Konstandinopojës për hegjemoni kishtare në Shqipëri (në kishën e Ilirikut) doli veçanërisht në pah gjatë së ashtuquajturës “Kriza akaciane” (484-519). Me atë rast, peshkopët iliro-shqiptarë konfirmuan besnikërinë e tyre ndaj Romës. Veçanërisht të vendosur në komunionin me Papën ishin kleri i provincave të Dardanisë, Epirit të Vjetër dhe Prevalit. Kurse në provincën e Epirit të Ri qëndrimi qe i pavendosur. Sipas raporteve të të dërguarit të papës Hormisda, më 519, populli dhe kleri i Skampës apo i Liknidit (Ohrit) ishin besnikë të vendosur të Papatit, ndërkohë që peshkopë të tjerë të provincës kishtare të Epirit të Ri, midis tyre edhe kryepeshkopi i Durrësit, anonin nga Patriarkati i Konstandinopojës. Perandori Anastasi I (491-518), me origjinë nga Durrësi, ndikoi nga ana e tij për të forcuar lidhjet e mitropolisë së Durrësit me Patriarkatin e Konstandinopojës. Gjithsesi, perandori tjetër bizantin me origjinë iliro-shqiptare, Justiniani I (527-565), e njohu juridiksionin e Romës mbi kishën e Ilirikut, aq më tepër që, nën sundimin e tij, Italia u bashkua me Perandorinë Bizantine dhe kontrolli i Perandorit përfshiu edhe territoret nën juridiksionin e Papës së Romës. Nën sundimin e tij u krijua edhe një vikariat i dytë në Justiniana Prima (Shkup), që mori nën juridiksion provincat kishtare të Dardanisë dhe të Prevalit. Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër vazhduan të varen nga vikariati i Selanikut. Ndryshe nga bashkëpatrioti i tij nga Durrësi, perandori Anastas, që u përpoq t’i shkëpuste lidhjet e episkopatit të Ilirikut me Romën dhe ta vendoste atë nën juridiksionin e Konstandinopojës, Justiniani rikonfirmoi lidhjet e peshkopatave të Ilirikut me Papën e Romës, duke u vënë fre ambicieve të Patriarkut të Konstandinopojës për t’i shtënë ato në dorë.
Ndryshimet politike që ndodhën në trevat shqiptare dhe në krejt rajonin në shek. VI-X, u shoqëruan me ndryshime të rëndësishme edhe në kuadrin e organizimit kishtar. Në përfundim të dyndjeve të popujve, një sërë qendrash peshkopate u rrënuan dhe nuk përmenden më; të tilla qenë: Onkezmi, Skampa, Amantia, ndërkohë që të tjera seli peshkopate shfaqen për herë të parë: Cerniku, Deja, Kruja, Himara, Devolli, Kolonja, Dibra etj.
Në kohën e sundimit bullgar (shek. IX-X), selia mitropolitane e Nikopojës (Epiri i Vjetër) u zhvendos më në jug, në Naupakt, ajo e Dardanisë nga Shkupi kaloi në Ohër, kurse mitropolia e Prevalit nga Shkodra kaloi në Tivar.
Por ngjarja më e madhe në kuadrin e organizimit kishtar të trevave shqiptare ishte vendimi i vitit 732 i perandorit bizantin ikonoklast, Leoni III, për t’i hequr peshkopatat shqiptare nga varësia e Papës së Romës dhe për t’i kaluar ato nën juridiksionin e Patriarkut të Konstandinopojës. Tashmë një pjesë e mirë e Italisë bashkë me Romën ndodhej nën sundimin e frankëve, rivalë të rreptë të bizantinëve, kështu që pushoi së vepruari edhe ndikimi i perandorit bizantin mbi Papën e Romës.
Gjithsesi, edhe pas kësaj date vazhdoi ndikimi i Romës në një varg dioqezash të Shqipërisë së Epërme, në Preval e Dardani në mënyrë të veçantë. Në këtë drejtim luajtën rol lidhjet gjithnjë të gjalla ekonomike, tregtare e kulturore midis dy brigjeve të Adriatikut (atë kohë Italia e Jugut ishte gjithmonë provincë bizantine). Por një rol të veçantë në ruajtjen e lidhjeve kishtare me Romën luajtën manastiret e mëdha të urdhrit të Shën Benediktit, që shfaqen në trevat shqiptare që prej shek. VI dhe që vazhduan të mbijetojnë përgjatë gjithë mesjetës.

Dyndjet e popujve, ngulimet sllave në Ballkan
Nën sundimin e Dioklecianit e më tej të Konstandinit, Perandoria Romake iu përshtat një organizimi të ri administrativ. Njësia më e madhe administrative u bë prefektura, që përmbante disa dioqeza, të cilat nga ana e tyre ishin të ndara në një numër edhe më të madh provincash. Prefektura e Ilirikut (praefectura praetorio per Illyricum), përfshinte dioqezat e Dakisë e të Maqedonisë.
Në këtë të fundit bënin pjesë pronvincat e Prevalit, Dardanisë, Epirit të Vjetër dhe Epirit të Ri, që përfaqësonin hapësirën gjeografike të banuar nga pasardhësit e ilirëve, shqiptarët, përgjatë gjithë mesjetës e deri në kohët e reja. Funksionari më i lartë i prefekturës së Ilirikut, prefekti i pretorit për Ilirikun, e kishte selinë e vet në Selanik. Po këtu ndodhej edhe selia e kryetarit të kishës së kësaj prefekture.
Ndonëse nuk ndodhej në kushtet e dëshpëruara ku e kishte zhytur kriza e thellë ekonomike, shoqërore e politike pjesën perëndimore të Perandorisë Romake, edhe Perandoria Romake e Lindjes po i vuante pasojat e krizës së kapërcimit të dy epokave. Brishtësia e strukturave të saj shtetërore e ushtarake doli në pah gjatë ballafaqimit me dyndjet e popujve gjatë shek. IV-VII.
Megjithëse nuk përkonin me drejtimin kryesor të dyndjes së popujve, trevat shqiptare nuk mbetën tërësisht jashtë tyre. Inkursionet e gotëve, gotëve të lindjes (ostrogotëve) dhe atyre të perëndimit (vizigotëve) aty nga fundi i shek. IV prekën edhe trevat iliro-shqiptare.
Popujt që u dyndën dhe invaduan Ballkanin shkaktuan dëme e rrënime të mëdha në të cilat u futën. Për periudhën e “dyndjes së popujve” burimet e shkruara janë mjaft të rralla dhe përbëhen nga kronikat bizantine. Historianët që janë marrë me këtë periudhë e kanë shpeshherë të vështirë t’i akordojnë këto burime midis tyre. Edhe materiali tjetër burimor, arkeologjik është i pamjaftueshëm.
Sipas burimeve tashmë të njohura vizigotët, pas betejës së Adrianopojës të vitit 378, arritën deri në brigjet e Adriatikut. Në marrëveshje me perandorin Theodhosi I, e me kusht që të kryenin shërbimin ushtarak, ata u lejuan të vendoseshin në pjesën veriore e perëndimore të Gadishullit Ballkanik, dhe ndërprenë për një kohë sulmet e tyre. Dyndjet e “barbarëve” vazhduan edhe pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë të veçanta, në atë të lindjes dhe në atë të perëndimit (395).
Të dyja pjesët e perandorisë u detyruan për një kohë të gjatë t’u bënin ballë sulmeve e invazionit të “barbarëve”. Për pjesën lindore të Perandorisë, atë Bizantine, një rrezik të madh përbënin asokohe gotët e perëndimit që ishin vendosur në Gadishullin Ballkanik. Prijësat e tyre kishin arritur të zinin poste të larta si komandantë të besëlidhur - foederati, sikurse u quajtën “barbarët”. Këta të fundit ishin të pakënaqur nga marrëdhëniet me perandorinë. I pari u ngrit Alariku, prijësi i vizigotëve, me pretekstin se nuk u ishin paguar rrogat e premtuara si të besëlidhur. Me forcat e Alarikut u bashkuan edhe gotë të tjerë të vendosur në krahina të ndryshme të Ballkanit; kryengritësit filluan plaçkitjen e Greqisë dhe të trevave iliro-shqiptare. Perandoria Bizantine mundi të dalë nga kjo gjendje, pas paqes që bëri me Alarikun në vitin 398, duke lejuar vendosjen e ushtrive gote në krahinat jugperëndimore të Gadishullit si të besëlidhur dhe duke e emëruar prijësin e tyre si kryekomandant të ushtrive bizantine në Ilirik. Pas 10 vjetëve Alariku me vizigotët u largua për në Itali, ku në vitin 410 pushtoi Romën.

 
adminPublikuar: 2010-08-01, 11:24 AM, Diele| Postimi nr: 6
Major
Group: Administrators
Postime: 99
Reputacioni: 14
Status: Offline
Mesjeta shqiptare

Sulmet e gotëve shkaktuan një rënie të mëtejshme të ekonomisë fshatare e qytetare, shkretimin e shumë krahinave. Ja si e ka përshkruar gjendjen Hieronimi nga Stridoni i Dalmacisë: “Më vjen të rrënqethët kur mendoj të tregoj shkatërrimet në kohën tonë, ka më tepër se 12 vjet që gjaku shkon rrëke. Gotët, sarmatët, alanët, markomanët shkretojnë, shkatërrojnë dhe plaçkitin Trakinë, Maqedoninë, Thesalinë, Dakinë, Akajen, Epirin dhe gjithë Panoninë. Kudo dhunë, kudo psherëtima, kudo fytyra e tmerrshme e vdekjes; për këtë dëshmitare është Iliria, dëshmitare është Trakia, dëshmitar është edhe vendi ku kam lerë, ku çdo gjë u shkatërrua, përveç qiellit e tokës, ferrave dhe pyjeve të dendura”.
Afërsisht, në mesin e shek. V Gadishullin Ballkanik e sulmuan hunët të komanduar nga Atila, duke shfrytëzuar rastin që ushtria bizantine ishte e zënë në luftë me vandalët. Brenda pak vjetëve ai pushtoi e grabiti shumë qytete të trevave iliro-shqiptare, në mënyrë të veçantë, Dardaninë. Burimet bashkëkohëse e përshkruajnë Dardaninë si një vend të shkretuar. Me vdekjen e Atilës federata hune u prish dhe kështu pushuan sulmet e tyre kundër Perandorisë Bizantine.
Në vitin 479, trevat iliro-shqiptare të përfshira në provincën e Epirit të Ri, u goditën nga sulmi më i rëndë i ostrogotëve të udhëhequr nga Teodoriku. Ostrogotët, rreth 50 mijë veta, ndër të cilët 10 mijë luftëtarë, u lëshuan nga vendbanimet e tyre provizore në Traki dhe nëpërmjet rrugës Egnatia depërtuan deri në viset bregdetare pranë Durrësit. Vetë kjo qendër e rëndësishme ra në duar të ostrogotëve. Perandoria Bizantine bëri ç'qe e mundur për t'i larguar të porsaardhurit nga ato treva, që ishin të një rëndësie strategjike të jashtëzakonshme për perandorinë. Në fakt ostrogotët shumë shpejt u detyruan të tërhiqeshin prej andej.
Në periudhën midis viteve 500-517 hordhi hunësh të nisura nga rrjedha e poshtme e Danubit, përshkuan viset ballkanike deri në Epir e Thesali, duke shkretuar gjithë vendin. Bregdeti i Shqipërisë vuajti në atë kohë edhe nga sulme të ostrogotëve të organizuara nga Italia, ku ky popull ishte vendosur qysh prej fundit të shek. V.
Gjithsesi, pas kalimit të ostrogotëve në perëndim (488), në pjesën lindore të Perandorisë intensiteti i sulmeve të “barbarëve” u ul ndjeshëm. Kjo gjendje qetësie relative do të zgjaste deri në dhjetëvjeçarët e parë të shek.VI, kur në kufijtë veriorë u shfaqën popuj të rinj: bullgarët, avarët, antët, gepidët, e mbi të gjitha sllavët. Inkursionet e tyre u intensifikuan qysh në kohën e sundimit të perandorit Justinian. Rreth vitit 548 një turmë e madhe sllavësh plaçkiti e shkretoi disa provinca, duke depërtuar deri në afërsi të Durrësit. Komandantët ushtarakë të Justinianit nuk guxuan t'i futnin trupat e tyre në luftim dhe u mjaftuan t'i ndiqnin nga larg veprimet e sllavëve. Inkursionet sllave u përsëritën thuajse rregullisht edhe në vitet pasardhëse.
Me qëllim që të frenonte zbritjet e “barbarëve” nga kufijtë veriorë, perandori Justinian me origjinë nga Taurisium i Dardanisë, më i madhi i perandorëve të periudhës së hershme bizantine, i kushtoi vëmendje ngritjes së një sistemi fortifikatash në disa breza, që fillonte nga vija kufitare e Danubit, në veri, dhe zhvillohej valë-valë duke zbritur në drejtim të jugut. Sipas Prokopit të Cezaresë, historian i oborrit të Justinianit, vetëm në atdheun e tij, në Dardani, perandori bizantin meremetoi 61 kështjella dhe ndërtoi nga themelet 8 kështjella të tjera. Një ndër këto kështjella, e quajtur për nder të tij Justiniana Prima (Shkupi), u ngrit në vendlindjen e perandorit, Taurisium.
Numri i kështjellave të ndërtuara në të katër provincat e Ilirisë së Jugut arriti në 168.
Por këto masa mundën t'i frenojnë vetëm përkohësisht sulmet e popujve “barbarë”. Këto u bënë edhe më kërcënuese, kur me sllavët u bashkuan edhe avarët, një popull luftarak nomad. Pas vdekjes së Justinianit (565), hordhitë sllave shpeshherë së bashku me avarët ose të prira prej tyre, u lëshuan në drejtim të jugut. Rrugët e rrahura prej tyre zbrisnin nga rrjedha e Danubit në drejtim të jugut e juglindjes, ku synonin të godisnin qendra të tilla, si Selanikun, Adrianopojën e vetë Konstandinopojën. Më 586 Selaniku u rrethua nga sllavët, të cilët e vazhduan marshimin e tyre në jug, deri në Peloponez.
Por sulmi më i fuqishëm avaro-sllav në Ilirik qe ai i vitit 609. Hordhitë sllave shkretuan vise të tëra në Maqedoni, Thesali, Beoci e deri në Peloponez, prej nga arritën me anije edhe në ishujt e Egjeut e deri në Azinë e Vogël. Nga kjo valë u prekën edhe provincat e Dardanisë e të Epirit të Vjetër. Atë kohë Selaniku pësoi rrethimin më të gjatë të tij. Në qytet erdhën dhe u strehuan edhe të ikur nga viset më veriore, ndër të cilët edhe nga Nishi.
Megjithëse drejtimi kryesor i dyndjeve avaro-sllave ishin viset jugore të Ballkanit dhe qendrat e mëdha si Selaniku e vetë Konstandinopoja, inkursionet shkatërruese nuk kursyen edhe brezin perëndimor të trevave iliro-shqiptare. Në radhë të parë prej tyre vuajtën viset dalmatine dhe provinca e Prevalit. Në vitin 592 një pararojë avaro-sllave arriti të shtyhej deri në qytetin e Lezhës. Disa vjet më vonë prej sllavëve u pushtua dhe u shkretua përfundimisht Salona. Banorët e qytetit dalmatin gjetën shpëtim në ishujt pranë e në Split. Në provincën e Prevalit, u rrënua qyteti i Dioklesë, banorët e të cilit kaluan në Tivar. Qendrat e tjera, si Budua, Ulqini, Shkodra, Lezha, rezistuan dhe patën vazhdimësi jete edhe në shekujt e ardhshëm.
Ndryshe nga popujt e tjerë, dyndjet e sllavëve në Ballkan u shoqëruan me një dukuri të re, atë të ngulimeve. Në vendet e shkelura prej tyre, sllavët u ngulën duke formuar të ashtuquajturat "Sklavini" (vende të sllavëve). Në fund të shek.VI e fillim të shek. VII, Sklavini të tilla ishin formuar në Maqedoni, Traki, Thesali, Beoti e, në një numër mjaft të madh, në Peloponez. Prej Maqedonie, grupe të veçanta sllavësh arritën të depërtojnë dhe të vendosen në lartësitë përgjatë luginës së lumit Devoll e Osum, por pa formuar bashkësi kompakte.
Në bregdetin dalmat, duke filluar nga gryka e Kotorrit e sipër, u vendosën tributë sllave të trebinjëve, kanavlitëve, zaklumëve, narentanëve. Konstandin Porfirogjeneti, perandor e historian bizantin i shek. X, i numëron këto bashkësi si fise sllave. Por diokleasit, që banonin më poshtë grykës së Kotorrit, ai nuk i përfshin ndër popujt sllavë. Në fillim të shek.VII, perandor Herakli lejoi vendosjen e dy fiseve të mëdha sllave, të kroatëve dhe të serbëve. Këta të fundit zunë vendet e përshkuara nga lumenjtë Lim e Drina e sipërme bashkë me Pivën e Tarën, luginën e Ibrit dhe rrjedhën e sipërme të Moravës perëndimore. Në jug dhe në perëndim serbët kufizoheshin me diokletë si dhe me trebinjët e zaklumët sllavë, që ndonjëherë njësohen me serbët. Bërthamën e vendeve serbe e përbënte krahina e Rashës, që e merrte emrin nga kështjella me të njëjtin emër, në veri të Novi-Pazarit të sotëm. Në jug vendet e serbëve arrinin deri në burimet e lumit Lim.
Në përfundim të dyndjeve të popujve gjatë shek. IV-VI e sidomos të kolonizimit sllav të shek. VI-VII, përbërja etnike e trevave ballkanike, pësoi modifikime të ndjeshme. Në viset danubiane, në ato të Istries, të Dalmacisë e të rajoneve të brendshme u vendosën në mënyrë mjaft intensive popullsitë e reja sllave: trebinjatët, kanavlitët, paganët, serbët, kroatët. Masa sllavësh u vendosën në zonën e Nishit dhe përgjatë luginës së Vardarit, e deri në Selanik. Prej këndej, grupe të veçuara depërtuan nëpër luginat e Devollit e Vjosës, duke zënë kryesisht lartësitë përgjatë tyre. Ngulime sllave pati edhe në malësitë midis Thesalisë dhe Epirit (malet e Pindit). Vendosje masive të bashkësive sllave pati në Traki e Greqi, veçanërisht në Gadishullin e Peloponezit. Historiani bizantin i shek. X, Konstandin Porfirogjeneti, thotë se në atë kohë Peloponezi "ishte sllavizuar plotësisht". Gjithsesi, burimet historike, të dhënat arkeologjike e ato gjuhësore, i kanë shtyrë studiuesit të dalin në përfundimin se brezi perëndimor i Ballkanit që përfshihej në provincat diokleciane të Prevalit, Epirit të Ri dhe të Epirit të Vjetër, me një shtyrje ku më shumë e ku më pak të thellë drejt brendësisë, është ndër rajonet më pak të prekur nga kolonizimi sllav. Përkundrazi, popullsia e hershme autoktone iliro-shqiptare u përforcua në këtë gjerësi gjeografike me grupe të tjera iliro-shqiptare të ardhura nga viset e brendshme, ku invazioni sllav kishte qenë masiv. Një zhvendosje e tillë e popullsisë autoktone iliro-shqiptare drejt zonave më të sigurta jugore dëshmohet pas rënies së Nishit, të Dardanisë e të Salonës në bregdetin dalmat pas vitit 612.

 
adminPublikuar: 2010-08-01, 11:30 AM, Diele| Postimi nr: 7
Major
Group: Administrators
Postime: 99
Reputacioni: 14
Status: Offline
Mesjeta shqiptare

Gjithsesi, burimet historike të mesjetës së hershme, ndërsa flasin për krijimin e zonave kompakte të sllavizuara (sklavini) në viset fqinje të Dalmacisë, Rashës, Maqedonisë, Peloponezit etj., nuk përmendin ekzistencën e të tillave në katër provincat e Ilirikut Perëndimor. Mbijetesa, historikisht e dokumentuar, në këto treva të qyteteve antike, e qendrave dhe e strukturave kishtare, si dhe prania ndonëse e dobësuar e pushtetit bizantin flasin përgjithësisht për ekzistencën këtu të kushteve pak a shumë normale të jetës në shekujt e errët të mesjetës.
Grupet e izoluara sllave që kishin arritur të depërtonin drejt luginave të Devollit e Osumit, nuk arritën të organizoheshin në bashkësi kompakte. Për më tepër, duke filluar me Justinianin II, me qëllim që të siguronte ndërlidhjet jetike me bregdetin adriatik në boshtin e rrugës Egnatia, Perandoria Bizantine shpërnguli popullsi të tëra sllave nga viset që ishin në rrezen e saj duke i çuar në Azinë e Vogël.
Fuqizimi i shtetit bullgar, sidomos gjatë sundimit të carëve Simeon e Samuel, në shek. IX - X, u shoqërua me depërtime grupesh sllave, përkatësisht bullgare, që u vendosën kryesisht në vendet e prekura që më parë nga kolonizimi sllav. Por, me rënien e Perandorisë Bullgare dhe me rivendosjen e pushtetit bizantin në këto treva, bashkësi të tëra sllave u shpërngulën nga perandorët bizantinë dhe u vendosën në Traki e në Azinë e Vogël. Kjo vlen në radhë të parë për zona me rëndësi strategjike, siç qe Shqipëria. Grupe të tjera, në marrëdhënie me popullsinë vendase erdhën vazhdimisht duke u tretur e duke u asimiluar.

Përvijimi i hapësirës shqiptare në mesjetë
Që në shek. VII-VIII situata etnike në Ballkan u stabilizua dhe nuk përmenden më dyndje popujsh. Kjo gjendje etnike e shekujve të hershëm të mesjetës, në atë që u konstitua si atdheu mesjetar i shqiptarëve (Albania-Arbëria), mbeti në thelb e pandryshuar edhe në shekujt e mëvonshëm, kur nuk ka njoftime për dyndje të reja popujsh, nëse përjashtohen në shek. VIII-IX inkursionet episodike në brigjet shqiptare të arabëve të Sicilisë, të cilët gjithsesi nuk u vendosën në këto anë. Kronikat e vjetra serbe që përshkruajnë ekspansionin e shtetit serb të Rashës në Kosovë e në Diokle (Gentë) në shek. XII, bëjnë të njohur se serbët gjetën në ato treva një popullsi që ato e quajnë të huaj (barbare), ndërkohë që burime të tjera qoftë serbe, raguzane ose perëndimore, flasin në mënyrë më eksplicite për shqiptarë (Arbanasi, Arbanenses) në ato treva. Karvanet e tregtarëve që në shek. XIII-XV niseshin nga Raguza (Dubrovniku) e nëpërmjet Breskovës e Rudnikut (Sanxhak) mbërrinin në Trepçë e në Novobërdë, kalonin nëpër vende të banuara nga shqiptarë e ku flitej gjuha shqipe (lingua albanesca).
Shtrirja në këto treva e shtetit serb të Stefan Nemanjës, në çerekun e fundit të shek. XII, solli aty elementë sllavë, që erdhën dhe iu shtuan grupeve të tjera sllave të kohëve të kolonizimit të parë sllav (shek. VI-VII). Në Diokle, krahas popullsive shqiptare edhe atyre sllave, në disa nga qytetet e bregdetit mbijetonin edhe grupe të vogla popullsish të romanizuara, të përmendura edhe nga historiani-perandor Konstandin Porfirogjeneti (shek. X). Për rrjedhojë, në shek. XIV Dioklea-Genta (Zeta), veçanërisht ana e sipërme e saj, u shfaqej të huajve si një vend "me popuj e fe të ndryshme". Gjithsesi, gjatë gjithë mesjetës krahina e bashkësi të tëra, si Kuçi, Markajt (Markoviçët), Pastroviçët, Piprët, Gjurashët (Cërnojeviçët) etj., njihen si shqiptare.
Marrëdhëniet e diokleasve me popullsitë tashmë sllave në veri të tyre, me trivunët dhe kanalitët, u shprehën edhe në ndikime politike të ndërsjella. Kështu, aty nga mesi i shek. XI Dioklea kishte një sundimtar, Stefan Vojisllavin, që pas çdo gjase ishte sllav. Në fakt, historiani bashkëkohës bizantin, Kekaumenos, e cilëson atë “trivunas serb”, duke dëshmuar faktin se ai ishte i huaj në Diokle.
Në drejtim të jugut popullsitë shqiptare shtriheshin në Epirin e Vjetër (tema e Nikopojës). Kjo trevë i përjetoi më butë tronditjet etnike të fillimeve të mesjetës. Burimet vërtet të rralla greko-bizantine të shek. VII-XII vazhdojnë traditën e kohëve antike, duke i cilësuar banorët e Epirit si "ilirë" ose "barbarofonë", pra, që flasin gjuhë të huaj. Nga ai moment edhe këtu filloi të përdoret termi "arbëreshë" (arbanenses, arbanitai) me të cilin tashmë thirreshin pasardhësit e ilirëve të lashtë. Burime bizantine të shek XIV, si "Panegjiriku i Manuel Paleologut" apo historiani Joan Kantakuzeni, ndërsa e cilësojnë si shqiptare popullsinë e Epirit, nuk mungojnë të saktësojnë se shqiptarët epiriotë të kohëve të tyre janë pasardhësit e fiseve të dikurshme të tesprotëve, kaonëve e molosëve.
Trevat e Epirit ishin ato nga ku më së shumti e pati prejardhjen vala e madhe e shtegtimeve shqiptare e shek. XIV-XV drejt Greqisë. Megjithatë, edhe pas kësaj hemorragjie të madhe, regjistrimet osmane të shek. XV-XVI konfirmojnë praninë e një popullsie të madhe e kompakte shqiptare në gjithë shtrirjen e Epirit.
Në kuadrin e trevave shqiptare, Arbri (Arbanon-Arbanum-Raban) zinte në mesjetë një vend të veçantë. I vendosur në qendër të tyre, në hapësirën e përfshirë mes Lezhës-Dibrës-Ohrit-Vlorës, dhe i përshkruar mes për mes nga boshti i rrugës strategjike Egnatia, Arbri u bë bërthama e trojeve shqiptare në të cilën në mënyrë më konsekuente e intensive u zhvilluan proceset ekonomike, politike, kulturore e psikologjike, që plazmuan qenien historike të kombit shqiptar. Me të drejtë, studiues si M. Shuflai, K. Jireçek, G. Prinzig, M. Angold, e kanë vlerësuar këtë territor si "bërthamën e trojeve shqiptare".
Emri i vendit, Arbër, dhe i banorëve të tij, arbëreshë, trashëgohej nga kohët antike. Në fakt, në shek. II të erës sonë, gjeografi aleksandrin Ptolemeu, njoftonte praninë në këto territore të një fisi me emrin albanoi dhe të kryeqendrës së tyre, Albanopolis. Këta etnonimë iu trashëguan vendit dhe banorëve të tij edhe në mesjetë. Dhe falë rolit qendror që Arbri dhe arbrit luajtën në fatet historike të universit shqiptar, këta emra etnikë u shtrinë dora-dorës edhe në viset e tjera në veri, në jug e në lindje të tyre, ku banonte e njëjta popullsi.
Tashmë në shek. XIII, Shqipëri (Albania) dhe shqiptarë (Albanenses) quheshin trevat dhe popullsitë nga kufijtë e Dioklesë (Gentës) e deri në gjirin e Prevezës. Udhëtarët e huaj dallojnë në të gjithë këtë shtrirje një popullsi me tipare etno-kulturore unitare.

Shqiptarët e hershëm dhe “Kultura e Komanit”
Në vitin 1898 u ra në gjurmë të një varreze të madhe, pranë Kalasë së Dalmaces, në fshatin Koman të Pukës. Në vazhdim u zbulua një numër i madh varrezash të ngjashme, rreth 30, të përhapura kryesisht në Shqipërinë e Veriut e në atë të Mesme. Shpërndarja gjeografike, tipologjia, inventari dhe kronologjia e njëjtë e këtyre varrezave i ka shtyrë studiuesit të identifikojnë në to kulturën e hershme mesjetare shqiptare, të quajtur "Kultura e Komanit" (shek. VI-VIII). Në vitet e fundit zbulime të "Kulturës së Komanit" janë bërë edhe në Shqipërinë e Jugut si dhe përtej kufijve shtetërorë, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e në Greqi.
"Kultura e Komanit" është kultura e një populli që në shek. VI-VIII ishte në kapërcyell të dy epokave, nga ajo e vonë antike, në periudhën e hershme mesjetare. Tipologjia e varreve, orientimi i tyre, inventari i armëve, i veglave të punës dhe i stolive, me praninë e elementëve të shumtë të simbolikës ilire, e lidhin "Kulturën e Komanit" me të kaluarën ilire të këtyre trojeve dhe me banorët e lashtë të tyre, ilirët.
Por, përveç elementëve të vazhdimësisë ilire, "Kultura e Komanit" përmban edhe elementë të rinj, që lidhen me periudhën e hershme bizantine. Durrësi, baza më e rëndësishme e Perandorisë Bizantine në perëndim, ishte qendra nga ku në thellësi të trevave shqiptare mbërrinin importet dhe, në përgjithësi, ndikimet bizantine. Këto të fundit shquhen qartë në disa grupe stolish, si tokëza rripi, brosha të praruara, vathë etj. Por, mbi të gjitha, ndikimi bizantin materializohet në elementë të artit, pra dhe të besimit kristian. Të tillë janë vathët me motive palloi, skena të Eukarestisë ose unaza me formula e lutje të krishtera.

 
adminPublikuar: 2010-08-01, 11:32 AM, Diele| Postimi nr: 8
Major
Group: Administrators
Postime: 99
Reputacioni: 14
Status: Offline
Mesjeta shqiptare

Ndërkohë që në shumë nga stolitë e gjetura në varrezat e "Kulturës së Komanit" dallohet qartë mbijetesa e motiveve pagane (p.sh. disku diellor), prania edhe e motiveve kristiane dëshmon se bartësit e "Kulturës së Komanit" kishin përqafuar, ose ishin duke përqafuar, besimin e krishterë. Në këtë kohë, pra në shek. VI-VIII, krishterimi, i përhapur nga qendrat urbane, si Durrësi, Shkodra, Ohri etj., kishte mundur të depërtonte edhe në zonat e brendshme rurale, ku dëshmohet "Kultura e Komanit".
"Kultura e Komanit", qoftë në trashëgiminë e saj të kulturës së lashtë ilire, qoftë me elementet e reja të periudhës së hershme bizantine e, në fund, me shenjat e qarta të besimit të krishterë, është specifike për hapësirën ku dëshmohen shqiptarët në mesjetë. Ajo i dallon në mënyrë të qartë, bartësit e saj, shqiptarët, nga fqinjët e tyre të rinj e të vjetër, sllavët e grekët.

2. RURALIZIMI I JETËS NË MESJETËN E HERSHME

Kushtet natyrore
Tabloja mjaft e larmishme e kushteve natyrore përcaktoi në një shkallë të madhe ndarjen e trevave shqiptare në disa rajone bujqësore me drejtime e karakteristika të ndryshme të prodhimit.
Dallohej pa dyshim në këtë drejtim ajo që historiania bizantine e shek. XI-XII, Ana Komnena, e quan "fusha ilirike" dhe që njësohej me ultësirën perëndimore shqiptare, ku ndodheshin rajonet bujqësore dhe qytetet ndër më të begatat e Shqipërisë mesjetare. Këto vise ofronin kushte të përshtatshme për zhvillimin e një bujqësie intensive dhe për zbatimin e një agroteknike të përparuar. I tillë ishte rajoni i Shkodrës, ai i Durrësit (fusha e Skurrisë etj.), zona e Karavastasë si pjesë e fushës së Myzeqesë (Myzakia=vendi i Muzakëve) dhe treva tejet e begatë e Vagenetisë (Çamërisë) në skajin jugor. I gjithë ky rajon karakterizohej nga një pjellori relativisht e lartë e tokës dhe që deri në shek. XIV nuk ishte prekur ende nga dukuria e moçalizimit, që erdhi si rezultat i shpyllëzimeve masive dhe i braktisjes së tokave në prag të pushtimit osman. Drithërat (gruri, elbi, meli) përbënin produktin kryesor të këtyre zonave. Por po aq të dëgjuara ishin prodhimet e kopshtarisë, vreshtarisë e të blegtorisë. Kultura e ullirit kishte përhapje mjaft të gjerë, duke u shtrirë në veri deri në rrethinat e Ulqinit, të Shkodrës e të Drishtit, ndërsa kultura e mëndafshit (serikultura) qe e përqendruar në zonën e Shkodrës, Vlorës, Beratit e të Këlcyrës.
Në të gjithë ultësirën perëndimore shqiptare, ku dikur kishin lulëzuar latifondet e mëdha, edhe në kushtet e reja prona e madhe tokësore vazhdoi të ekzistonte në zotërim të personave laikë apo të institucioneve fetare. Këto të fundit dalin që herët si grumbulluese fondesh të mëdha tokësore. Që në shek. VI bëhet fjalë për prona të mëdha të kishës (patrimonia) në zonën e Shkodrës (të Prevalitanisë). Një pjesë e mirë e këtyre, bashkë me toka të tjera, figurojnë më vonë si pronë e manastireve të mëdha, katolike e ortodokse, të atij rajoni. Njëlloj të pasura me toka ishin edhe manastiret dhe peshkopatat e zonës së Durrësit, ato të Beratit apo të Vagenetisë në jug.
Njëkohësisht me institucionet fetare, fonde të mëdha tokash figurojnë në pronësi të personave laikë, që i përkisnin aristokracisë vendase por që, në ndonjë rast, ishin edhe fisnikë të huaj. Prania e këtyre të fundit, dhe në përgjithësi kontaktet që bregdeti i Adriatikut dhe ai i Jonit patën me Italinë, bënë që marrëdhëniet agrare të ndikoheshin aty nga modeli perëndimor i feudalizmit. Në dokumentet e shek. XIII-XV, që kanë të bëjnë me këto treva, ndeshet vazhdimisht një terminologji që flet për praninë aty të institucioneve feudale, tipike perëndimore, siç qe feudi (feudum), vasaliteti (vassallagium), betimi (juramentum), mbrojtja feudale (protectio), imuniteti (immunitas) etj.
Rajone të zhvilluara dhe dendësisht të banuara qenë edhe ato të rrafshnaltave ose luginave të brendshme të Kosovës, Dibrës, Ohrit, Korçës, Devollit, Matit, Këlcyrës, Drinit etj. Këto përshkoheshin nga një rrjetë e dendur rrugësh komunikimi dhe nuk përbënin kurrsesi enklava të izoluara. Edhe këtu, ashtu si në ultësirën bregdetare perëndimore, procesi i përqendrimit të tokave në pak duar ndodhi shpejt dhe pjesa më e madhe e fondit tokësor ndahej mes një grupi pronarësh të mëdhenj ose institucioneve fetare. Këto treva qenë në Shqipëri trevat ku gjeti përhapjen klasike feudalizmi i tipit bizantin, i mishëruar në institucionin e pronies.
Së fundi, rajoni i tretë ishte ai i malësive dhe i zonave të thella, që zinte një pjesë të mirë të territorit. Këtu peshën kryesore në veprimtarinë ekonomike e zinte blegtoria, kurse kultivimi i arave kufizohej në lugina e në ngastra të ngushta të hapura me mund në sipërfaqet e pjerrëta apo në pyjet. Karakteristikë e këtyre zonave ishte mobiliteti (lëvizshmëria) periodike e një pjese të popullsisë të lidhur kryekëput me ekonominë blegtorale dhe që përcaktohej nga ndërrimi i kullotave, nga mali në verë, në fushat bregdetare gjatë stinës së dimrit (tranzumanca). Ndonëse banesa e qëndrueshme e blegtorëve ndodhej në katundin malor, ndodhte shpesh që, gjatë shtegtimit me bagëtitë e tyre drejt fushave bregdetare, në dimër, ata të merrnin me vete edhe familjet, me të cilat sistemoheshin përkohësisht në kasolle të ngritura kryesisht me dru e kashtë. Jo rrallë kjo popullsi blegtorale, e vendosur përkohësisht gjatë muajve të dimrit në zonat fushore bregdetare, ngulej aty në mënyrë të qëndrueshme, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në strukturën dhe shpërndarjen e popullsisë. Nga ana tjetër, me zhvendosjet e saj të pandërprera nga fusha në mal e anasjelltas, kjo popullsi blegtore bëhej një faktor ndërlidhës midis sektorëve të ndryshëm të popullsisë shqiptare duke kontribuar në homogjenizimin e saj. Kështu, norma, doke dhe institucione të kahershme shqiptare, të ruajtura në malësi në format e tyre të pastra, me kohë zbritën dhe depërtuan edhe në shoqërinë shqiptare të zonave fushore bregdetare dhe të qyteteve, ndërkohë që praktika dhe institucione të shoqërisë "së qytetëruar" arritën deri në viset më të largëta malore, duke ndikuar në zhvillimet ekonomike, shoqërore, politike e kulturore të tyre.

Marrëdhëniet e pronës në fshatin shqiptar në shek. VIII-X.
Bashkësia fshatare dhe ngastrat ushtarake
Kalimi në periudhën e mesjetës edhe në Shqipëri e zhvendosi qendrën e gravitetit ekonomik në fshat, ku qe përqendruar edhe masa dërrmuese e popullsisë. Funksioni ekonomik i qyteteve u rrudh dhe këto, duke përjashtuar Durrësin edhe ndonjë tjetër, përgjithësisht mbijetuan si qendra administrativo-ushtarake e peshkopale. Disa syresh, si Skampa, Apolonia, Bylis, Amantia, Onkezmi, Euroia etj., pushuan së ekzistuari si qendra të banuara që në të dalë të periudhës antike.
Qeliza jetësore e shoqërisë shqiptare u bë bashkësia fshatare, një grupim njerëzish i organizuar mbi bazën e një territori të përbashkët dhe të interesave të përbashkët. Lidhjet e gjakut te bashkësia fshatare ruajnë deri diku rëndësinë e tyre, por ato nuk janë më kryesore, si dikur në bashkësinë fisnore. Organizimi në bashkësi e kapërcente në ndonjë rast kuadrin e një vendbanimi fshatar, duke përfshirë disa të tilla. Kështu lindën bashkimet krahinore, që u njohën si të tilla edhe në kuadrin e organizimit administrativ e kishtar bizantin. Duke filluar nga shek. VIII, të tilla në trevat shqiptare përmënden: Kunavia, Stefaniaka, Pulti, Devolli, Kolonja, Himara, Vagenetia.
Organizimi dhe funksionimi i bashkësive fshatare në Perandorinë Bizantine në fazën e hershme (shek. VII-VIII) pasqyrohet në një dokument juridik të kohës, në të ashtuquajturin "Ligji bujqësor" (nomos georgikos). Ligji në fjalë kishte vlerë për të gjitha territoret ballkanike të Perandorisë Bizantine dhe, në këtë kuadër, edhe për trojet shqiptare. Mjaft norma dhe institucione, që gjejnë pasqyrim në "Ligjin bujqësor", u futën në të drejtën dokesore dhe si të tilla mbijetuan deri në kohët e reja në fshatin shqiptar.
Është e qartë që "Ligji bujqësor" pasqyron gjendjen e bashkësive fshatare në fazën e shpërbërjes, kur prona private po karakterizonte gjithnjë e më shumë marrëdhëniet e pronës.
Fshatarët, të cilët jo rastësisht quhen aty "zot" (kyrios), kishin tokën e tyre arë, vreshtat, kopshtet, që, së bashku me shtëpinë dhe me bagëtitë, përbënin pasurinë kryesore vetjake të familjes fshatare. Mullinjtë, dhe shpeshherë edhe pyjet, ishin pronë e individëve të veçantë. Si pronë vetjake, arat, vreshtat, kopshtet, bagëtia etj., mund të trashëgoheshin, të shkëmbeheshin, të ndaheshin, të jepeshin me qira, të liheshin peng, madje më vonë edhe të shiteshin, veç brendapërbrenda bashkësisë. Pra, siç shihet, që në kohën e "Ligjit bujqësor" ekzistonin premisat ligjore për polarizimin shoqëror në gjirin e bashkësisë, nëpërmjet grumbullimit të mjeteve e pasurive në pak duar.
Dhunimi çfarëdo i pronës individuale ndëshkohej me masa që shkonin nga zhdëmtimi e deri në dënime të ashpra trupore, si me rrahje, damkosje me hekur të nxehtë, me verbim apo me prerjen e dorës. S'ka dyshim që ndëshkime të tilla të vrazhda pasqyrojnë ndikimin që ushtroi mbi të drejtën bizantine e drejta dokesore e popujve barbarë, që erdhën e u vendosën në territorin bizantin në shek. V-VII.
Me gjithë konsolidimin e pronës individuale, dispozitat e "Ligjit bujqësor" tregojnë se, në kohën e veprimit të tij, pronësia e përbashkët nuk ishte zhdukur përfundimisht. Kullotat, pyjet, ujërat, tokat djerrë, vazhdonin të ishin pronë e bashkësisë dhe të administroheshin nga kjo. Bashkësia kishte një fond tokash të lira e të papunuara, që herë pas here ua ndante sipas nevojave anëtarëve të bashkësisë duke zbatuar sistemin e shortit (kleros). Një mbeturinë e kohëve, kur tokat ishin pasuri e përbashkët, ishte edhe sistemi i "arave të hapura", sipas të cilit, me përfundimin e korrjeve, bagëtitë mund të kullosnin lirisht në ngastrat e njërit apo tjetrit. Po ashtu, arat e braktisura, pas një afati të caktuar, i ktheheshin përsëri bashkësisë. Kjo mund t`i përdorte për të kompensuar anëtarët e bashkësisë që kishin nevojë për ngastra të reja shtesë ose që dëshironin të ndërronin tokën e mëparshme. Bashkësia, gjithashtu, kujdesej për veprimtari me interes të përbashkët, për shfrytëzimin e ujrave, për pajtimin e barinjve që kullotnin tufat e fshatit dhe që i shoqëronin ato në shtegtimet nga kullotat verore në ato dimërore, për pajtimin e mjeshtërve zejtarë që kryenin punime për nevoja të bashkësisë dhe të anëtarëve të veçantë të saj.
Njësi bazë shoqërore e bashkësisë ishte familja e madhe patriarkale, që bashkonte disa breza dhe që drejtohej nga më plaku. Të parët e familjeve, pjesëtarë të bashkësisë, formonin "këshillin e pleqve", i cili trajtonte dhe zgjidhte në bazë të dokeve, të gjitha problemet që kishin të bënin me marrëdhëniet e brendshme të bashkësisë, si dhe me marrëdhëniet e saj me bashkësitë fqinje dhe me pushtetin qendror.
Gjithsesi, bashkësia fshatare pasqyron periudhën e pasigurisë, që karakterizoi kalimin nga koha e vjetër në kohën e mesme, të shoqëruar me përmbysje të mëdha ekonomike, shoqërore, etnike e kulturore. Duke u ofruar mbrojtje dhe solidaritet antarëve të saj, bashkësia fshatare përfaqësonte një zgjidhje të përshtatshme për përballimin e kushteve të reja.
Por ajo, siç lënë të kuptohet edhe vetë nenet e "Ligjit bujqësor", mbetej një formë organizimi shoqëror kalimtare drejt shoqërisë feudale. Farët e diferencimit shoqëror janë të dukshme në të. Dokumente të shek. VIII-X provojnë se në gjirin e bashkësive qe diferencuar shtresa e "të fuqishmëve" (dynatoi) apo e "të mëdhenjve" (megistanes). Inventari arkeologjik i varrezave të ndryshme të gjetura në vendin tonë, dhe që i përkasin kësaj periudhe të vënies në lëvizje të procesit të feudalizimit, ofron nga ana e tij prova të prekshme, materiale, të diferencimit shoqëror që po përvijohej në shoqërinë shqiptare.
Krahas varreve me objekte të çmuara, si unaza floriri, monedha e pajisje luftarake, gjenden më së shumti edhe varre me inventar të varfër, ku qenë varrosur ata që në "Ligjin bujqësor" quhen "të skamurit" (aporoi). Këta punonin ngastrat e të tjerëve dhe jepnin për këta të dhjetën e prodhimit ose punonin si rrogtarë të thjeshtë (mistotë).

 
adminPublikuar: 2010-08-01, 11:35 AM, Diele| Postimi nr: 9
Major
Group: Administrators
Postime: 99
Reputacioni: 14
Status: Offline
Mesjeta shqiptare

Përveç faktorëve të brendshëm, në diferencimin shoqëror në gjirin e bashkësive ndikoi dhe shteti. Duke e konsideruar bashkësinë një njësi fiskale, përveçse njësi administrative, shteti mblidhte prej tyre rregullisht detyrime, të cilat rëndonin jo njëlloj mbi anëtarët e bashkësisë. Për t`u shpëtuar tatimeve, të varfërit e gjenin shpesh herë rrugëzgjidhjen në shitjen apo braktisjen e ngastrave të tyre.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk sillte zvogëlimin e sasisë së rentës, që i jepej shtetit nga bashkësia, sepse ky zbatonte sistemin e garancisë kolektive (alelengyon), sipas të cilit bashkësia paguante edhe për ata anëtarë që nuk qenë në gjendje të paguanin ose që kishin braktisur ngastrat e tyre ose ua kishin shitur të tjerëve. Në këtë rast të fundit, me qëllim që të mos prishej homogjeniteti i bashkësisë, ligji përcaktonte se të drejtën për blerjen e një ngastre të një anëtari të bashkësisë e kishte së pari fqinji i tij e pastaj një pjesëtar çfarëdo i saj. Kjo normë, që synonte të pengonte depërtimin e pronarëve të huaj në bashkësi, quhej e drejta e parablerjes (protimesis).
Në kohën ku në Bizant sunduan perandorët e "dinastisë maqedone", shek. IX-XI, njohën një përhapje të gjerë të ashtuquajturat "ngastra ushtarake" (stratiotika ktemata). Këto shteti bizantin ua shpërndante bujqve me kusht që këta të kryenin shërbimin ushtarak. Sistemi i "pronave ushtarake" njohu përhapje të gjerë në kohën e riorganizimit politiko-administrativ të Perandorisë Bizantine dhe të ndarjes së territorit të saj në provinca ushtarake (tema). Sistemi i temave, themeli ekonomik e shoqëror i të cilit ishte prona e vogël e bujkut-ushtar (stratiotit), u bë shtylla kurrizore e shtetit dhe e ushtrisë bizantine. Ndaj perandorët bizantinë bënë të pamundurën për t`i ruajtur të paprekura "ngastrat ushtarake" nga sulmi i pronarëve të mëdhenj. Por nëse për një farë kohë ata ia arritën këtij qëllimi, duke nxjerrë edhe legjislacion të posaçëm në mbrojtje të pronës së vogël, me kalimin e kohës u pa qartë se procesi i gllabërimit të ngastrave të vogla ishte i pandalshëm. Rrënimi i këtyre të fundit, qofshin ato prona të stratiotëve apo të anëtarëve të bashkësive fshatare, shkaktoi fillimin e një krize të gjatë e të pandalshme ekonomike, financiare e ushtarake që përfundoi në fund të fundit me vetë shembjen e Perandorisë Bizantine.

3. ORGANIZIMI SHTETËROR DHE JETA POLITIKE

Regjimi i Temave në Shqipëri.
Tema e Durrësit
Ndonëse mbetej gjithnjë provincë bizantine, Shqipëria i humbi lidhjet e drejtpërdrejta me Perandorinë pas dyndjes e kolonizimit sllav në Ballkan. Strukturat shtetërore-administrative nuk funksiononin më, ndërkohë që në qytete apo jashtë tyre po zhvilloheshin struktura autonome të qeverisjes. Në qendrat e mëdha, si p.sh. në Durrës, fillon e bëhet fjalë për njerëz me ndikim e pushtet, përfaqësues të aristokracisë vendase (arkondët), të cilët luajnë rol gjithnjë e më të dukshëm në zhvillimet politike të vendit. Vetë pushteti bizantin, duke mos qenë në gjendje të vendoste një kontroll të fortë në provincat e tij të skajshme perëndimore, u detyrua të zbatonte këtu forma specifike organizimi e marrëdhëniesh, forma në të cilat elementët lokalë ishin shumë të rëndësishëm. Shembull tipik të këtyre marrëdhënieve të reja përbën në këtë kohë Durrësi dhe treva e tij (Epiri i Ri). Në shek. VII-VIII treva e Durrësit përfaqësonte një arkondat, ku pushteti dhe autoriteti ushtrohej nga arkondët vendas. Këta ishin bartës të autonomisë lokale dhe të vetëqeverisjes. Deri në fillim të shek. IX, Durrësi dhe gjithë prapatoka e tij kaluan një fazë vetëqeverisjeje dhe autonomie. Arkondë të tillë, me atribute pushteti, ndeshen në të njëjtën kohë edhe gjetkë, si në Vageneti (Çamëri), në Kolonjë etj.
Zbehja e rrezikut arab, në lindje, dhe keqësimi i situatës në zotërimet bizantine në Ballkanin Perëndimor dhe në Italinë e Jugut, si rezultat i sulmeve të sllavëve e të frankëve, e shtyu Perandorinë Bizantine të kalojë në një organizim të ri administrativ në këto treva, në atë të temave.
Dihet se regjimi i temave, ose i provincave ushtarake, filloi të zbatohej që nga shek. VII në viset me emergjencë ushtarake. Ai bazohej në thelb në rekrutimin e një ushtrie vendase në radhët e fshatarësisë së lirë, e cila në këmbim të tokës, ofronte shërbimin ushtarak. Në krye të temës qëndronte strategu i emëruar drejtpërdrejt nga perandori bizantin, i cili përqendronte në duart e tij si pushtetin ushtarak, ashtu edhe atë civil. Pas tij vinin funksionarë vartës, si pretori, nënstrategët, kartularët, klisarkët etj.
Ndër këto ofiqe, pretori dhe kartulari kishin karakter civil: pretori merrej me shqyrtimin e çështjeve gjyqësore dhe dërgohej nga pushteti qendror, kurse kartulari kryente detyrat e sekretarit të strategut. Ndër detyrat e tij kryesore ishte ndjekja e procesit të rekrutimit të trupave ushtarake, ajo e problemeve financiare të kancelarisë etj. Nënstrategët e klisarkët, që dëshmohen si pjesëtarë të hierarkisë drejtuese në Temën e Durrësit, kryenin detyra kryekëput ushtarake në njësitë përbërëse të Temës apo në sektorët me rëndësi të posaçme strategjike, siç qenë klisurat (ngushticat) që kontrollonin lëvizjet në rrugëkalimet kryesore.
Në shek. X në krye të Temës së Durrësit gjejmë një katepan që kishte në juridiksion edhe zotërimet bizantine të Puljes (Itali). Në shek. XI komandanti i Temës së Durrësit thirret tashmë me titullin dukë.
Organizimi i ri i temave synonte të konsolidonte forcën ushtarake bizantine nëpërmjet krijimit të një ushtrie që rekrutohej në vend nga radhët e stratiotëve ose bujqve ushtarë, që kishin të drejtën e shfrytëzimit të një parcele toke kundrejt kryerjes së shërbimit ushtarak. Mjaft të dhëna historike provojnë se, në fakt, forcat ushtarake të strategut të Durrësit përfaqësoheshin nga rekrutët vendas (enkoroi dynameis).
Themelimi i Temës së Durrësit bie me siguri në dhjetëvjeçarët e parë të shek. IX. Si terminus ante quem mund të konsiderohet një letër e vitit 826 e patrikut të Konstandinopojës, Teodor Studiti, për kryepeshkopin e Durrësit, Antonin, ku bëhet fjalë pikërisht edhe për një funksionar laik, Thomanë, në atë kohë me detyrën e hipatit e të kartularit në Durrës.
Juridiksioni i Temës së Durrësit shtrihej prej Tivari në veri, në Gjirin e Vlorës në jug e në një thellësi drejt lindjes, që kapte rrjedhën e lumit Drin. Territoret e tjera shqiptare, që dilnin jashtë kuadrit të Temës së Durrësit, u përfshinë në temat fqinje të Nikopojës, që shtrihej në kufijtë e provincës së dikurshme të Epirit të Vjetër, të Selanikut, e cila kishte nën juridiksionin edhe viset e Kosovës e të Maqedonisë Perëndimore, dhe të Dalmacisë. Të gjitha këto tema u krijuan gjatë shek. IX. Vonë, në vitet e para të shek. XI, në viset e Maqedonisë Perëndimore u krijua një temë e re, qendra e së cilës ishte Shkupi.
Tema e Durrësit ishte në qendër të sistemit mbrojtës bizantin në zotërimet e perëndimit. Kjo është arsyeja që, në raste të veçanta, nën urdhrat e strategut të Durrësit viheshin edhe forcat ushtarake të temave fqinje, përfshirë ato të Italisë bizantine. Si rregull, veprimtaria e ushtrisë së temës përmblidhej brenda kufijve të temës përkatëse. Por, në raste të veçanta, ushtria apo reparte të veçanta të ushtrisë së temës dërgoheshin të vepronin edhe në fronte të tjera, siç ndodhte, p.sh. me luftëtarë nga Tema e Durrësit që dërgoheshin të luftonin në Italinë e Jugut.
Një karakteristikë dalluese për temën e Durrësit ishte roli i madh që elementi vendës shqiptar luante në strukturat administrative e ushtarake të saj. Ushtria e temës bazohej në rekrutët vendas. Nga ana tjetër, edhe elementë të aristokracisë vendase luanin një rol të rëndësishëm duke u integruar në sistemin e temës e duke luajtur shpeshherë një rol parësor në drejtimin e saj. Një rol të tillë ka luajtur p.sh. gjatë shek. X-XI familja e Krisilëve nga Durrësi. Pinjollë të saj u nderuan deri me titujt e lartë proteuon apo patric nga pushteti bizantin. Në vitet e fundit të shek. X e në fillimet e shek. XI, fati i vetë qytetit të Durrësit e rrethinës së tij ishte në duart e fisnikut Gjon Krisili, i cili ia dorëzoi një herë qytetin carit Samuel e ca vjet më vonë ia kaloi atë perandorit bizantin Bazili II. Aty nga viti 1040 i biri i Gjonit arriti të emërohej nga perandori bizantin komandant i ushtrisë së Temës së Durrësit dhe i forcave lokale që do të shkonin të shtronin Dioklenë, që kishte ngritur krye kundër sundimit bizantin. Pinjollë nga familje fisnike shqiptare të Temës së Durrësit, si Skurra, Vrana, Arianiti, Muzaka etj., arritën të zinin poste të rëndësishme në administratën e Temës. Madje, ndonjë syresh ngjiti shkallët e karrierës edhe në administratën qendrore.
Duke lënë mënjanë brezin bregdetar të Adriatikut, bërthamën e Temës së Durrësit e përbënte vendi i Arbrit (greq. Al® banon, lat. Al ® banum, sllav. Raban), me një fjalë treva e përfshirë midis Lezhës, Vlorës, Ohrit e Dibrës. Vendi i Arbrit përfaqësonte mbështetjen kryesore të Temës së Durrësit. Prej andej vinin kontingjentet kryesore ushtarake të Temës. Rëndësia e Arbrit ishte e tillë që, në një moment të caktuar, tema e Durrësit filloi të quhej "Tema e Durrësit dhe e Arbrit". Një emërtim i tillë veç rëndësisë shprehte edhe individualitetin dhe pavarësinë e kësaj krahine brenda kuadrit të temës së Durrësit. Në fakt, Arbri ishte treva ku më tepër se në çdo trevë tjetër shqiptare, proceset politike kishin çuar që herët në krijimin e një autonomie relative ndaj pushtetit bizantin.
Autori bizantin i shek. XI, Mihal Ataliati, e ka fjalën pikërisht për trevën e Arbrit kur thotë se marrëdhëniet e shqiptarëve (Albanoi) me pushtetin bizantin ishin ndërtuar mbi bazën e sistemit të izopolitisë. Por nuk përjashtohet që pohimi i tij të vlejë, ku më shumë e ku më pak, edhe për treva të tjera shqiptare. Sistemi i izopolitisë ishte një sistem i privilegjuar marrëdhëniesh të një komuniteti të caktuar me pushtetin bizantin. Në thelb ai përfaqësonte një lloj statusi federimi, që Perandoria Bizantine u akordonte popujve dhe bashkësive të tjera, me të cilat i lidhte feja dhe përbashkësia e interesave. Statusi i izopolitisë iu akordua nga Bizanti për ca kohë edhe Venedikut. Izopolitia nënkuptonte njohjen e një autonomie të gjerë, përjashtimin nga taksat e detyrimet kryesore, si dhe privilegje të tjera. Detyrimi kryesor i parashikuar nga një sistem i tillë kishte të bënte me furnizimin me trupa ushtarake, të drejtuara nga komandantë vendas, që viheshin në dispozicion të strategut bizantin (në rastin tonë të strategut të Durrësit) në rast fushatash ushtarake.
Të përfshira në ushtrinë bizantine, trupat e Arbrit vepronin jo vetëm në Temën e Durrësit, por edhe jashtë saj, si edhe në vende të tjera, Maqedoni, Greqi, Itali etj. Gjithsesi ato përbënin një strukturë të veçantë, që dallohej nga masa tjetër e ushtrisë bizantine. Forca ushtarake, që treva e Arbrit arrinte të nxirrte në shekujt e mesjetës së hershme, përbënte edhe bazën e statusit të veçantë autonom që ai gëzoi në marrëdhëniet me Perandorinë Bizantine.

 
adminPublikuar: 2010-08-01, 11:35 AM, Diele| Postimi nr: 10
Major
Group: Administrators
Postime: 99
Reputacioni: 14
Status: Offline
Mesjeta shqiptare

Lufta kundër ikonave dhe efektet e saj në Shqipëri
Në kohën e sundimit të Leonit III (717-741), Perandoria Bizantine u përfshi nga një konflikt i ashpër i brendshëm fetar. Në thelb të tij qëndronte interpretimi i ndryshëm që i bëhej rolit që kishin imazhet e shenjta (ikonat) kishin në besimin e krishterë. Duke filluar nga koha e Justinianit kulti i ikonave të shenjtorëve (ikonolatria) njohu një përhapje aq të gjerë në kishën bizantine, saqë u kthye në një nga format kryesore të shprehjes së ndjenjës fetare. Kishat e manastiret u mbushën aso kohe me ikona shenjtorësh të çmuara e të kushtueshme, duke u bërë njëherësh tregues i luksit dhe i pasurisë në të cilin notonin kleri dhe institucionet fetare. Një gjë e tillë ushqente pakënaqësi në një masë të gjerë njerëzish të çdo niveli shoqëror, të cilët mendonin se kisha duhej të ishte si në kohën e apostujve, e varfër dhe e virtytshme. Nga ana tjetër, nuk mungonin edhe në vetë gjirin e kishës prirje kundër kultit të ikonave, sipas të cilave një kult i tillë s’kishte asgjë të përbashkët me krishterimin, si fe krejtësisht shpirtërore. Këto prirje ishin më të forta në provincat lindore të Bizantit, tokë gjithnjë pjellore për lëvizje fetare, ku vazhdonin të mbijetonin mbeturina të monofizizmit dhe ku atë kohë po forcohej dhe po shtrihej sekti i pavlikanëve, që luftonte kundër çdo forme kulti fetar.
Më në fund, lufta kundër kultit të ikonave ishte rezultat i ndikimit që ushtronin mbi krishterimin bizantin feja islame dhe ajo hebraike, me të cilat Bizanti ishte në kontakt të vazhdueshëm. Të dyja këto fe janë prerazi kundër çdo forme të riprodhimit në figurë të shenjtorëve të vet. Në këtë mënyrë, lufta kundër kultit të ikonave (ikonoklastia) kishte rrënjë të thella fetare, kulturore e shoqërore.
Perandor Leoni III, duke ndërmarrë hapur betejën kundër kultit të ikonave, synonte në radhë të parë të afirmonte fuqinë e pushtetit qendror mbi pushtetin e pakufizuar të institucioneve fetare si dhe mbi provincat, veçanërisht ato periferike, që jo rastësisht u rreshtuan në krahun e adhuruesve të ikonave. Ikonoklastia ndeshi në kundërshtim të ashpër në provincat bizantine të Italisë e të Ilirikut, që ishin nën juridiksionin kishtar të Papës së Romës. Megjithatë edhe këtu ikonoklastia nuk mungoi të bëjë për vete përkrahësit e vet. Kështu, nga dy letra që teologu i njohur bizantin, Teodor Studiti, i dërgoi në vitet 820, kryepeshkopit të Durrësit, Antonit, dhe një murgu tjetër po nga Durrësi, Dionisit, mësohet se ikonoklastia ishte përqafuar në atë dioqezë edhe nga përfaqësues të klerit rregullar (murgjit), të cilët përgjithësisht qenë kundërshtarët më të rreptë të saj.
Nuk ka prova se lufta e ikonave do të ketë marrë në trevat shqiptare format e ashpra që pati në pjesë të tjera të Perandorisë Bizantine. Megjithatë, në kuadrin e saj ndodhi një ngjarje me rëndësi të madhe për zhvillimet jo vetëm kishtare, por edhe për ato politike në trevat shqiptare. Perandori ikonoklast Leoni III i shkëputi ato nga juridiksioni i Papës së Romës dhe i vuri nën varësinë e drejtpërdrejtë të Patriarkatit të Konstandinopojës (732). Ky hap, i shoqëruar edhe me krijimin, në fillim të shek. IX, të temës bizantine të Durrësit e asaj të Nikopojës, ndikoi së tepërmi në forcimin e kontrollit të pushtetit qendror në këto provinca perëndimore të Perandorisë.

Trevat shqiptare dhe Mbretëria Bullgare (shek. IX-X)
Një ndër arsyet kryesore të krijimit të Temës së Durrësit në gjysmën e parë të shek. IX kishte qenë përballimi i presionit sllav, përkatësisht i atij bullgar. Që nga fundi i shek. VII, nga shkrirja e fiseve sllave dhe atyre bullgare (me origjinë turke), u krijua midis Danubit e maleve Ballkan shteti i parë ballkanik sllav, Mbretëria Bullgare, e cila shumë shpejt u bë një rrezik i madh për Perandorinë Bizantine. Aty nga mesi i shek. IX shteti bullgar i kishte shtrirë kufijtë e tij në Maqedoni dhe, nën mbretin Boris (852-879), përfshiu edhe brezin midis lumit Devoll e Vjosë. Kështjellat e Devollit dhe e Pulkeropolit (Beratit) u bënë baza të pushtetit bullgar në këto anë. Në vitin 864 Borisi përqafoi së bashku me popullin e vet, fenë e krishterë, duke marrë emrin Mihal. Feja e re i dha kohezionin e duhur shtetit sllavo-bullgar dhe i lejoi atij shtrirjen e mëtejshme në territoret bizantine. Në kohën e Simeonit (894-927), Bullgaria arriti shtrirjen e saj më të gjerë. Me përjashtim të Durrësit e të Shkodrës, Simeoni pushtoi krejt viset në Shqipërinë Qendrore e të Poshtme. Në jug ai mori Vlorën e një pjesë të mirë të Temës së Nikopojës. Në vitin 913 perandori bizantin Konstandini VII u detyrua t'i njihte Simeonit titullin “Perandor i Bullgarisë” dhe të martohej me një vajzë të carit bullgar. Ndërkohë prej vitesh Perandoria Bizantine ishte e detyruar t'u paguante bullgarëve një haraç të përvitshëm.
Por paqja bullgaro-bizantine nuk vazhdoi gjatë. Në vitet që ndoqën ushtritë e Simeonit sulmuan Durrësin dhe shkretuan rrethinat e tij. Më 918 bullgarët u shtynë në jug nëpër Temën e Nikopojës dhe mbërritën në Gjirin e Korintit.
Gjithsesi ëndrra e car Simeonit, për të krijuar një perandori bullgare në vend të asaj bizantine, përfundoi me vdekjen e papritur të tij më 27 maj 927. Trashëgimtarët e tij, Pjetri e Borisi, nuk ishin në lartësinë e Simeonit dhe u detyruan të njihnin, kush më shumë e kush më pak, sovranitetin bizantin.
Pushtimi bullgar la shenja të dukshme edhe në trevat shqiptare, sidomos në korridorin që zgjatej nëpër luginën e lumit Devoll e deri në bregdet, ku ai vazhdoi të ruhet deri në fillimet e shek. XI. Në krye të krahinave të veçanta këtu u vunë bujarë bullgarë, të cilët shpeshherë sollën me vete njerëzit e tyre, përfshirë edhe klerikë bullgarë, që ndihmuan për depërtimin e një kulture sllavo-bizantine në këto treva. Në gjysmën e dytë të shek. IX në zonën e Ohrit, Korçës, Devollit, Beratit zhvilloi aktivitetin e tij misionar Klementi i Ohrit, dishepull i Cirilit e Metodit, i cili punoi për vite me radhë për hapjen e shkollave e të kishave sllave. Nga kjo kohë trevat midis rrjedhës së Devollit e të Vjosës u përfshinë në ndikimin kishtar e kulturor të Ohrit, të cilin bullgarët e kthyen në qendër të Patriarkatit të pavarur bullgar. Me pushtimin bullgar të shek. IX-X lidhet edhe lulëzimi i disa qendrave të rëndësishme ushtarako-administrative e kishtare, siç ishin Devolli, Glavinica (Ballshi) etj. Në bazilikën madhështore të Ballshit u gjet në fillimet e shek. XX edhe një mbishkrim i gdhendur, që kujtonte kthimin e Boris-Mihalit dhe të popullit bullgar në fenë e krishterë më 864.
Pas disa dekadash nënshtrimi ndaj Perandorisë Bizantine, si rezultat i një kryengritjeje antibizantine që pati për epiqendër Maqedoninë, në fronin bullgar erdhi car Samueli (976-1014). Nën sundimin e tij, qendra e shtetit bullgar u zhvendos nga lindja, Preslavi, në Prespë e në Ohër. Në këtë kuadër trevat shqiptare morën një rëndësi të dorës së parë dhe u përfshinë për së afërmi në konfliktin e gjatë midis Samuelit dhe Perandorisë Bizantine. Car Samueli bashkoi nën sundimin e tij krejt Maqedoninë deri në Selanik, trevën e vjetër bullgare midis Danubit dhe vargmaleve Ballkan, si dhe Thesalinë, Temat e Nikopojës e të Durrësit, si dhe Dioklenë e Rashën në Veri. Nën sundimin e tij u rimëkëmb Patriarkati i pavarur bullgar, i cili vendosi përfundimisht selinë në Ohër, kryeqendra e Samuelit.
Dëshmitë historike tregojnë se car Samueli nuk synoi të sjellë një përmbysje në strukturat administrativo-ushtarake të trevave shqiptare të pushtuara prej tij. Kështu, në Diokle, ai la në pushtet princin Gjon Vladimir, të cilit për më tepër i ofroi dorën e vajzës së tij, Kozarës. Në Durrës, pas vitit 997, Samueli nuk i preku privilegjet dhe pushtetin e parisë së qytetit, që përfaqësohej nga familja e fuqishme e Krisilëve. Gjon Krisili, proteuon i qytetit, e kishte favorizuar kalimin e qytetit në duart e Samuelit. Aleanca e carit bullgar me Krisilët e parinë durrsake u vulos edhe me martesën e tij me të bijën e Gjon Krisilit. Në trevën e Vlorës e të Beratit, Samueli ia besoi komandën pinjollit të një familjeje fisnike vendase, Elinagër Frëngut. Po kështu veproi në Devoll, Kolonjë, Vageneti e gjetkë. Shtrirja e pushtetit të Samuelit në këto vende u lehtësua edhe për faktin se ai zbatoi një sistem të ri detyrimesh ndaj fshatarësisë, i cili mbështetej mbi kontributet në natyrë e në lehtësira të tjera.
Kundërshtar i car Samuelit, që në fillim të sundimit të tij, ishte perandori i ri bizantin, Bazili II, i mbiquajtur "Bullgarovrasësi", (976-1025). Përpjekja e parë serioze e tij për të goditur perandorinë e Samuelit përfundoi me disfatë më 986 në afërsi të Sofjes (Serdika). Pas kësaj, perandor Bazili II kërkoi të gjejë aleatë në vetë trevat e pushtuara nga cari bullgar. Në vitin 1001 shpërtheu kundërofensiva e madhe bizantine e Bazilit II.
Në vitin 1004 Shkupi u kthye në duart e bizantinëve e pas një viti, si rezultat i një marrëveshjeje të fshehtë me proteuonin Gjon Krisili, edhe Durrësi iu dorëzua perandorit Bazili II. Qeveritari i vënë aty nga Samueli, Torona, dhëndër i carit bullgar, u arratis në oborrin bizantin. Me anë premtimesh e të marrëveshjeve paraprake, Bazili II arriti të bëjë për vete edhe qeveritarë e fisnikë të tjerë lokalë në Berat e në Devoll. Pak nga pak rrethi u shtrëngua rrotull Ohrit, kryeqendrës së Samuelit. Në qershor 1014, Bazili II i shkaktoi një disfatë të rëndë ushtrisë bullgare në ngushticat e malit Belashik, në rrjedhën e sipërme të Strumës. Rreth 15 000 luftëtarë të Samuelit u zunë robë. Vetë Samueli i shpëtoi me vështirësi kapjes dhe u strehua në kështjellën e Përlepit. Bazili II urdhëroi të verbohen robërit bullgarë dhe t'i dërgoheshin carit të tyre në Përlep. Pamja makabër e kësaj ushtrie të verbër e tmerroi Samuelin që vdiq në vend (6 tetor 1014).

 
adminPublikuar: 2010-08-01, 11:36 AM, Diele| Postimi nr: 11
Major
Group: Administrators
Postime: 99
Reputacioni: 14
Status: Offline
Mesjeta shqiptare

Vdekja e Samuelit shoqëroi edhe shpërbërjen e perandorisë ballkanike të tij. Ivan Vladislavi (1015-1018) u përpoq të vendoste përsëri hegjemoninë bullgare në provincat perëndimore të Dioklesë, Durrësit e të Nikopojës. Por, në shkurt të vitit 1018, gjatë një sulmi mbi Durrës, cari i fundit i Perandorisë Bullgare mbeti i vrarë. Pas kësaj, Bazili hyri triumfues në Ohër, ndërkohë që ushtria e tij i shuajti vatrat e fundit të qëndresës bullgare në lartësitë e Tomorrit, në Vlorë e në Thesali.
Pavarësisht nga egërsia me të cilën Bazili II asgjësoi Perandorinë Bullgare ndaj vendeve e popullsive, që futi përsëri nën sundimin bizantin, ai ndoqi një politikë të matur. Kështu, ai la këtu në fuqi edhe paskëtaj sistemin e detyrimeve në natyrë, të vendosur gjatë sundimit bullgar. Bujqit edhe paskëtaj i detyroheshin shtetit një mod grurë, një mod miell dhe një shtambë verë. Patriarkati i Ohrit vërtet u ul prej tij në shkallën e kryepeshkopatës, por edhe kështu Bazili II i njohu kësaj një sërë privilegjesh që kisha e Ohrit i kishte fituar në kohën e sundimit bullgar. Po kështu nuk u prek juridiksioni i kryepeshkopatës së Ohrit, e cila me gjithë protestat e kryepeshkopatave fqinje, veçanërisht asaj të Durrësit, vazhdoi të ketë në varësi mjaft peshkopata që s'kishin qenë sufragane të sajat dhe që ishin bërë të tilla nën sundimin bullgar. Këto të fundit perandori Bazili II i pajisi me toka e bujq me anë diplomash të veçanta. Me toka, privilegje, tituj dhe me ofiqe Bazili II pajisi edhe ata krerë shqiptarë, që gjatë luftërave me Samuelin kishin qëndruar në krah të tij. Njërit prej tyre, patricit David Arianiti, që llogaritej ndër komandatët më të shquar të tij në betejat me bullgarët, perandori i besoi postin e rëndësishëm e delikat të strategut të Temës së porsakrijuar të Shkupit. Kjo Temë së bashku me Temën tjetër të Paradunavit (Bullgari) kishin për detyrë të kontrollonin territoret e mbretërisë së dikurshme bullgare dhe të shtypnin që në embrion çdo përpjekje të re për shkëputje nga Bizanti.
Në krye të Temës së Durrësit, pikëmbështetja kryesore e bizantinëve në bregdetin Adriatik, u vu një dukë, njëlloj si në Temën e Selanikut, gjë që nënvizonte rëndësinë e veçantë të saj. Po kështu u veprua më vonë edhe me Temën e Shkupit.

Kriza e regjimit të temave dhe revoltat e dukëve bizantinë
të Durrësit në gjysmën e dytë të shek. XI
Kryengritja e madhe panballkanike e viteve 1040-1041, si dhe ajo e vitit 1073, që patën jehonë të thellë edhe në trevat shqiptare, paralajmëruan një periudhë të tërë trazirash e revoltash, që tronditën nga themelet Perandorinë Bizantine. Krahas lëvizjeve masive fshatare, periudhën 1040-1081 e karakterizojnë edhe një varg rebelimesh ushtarake të nxitura dhe të drejtuara nga komandantët (strategët) e temave të veçanta. Shqipëria e posaçërisht Tema e Durrësit u bë në ato vite një nga pikat më të nxehta të Perandorisë Bizantine.
Revoltat ushtarake të gjysmës së dytë të shek. XI, mes të cilave edhe revoltat e strategëve (dukëve) të Durrësit, qe një pasqyrim i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të brendshme që po pësonte në atë kohë Perandoria Bizantine dhe që lidhen kryesisht me zhvillimin e marrëdhënieve feudale. Pas vdekjes së Perandorit Bazili II dhe fundit të dinastisë maqedone me Konstandinin IX Monomahos (1042-1055), mori fund edhe epoka e karakterizuar nga prona e vogël e lirë e bujkut-ushtar (stratiotit). Deri në atë kohë, e mbrojtur me fanatizëm prej perandorëve bizantinë, që hartuan për këtë qëllim edhe një legjislacion të posaçëm, prona e vogël u la paskëtaj në mëshirën e pronarëve të mëdhenj, që në kurriz të saj filluan të zgjerojnë zotërimet e tyre. Një proces i tillë i gllabërimit të pronës së vogël të lirë dhe i ekspansionit të pronës së madhe feudale, kërcënonte me rrënim klasën e madhe të ushtarëve-bujq, të cilët për më se një shekull kishin qenë shtylla kurrizore e shtetit bizantin, përsa kohë bujqit shqiptarë qenë furnizuesit kryesorë të financave dhe të ushtrisë bizantine. Por bashkë me rënien e klasës së bujqve-ushtarë binte roli edhe i kastës së krerëve ushtarakë, strategëve, ndërkohë që rritej pesha e pronarëve të mëdhenj të tokave dhe e aristokracisë burokratike të kryeqytetit bizantin, Konstandinopojës.
Këto zhvillime të reja në gjirin e perandorisë Bizantine prekën nga afër Shqipërinë, që ishte vendi klasik i fshatarësisë së lirë dhe i stratiotëve. Ndaj, disa nga kryengritjet ushtarake më të fuqishme të shek. XI patën si teatër kryesor pikërisht trojet shqiptare.
Në vitin 1043 ngriti krye kundër pushtetit qendror Georg Maniaku, komandat bizantin i shquar nga luftimet kundër arabëve dhe normanëve në Sicili dhe Italinë e Jugut. Rritja e autoritetit të Maniakut nuk shihej me sy të mirë nga strategu i ri bizantin i Italisë, Mihal Dokianos, dhe nga vetë perandor Konstantini IX, i cili e shkarkoi atë nga detyra. I mbështetur nga repartet e tij besnike, midis të cilave shquheshin kontingjentet e ardhura nga Arbri, Maniaku dha sinjalin e kryengritjes në Sicili, ku trupat e tij e shpallën perandor. Në krye të tyre ai zbarkoi në Durrës dhe i përkrahur nga vendasit, që iu bashkëngjitën ushtrisë së tij bizantino-shqiptare, iu drejtua Selanikut nëpër Rrugën Mbretërore (Egnacia). Ushtria e kryengritësve përparoi në Maqedoni pa hasur pengesa, derisa në vendin e quajtur Ostrov u ndesh me ushtrinë perandorake. Vrasja aksidentale e Georg Maniakut, në kohën kur fitorja për kryengritësit ishte e sigurt, solli shuarjen e lëvizjes.
Megjithatë, ecuria e kryengritjes së Georg Maniakut tregoi qartë se Shqipëria, e veçanërisht Tema e Durrësit në vendin e Arbrit (Arbanon) ishin kthyer tashmë në një terren pjellor për ngjarje të tilla. Historiani bizantin i shek. XI, Mihal Ataliati, shprehet se në atë kohë shqiptarët, dikur aleatë të Perandorisë Bizantine (symmachioi), u bënë "papritur" kundërshtarë të saj (polemioi). Një zhvillim i tillë në marrëdhëniet e shqiptarëve me Bizantin, posaçërisht i atyre të trevës së Arbrit, nuk vonoi të pasqyrohej edhe në vetë marrëdhëniet e Temës së Durrësit me pushtetin qendror. Me pakënaqësitë e popullsisë shqiptare bashkoheshin shpeshherë edhe vetë dukët e Temës së Durrësit. Këta po shqetësoheshin gjithnjë e më shumë nga rrudhja e vazhdueshme e kompetencave sa në fushën ushtarake aq edhe në atë civile. Në fakt, pas vdekjes së Bazilit II, ushtria bizantine filloi të mbështetej gjithnjë e më shumë në angazhimin e trupave mercenare të dërguara nga qendra, gjë që e dobësonte rolin e ushtrisë së Temës të rekrutuar tek elementi vendas dhe të drejtuar nga strategu i Temës. Nga ana tjetër, edhe kompetencat e strategut të Temës në lëmin e pushtetit civil u rrudhën në favor të nëpunësve, siç ishte gjykatësi i Temës (krites apo pretor), që varej drejtpërsëdrejti nga qendra dhe që tani trajtonte çështjet e administratës civile. Tronditjet e mëdha shoqërore të atij shekulli, si dhe vështirësitë e jashtme në lindje të Perandorisë Bizantine në marrëdhëniet me Perëndimin dhe me turqit selxhukë, kontribuan për të krijuar terrenin e përshtatshëm për kryengritjet e mëdha të strategëve ushtarakë të Durrësit të gjysmës së dytë të shek. XI. Tema e Durrësit u bë në atë kohë njëra nga vatrat kryesore të kryengritjeve ndaj pushtetit qendror bizantin. I pari ndër strategët e Durrësit, që ngriti krye kundër Konstandinopojës, ishte proedri Niqifor Brieni. Ky kishte qenë më përpara strateg i Temës së Shkupit, ku kishte shtypur kryengritjen e vitit 1073. I transferuar në Temën e Durrësit nga mesi i viteve 70, Brieni ishte dalluar në mbrojtjen e kufijve veriorë në luftë me sllavët kroatë si dhe me diokleasit. Njëherësh ai u ballafaqua edhe me sulmet pirateske të anijeve të normanëve të Italisë, të cilët tashmë synonin të shtriheshin drejt Lindjes, në territoret e Perandorisë Bizantine.
Në tetor të vitit 1077, strategu Niqifor Brieni dha sinjalin e kryengritjes kundër perandorit Mihal VII Dukas. Kronistët bizantinë të kohës pohojnë njëzëri se me kryengritësin Niqifor u bashkua popullsia vendase e Temës së Durrësit si dhe mjaft fisnikë vendas, në mes të të cilëve Bazil Kurtiqi nga Arbri. Niqifori e deklaroi të rrëzuar perandorin Mihal dhe, pasi e shpalli veten perandor, iu drejtua Konstandinopojës me një ushtri që rrugës vinte e zmadhohej me vullnetarë të rinj. Në Adrianopojë Brienin e prisnin kryengritës të tjerë të organizuar nga i vëllai, Johani. Por në të dalë të qytetit forcat kryengritëse u ndeshën me ushtrinë perandorake, të cilën tashmë e komandonte Aleks Komneni, një ndër gjeneralët bizantinë më të shquar të të gjitha kohërave. Ushtria kryengritëse u thye dhe mbeturinat e saj u shpërndanë.
Ndërkohë që Brieni me kryengritësit e tij ishin nisur në drejtim të Konstandinopojës, në Durrës kishte hyrë Niqifor Baziliaku, i emëruar dukë i Durrësit pas rebelimit të të parit. Por edhe duka i ri i Durrësit nuk vonoi dhe, vetëm pak muaj pas Brienit, u vetëshpall perandor dhe ngriti krye kundër qendrës.
I mbështetur nga paria dhe kleri vendas, ku u shqua peshkopi i Devollit, Teodori, ai grumbulloi forca të shumta shqiptaro-bizantine, ku nuk mungonin edhe mercenarë nga perëndimi. Në krye të tyre ai u nis nga Durrësi, kaloi Ohrin dhe iu drejtua qytetit të dytë të Perandorisë, Selanikut. Fillimisht perandori Niqifor III Botoniati u përpoq ta bindte kryengritësin të hiqte dorë nga marshimi mbi kryeqytet, duke i premtuar falje e tituj të rinj finikërie. Baziliaku e refuzoi ofertën dhe kështu u arrit në një betejë të përgjakshme me forcat qeveritare, të cilat i komandonte përsëri Aleks Komneni. Kryengritësit u shpartalluan dhe vetë Baziliaku u çua në pranga në Konstandinopojë.

 
adminPublikuar: 2010-08-01, 11:36 AM, Diele| Postimi nr: 12
Major
Group: Administrators
Postime: 99
Reputacioni: 14
Status: Offline
Mesjeta shqiptare

Kryengritjet e mëdha antibizantine të shek. XI
Bazili II ishte perandori i fundit i dinastisë maqedone që mundi të ruajë ekuilibrin e brendshëm shoqëror e politik midis interesave të shtetit, atyre të aristokracisë feudale dhe të fshatarësisë së lirë, si dhe të stratiotëve që përbënin shtyllën kurrizore të shtetit bizantin. Me vdekjen e tij (1018) ky ekuilibër u prish: aristokracia feudale, civile apo ushtarake filloi t'i rrisë në mënyrë të pakontrolluar pronat e veta duke gllabëruar pronën e vogël. Pronarët e vegjël e humbën pak nga pak statusin e mëparshëm të lirisë dhe u kthyen në fshatarë të varur. Për një kohë të gjatë shteti bizantin, e në radhë të parë perandorët e dinastisë maqedone (shek. IX-XI) ishin përpjekur t'i vinin fre procesit të krijimit të pronës së madhe dhe të zhdukjes së pronës së vogël të fshatarit. Fshatari i lirë si dhe stratioti, që merrte nga shteti një parcelë toke kundrejt përmbushjes së detyrimit fiskal e atij ushtarak, kishin përfaqësuar për shumë kohë burimin kryesor të të ardhurave të arkës perandorake dhe njëherësh elementin bazë të ushtrisë bizantine. Por në kushtet e reja që u krijuan pas vdekjes së Bazilit II, pronarët e vegjël u gjendën përballë një sulmi të dyfishtë: të aristokracisë feudale të tokës, nga njëra anë, dhe të shtetit bizantin që rëndoi në mënyrë galopante barrën e taksave në dëm të tyre. Për rrjedhojë u krijua një gjendje shpërthyese, e cila jo rastësisht arriti kulmet e saj në territoret ballkanike të goditura rëndë nga luftërat e fundit bullgaro-bizantine. Në vitin 1040 shpërtheu këtu një kryengritje e fuqishme kundër pushtetit qendror e udhëhequr nga Pjetër Deljani, një bujar bullgar që e mbante veten për nip të car Samuelit dhe që e shpalli sakaq veten car. Kryengritja prej Beogradit u përhap me shpejtësi drejt Nishit e Shkupit. Strategu bizantin i Durrësit, Bazil Sinadeni, mblodhi ushtarakë të temës së tij dhe shpejtoi t'u zërë rrugën kryengritësve të Pjetër Deljanit "përpara se e keqja të përhapej", siç shprehet kronisti Johan Skilice që përshkruan këtë ngjarje. Por revolta preku edhe vetë radhët e ushtrisë së Temës së Durrësit dhe një ushtarak me emrin Tihomir ngriti flamurin e kryengritjes në zonën e Dibrës, ku ishin dislokuar forcat e strategut të Durrësit. Këtu kryengritësit i arriti Pjetër Deljani me të vetët. Forcat e kryengritësve u bashkuan nën drejtimin e Pjetër Deljanit, që ndërkohë kishte hequr qafe Tihomirin. Paskëtaj forcat kryengritëse iu drejtuan Durrësit, të cilin e morën, dhe më tej morën Selanikun. Flakët e kryengritjes përfshinë sakaq edhe temën e Nikopojës, popullsia e së cilës ishte tejet e pakënaqur nga arbitrariteti i nëpunësve perandorakë. Bizantinët mundën të mbanin këtu vetëm kështjellën e Naupaktit mbi Gjirin e Korintit.
Megjithatë, si rezultat i kontradiktave që vazhduan të ekzistojnë në gjirin e drejtuesve të kryengritjes edhe pas vrasjes së Tihomirit, lëvizja u shua më shpejt nga çka pritej po të kihen parasysh përmasat e saj. Këtu luajti rolin e vet edhe një djalë i carit bullgar Ivan Vladisllav, Alusiani, që u arratis nga Konstandinopoja ku mbahej rob dhe u bashkua me kryengritësit. Pasi eliminoi Pjetër Dejlanin, Alusiani u vu në krye të kryengritësve. Por pas një beteje të pasuksesshme me trupat perandorake, Alusiani iu dorëzua perandorit bizantin duke shpejtuar kështu edhe fundin e kryengritjes. Megjithatë kryengritja e madhe e vitit 1040-1041 ishte sinjali i parë i fuqishëm i tensioneve shoqërore që do të mbërthenin Perandorinë Bizantine. Në të njëjtën kohë, ajo qe një tregues i hendekut të madh që ishte krijuar ndërkohë midis pushtetit qendror bizantin dhe provincave perëndimore të tij, ku bënin pjesë edhe trevat shqiptare.
Rreth 30 vjet pas kryengritjes së Pjetër Dejlanit, një tjetër lëvizje shpërtheu në Kosovë, nga ku u hap me shpejtësi në viset fqinje. Kryengritësit kërkuan t'i printe princi i Dioklesë, Mihali, i cili dërgoi për këtë qëllim të birin, Konstandin Bodinin. Në Prizren kryengritësit e shpallën Bodinin mbret të tyre. Me Bodinin u bashkua edhe paria e Shkupit me kreun e saj, Gjergj Vojtehu, i cili erdhi vetë në Prizren. Në Prizren kryengritësit thyen keqas edhe forcat e dukës bizantin të Shkupit, që u dërguan kundër tyre. Pas kësaj kryengritësit morën Nishin, Ohrin, Devollin dhe vetëm në Kostur forcat e riorganizuara bizantine mundën të thyenin grupin kryesor të kryengritësve. Pjesa tjetër e kryengritësve, me "mbretin" Bodin, ishte përqendruar në Nish. Në përpjekje për të sulmuar e për të pushtuar Shkupin, forcat e Bodinit u thyen keq nga ushtria bizantine e dërguar me ngut nga perandori bizantin "për të shuar flakën, përpara se ajo të merrte dhenë", siç është shprehur një kronist bizantin, dëshmitar i ngjarjes.
Gjatë betejës Bodini u zu rob dhe u dërgua në Konstandinopojë ku u mbyll në manastirin e Serxhit e të Bakut derisa i ati i tij, Mihali i Dioklesë, organizoi arratisjen e kthimin e tij në atdhe.
Marrëdhëniet e Perandorisë Bizantine me Bodinin e Dioklesë vazhduan edhe më tej të tensionuara. Pas betejës së vitit 1082 në rrethinat e Durrësit, kur Bodini nuk u erdhi në ndihmë ushtrive bizantine të angazhuara në një betejë vendimtare me normanët e Robert Guiskardit, princi i Dioklesë i shfaqi hapur ambicjet për ta shtrirë sundimin e vet sa në viset e Dalmacisë, në veri, aq edhe në territoret e Temës së Durrësit, në jug. Madje, sipas Kronikës së Priftit të Dioklesë, për një periudhë të shkurtër Bodini mundi të pushtojë dhe të mbajë temën në fjalë, së bashku me kryeqendrën e saj, Durrësin (tulit atque obtinuit totam terram Duracinorum et ipsam civitatem Durachium). Perandori bizantin, Aleksi I Komneni, dërgoi atëherë si strateg të Durrësit një kunatin e tij, Johan Duka, i cili rifitoi kontrollin mbi Temën e Durrësit dhe e mbajti Bodinin larg territoreve të saj.

 
Forum » Forumi Shkencor » Historia » Historia Shqiptare
  • Page 1 of 1
  • 1
Search:

Identifikohu

Naviguesi i Faqes

Postimet e fundit
  • Legjenda (1)
  • Biologjia molekulare. (0)
  • Eva Sotiri - Poezi (1)
  • Gjë e gjëza (1)
  • Historia Shqiptare (11)
  • DROGAT (1)
  • Morthi i kembeve (0)
  • Stina e nxehtë,kujdesi ndaj sëmundjeve që sjell kequshqyerja (0)
  • Pjetër Bogdani ( 1625 - 1689 ) (2)
  • Federiko Garsia LORKA (3)

  • Sondazh
    Cilin e mendoni si favoritin aktual për të fituar Botërorin 2010?
    Totali i përgjigjjeve: 34

    Foto Albumi

    Top Poster
  • admin
  • Juna
  • Ghost
  • Alesio
  • qokuenver
  • muskollaridenis
  • Hipnotizuesssi
  • Stela
  • Kristina
  • jamjamune


  • Kërko

    Shqiperia Etnike ne Fb
  • Shqiperia Etnike


  • News
    [2010-06-23]
    PE shtyn votimin për Shqipërinë (0)
    [2010-06-24]
    Europarlamentaret: Vizat, pse refuzuam kushtezimin (0)
    [2010-06-24]
    Spanjë, Jose Mourinho prezantohet zyrtarisht si trajner i ri Real Madridit (0)
    [2010-06-26]
    Capello: Nuk jam i çmendur, Anglia mund të fitoj KB (0)
    [2010-06-26]
    Shqiptaret mbeten me te varferit ne Evrope (0)
    [2010-06-27]
    Google po skanon një milion libra nga bibliotekat e Romës dhe Firences (0)
    [2010-06-28]
    Kriza, “Guardian”: Greqia nxjerr në shitje ishujt (0)
    [2010-06-29]
    Empire Total War MULTi8-PROPHET (0)
    [2010-06-29]
    Grand Theft Auto 4 (official version) (0)
    [2010-06-30]
    Korrupsioni, zbardhen emrat e pedagogëve të arrestuar në Kamëz (0)

     
    Copyright Shqiperia Etnike © 2024